Telefonata e fundit e Santiago Malko, dalin në dritë detaje të reja

Shqipëria

Telefonata e fundit e Santiago Malko, dalin në dritë detaje të reja

Më: 29 gusht 2019 Në ora: 14:06
Santjago Malko dhe Dea

Një provë e vyer për policinë, janë cilësuar dy aparatet celularë të Santjago Malkos, ish- policit që u ekzekutua të martën në mbrëmje në kryeqytet.

Telefonat e tij celularë janë sekuestruar dhe po zbërthehen komunikimet e tij të fundit, për të parë nëse japin ndonjë indicie për ngjarjen e rëndë.

Kur ka qenë para lavazhit të zonës, për arsye ende të paqarta për policinë, mjeti i 26-vjeçarit Malko ka frenuar. Në ato momente, atentatorët kanë parakaluar dhe kur kanë qenë paralel kanë qëlluar në drejtim të të riut. Dyshohet se në momentin kur “BMë X5” ka ndaluar, 26-vjeçari ka marrë një telefonatë.

‘Far west’ në Tiranë/ Dëshmitarët rrëfejnë tmerrin: Makina kaloi mbi koshat e mbeturinave, i preu rrugën 1 furgon. Kalimtarët iknin me vrap të shpëtonin

Rreth 20 persona të rrethit familjar të Santiago Malkos, janë shoqëruar në polici nga mbrëmë deri sot, të cilët po merren në pyetje për krimin mafioz që tronditi mbrëmë kryeqytetin.

Ndërkohë, gazetarja e News24, ka përcjellë edhe rrëfimet e dëshmitarëve okularë, të cilët kanë parë gjithçka live, teksa kanë qenë në një lokal pranë vendit të ngjarjes.

Ata kanë thënë se makina e ish-policit Malko ka qenë me shpejtësi, pasi ka parë që po ndiqej. Ndërkohë, sipas tyre, në momentin që është qëlluar, ai ka shtuar edhe më shumë shpejtësinë.

Dëshmitarët kanë theksuar se ka qenë një skenë “Far West” në rrugën “Xhenfize Keko”, deri në momentin që 26-vjeçari ka humbur kontrollin dhe është përplasur me koshat e plehrave, duke i marrë ata përpara. Pasi ka kaluar mbi koshat e plehrave, makina e viktimës “BMW X 5” është përplasur me murin e një biznesi, duke çarë derën e tij rrethuese.

“E kanë survejuar dhe kanë ndjekur lëvizjet e tij në kryeqytet. Në kryqëzimin e njohur si Xhamlliku, e kanë parakaluar makinën e Santiagos, makina e autorëve ka qenë një furgon ngjyrë e bardhë sipas dëshmitarëve dhe kanë hapur zjarr duke qëlluar me breshëri.
Autorët nuk kanë dalë nga makina por kanë qëlluar nga brenda saj dhe dyshohet se një pjesë e gëzhojave kanë mbetur brenda automjetit të autorëve.

Sot janë ende të dukshme në vendngjarje shenjat e gomave të automjetit BMW x5 i cili ka kaluar mbi koshat e mbeturinave dhe është përplasur me murin rrethues të një biznesi duke carë derën kryesore të tij dhe është përplasur më pas me murin e brendshëm. Brenda automjetit të autorëve që u gjet i djegur në fshati  Ferras është gjetur edhe arma e dyshuar e krimit, një kallashnikov”, tha gazetarja e News24.

Qytetarët janë tmerruar nga skena që kanë parë. Në rrugën “Xhanfize Keko” ka patur dhjetra makina të tjera dhe banorë që lëviznin në këmbë. Shumica kanë vrapuar për t’i shpëtuar plumbave, ndërkohë që skena është filmuar nga një kamera sigurie. Dëshmitarët në vendin e ngjarjes e përshkruajnë si një skenë që e kanë parë vetëm në filma.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat