Faturat e “kripura” të qeverisë së Ramës, ish- ministrja shpenzoi 3079 Euro për 4 ditë në Londër

Shqipëria

Faturat e “kripura” të qeverisë së Ramës, ish- ministrja shpenzoi 3079 Euro për 4 ditë në Londër

Më: 29 gusht 2019 Në ora: 18:45
Lindita Nikolla

Për periudhën janar-nëntor 2018, ish- ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ka udhëtuar drejt Anglisë, Turqisë, Belgjikës dhe dy herë drejt Italisë për vizita pune.

Udhëtimi më i shtrenjtë nga faturat që i janë vënë në dispozicion “Faktoje” është ai drejt Londrës në Angli, ku përfshihet udhëtimi me avion, akomodimi në hotel për pesë netë dhe transporti me taksi nga aeroporti në hotel dhe anasjelltas.

Nikolla ka marrë pjesë në Forumin Botëror të Arsimit që organizohet çdo vit në Londër nga data 21-24 janar. I gjithë ky udhëtim, vetëm për ish-ministren Nikolla ka kushtuar 3079 euro.

Bileta e avionit e klasit “Economy” (një detyrim ligjor për ministrat) është rezervuar fillimisht për datën 21 janar 2018 dhe ka kushtuar 502 euro për itinerarin Tiranë-Londër-Tiranë. Tre ditë përpara nisjes, ministria ka ndryshuar datën e udhëtimit duke e rezervuar me një ditë para (20 janar), veprim ky që ka sjellë një kosto ekstra prej 365 euro vetëm për biletën e ish-ministres. “Faktoje” nuk ka informacion se pse erdhi ky ndryshim.

MASR ka zgjedhur hotelin me 4-yje Radisson Blu Sussex, i pozicionuar në qendër të Londrës. Një natë në këtë hotel për ministren ka kushtuar 380 euro.

Sipas faturës së sjellë nga MASR, ministria e ka rezervuar hotelin në Londër për në datën 19 janar por kujtojmë se ish-ministrja Nikolla fluturimin e kishte ndryshuar për në datën 20 janar.

Megjithatë, nëse shohim faturën e taksisë, figuron (me shkrim dore) se ish-ministrja ka mbërritur në aeroport në datën 21 dhe është kthyer në aeroport për t’u nisur drejt Tiranës me datë 25 janar, siç konfirmohet edhe nga fatura tatimore për biletën e avionit.

Nga verifikimi i të gjitha faturave të vëna në dispozicion ka një mospërputhje mes datës së mbërritjes dhe akomodimit të ministres Nikolla, ku rezulton se një ose dy netë në hotel janë paguar, por kanë shkuar dëm sepse ministrja nuk është akomoduar.

Udhëtimi me taksi nga aeroporti deri në hotel dhe anasjelltas ka kushtuar 309 euro ose pothuajse sa çmimi i një nate në hotelin e sipërpërmendur. Ish-ministrja Nikolla ka udhëtuar për në Londër me dy anëtarë të stafit të saj, kostoja totale e biletave të avionit të të cilëve është 1680 euro. Ndërsa për shpenzimet e akomodimit të tyre nuk disponojmë të dhëna.

Për destinacionet e tjera jashtë shtetit për periudhën janar-dhjetor 2018: Romë, Parma, Izmir akomodimi në hotel varion nga 93-194 euro nata. Ndërsa për një udhëtim në qershor në Bruksel, MASR nuk ka sjellë fatura.

Nga dokumentat që kemi marrë nga MASR rezulton vetëm një urdhër shërbimi për nëntë udhëtimet e Nikollës dhe Shahinit gjatë periudhës janar 2018- qershor 2019. Urdhri i shërbimit, ashtu siç ka qenë praktikë ndër vite, është një detyrim ligjor i firmosur nga ministri që tregon arsyet dhe jep leje për dërgimin me shërbim jashtë shtetit të punonjësve të ministrisë, përfshirë titullarin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat