Shumë të sëmurë, pak shtretër, Shqipëria shënon tjetër bilanc të zi në Europë

Shqipëria

Shumë të sëmurë, pak shtretër, Shqipëria shënon tjetër bilanc të zi në Europë

Më: 29 gusht 2019 Në ora: 09:45
Ilustrim

Shqipëria renditet ndër vendet me numër të ulët shtretërish spitalorë në raport me popullsinë. Sipas të dhënave që ka publikuar Instituti i Statistikave pak ditë më parë, përllogaritet se ka 3 shtretër në dispozicion për 1000 banorë, duke u renditur kështu e shtata për nga numri i ulët në Europë.

Krahasuar edhe me vendet e rajonit, Shqipëria ka një diferencë të dukshme. Në Malin e Zi, sipas të dhënave të Eurostat mbi numrin e shtretërve dhe të popullsisë, dhe përllogaritjeve të ‘Monitor’, ka rreth 3.9 shtretër për 1000 banorë, ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 4.4 dhe Serbia me 5.6.

Në kahun tjetër qëndron Gjermania. Në ekonominë më të madhe të Bashkimit Europian, të dhënat më të fundit të publikuara nga Eurostat tregojnë se numri i shtretërve spitalorë për 1000 banorë është 8.1, duke mbajtur kështu rekordin në Europë. Gjermania është një nga vendet që po vuan prej kohësh pasojat e plakjes së popullsisë, duke rritur edhe kërkesën për shërbime shëndetësore. Për këtë i nevojiten edhe më shumë kapacitete spitalore, por edhe burime humane. Së fundmi, Gjermania është shndërruar si një magnet për mjekët e huaj, veçanërisht nga vendet e Lindjes, ku përfshihet edhe Shqipëria. Shifrat tregojnë se numri i shqiptarëve që u shpërngulën për arsye punësimi në Gjermani ka shënuar rritje të vazhdueshme dhe pjesa më e madhe e tyre kanë lidhur kontrata pune në sektorin e përkujdesjes shëndetësore (mjekë dhe infermierë).

Vendet e tjera me një numër të lartë shtretërish për 1000 banorë janë Austria me 7.5, e ndjekur nga Bullgaria me 7.2, Hungaria me 7 dhe Çekia me 6.9.

Ndërsa ndër vendet me numrin më të ulët renditet Suedia, ku sipas përllogaritjeve për 1000 banorë ka 2.4 shtretër në dispozicion. Me një diferencë të ngushtë, Mbretëria e Bashkuar dhe Danimarka kanë 2.6 shtretër për 1000 banorë, të ndjekura nga Turqia me 2.8, Irlanda me 2.9 dhe Spanja me 3.

Numri i të shtruarve në spitale arrin rekord në 2018

Në vitin 2018 nëpër spitalet në vend u shtruan gjithsej 279 mijë persona në spitalet publike, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT në treguesit e shëndetit publik. Ky është niveli më i lartë i të shtruarve që raportohet që nga 2014-a, kur INSTAT publikon shifrat.

Në raport me një vit më parë, numri i të shtruarve në spitale u rrit me 2.2%. në të njëjtën linjë është rritur dhe ditë qëndrimi në spital nga 5.4 në 5.5 ditë.

Sipas INSTAT, Në vitin 2018, numri i vizitave gjithsej në shërbimin parësor është 8.219.771, mesatarisht 3 kontakte për person në vit. Ky numër shënon një rritje prej 3,5 % krahasuar  me numrin e vizitave gjatë vitit 2017. Ditët mesatare të qëndrimit të një pacienti në spital janë 5,5 ditë gjatë vitit 2018, nga 5,4 ditë që ishin në vitin 2017. Ndërhyrjet kirurgjikale në spitalet publike gjatë vitit 2018 janë  64.929 duke shënuar një rritje prej 13,0 %, krahasuar me vitin 2017.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat