U shua doktor Ali Zorba

Shqipëria

U shua doktor Ali Zorba

Nga: Kadri Tarelli Më: 30 gusht 2019 Në ora: 06:11
Ali Zorba

Në këto dit të nxehta, të Gushtit 2019, pas një sëmundje të shkurtër, ndërroi jetë durrsaku dr. Ali Safet Zorba, shok, mik, kurues dhe shërues i të gjithë njerëzve që i drejtoheshin për ndihmë mjekësore.

Si mjek dhe humanist, nga profesioni dhe shpirti, shërbeu në disa krahina të vendit, si në Rrethin e Pukës, më pas në zonën e Katundit të Ri, Sukth-Katund, fshatra pranë Shijakut dhe kohën më të gjatë, deri sa doli në pension, në qytetin e Durrësit.

Në rrethin shoqëror dhe mjekësor, njihej si njeri shumë serioz, si në punë ashtu edhe në marrëdhëniet me të tjerët, kam parasysh pacientët e shumtë, që kërkonin ndihmë dhe përkujdesje. Ishte shumë korrekt me detyrën, mbase kështu duhet të jenë të gjithë mjekët. Në ditët e sotme, me ato çka shohim e dëgjojmë, ndoshta nuk e beson njeri, që ai nuk merrte para për vizitat që kryente, si në ambulancë ashtu edhe jashtë kohës zyrtare të punës. Ishte i papërtuar sa herë i kërkohej ndihma, si ndaj miqve, shokëve, të njohurve dhe më shumë ndaj të panjohurve hallexhinj.

I pëlqenin shakatë, shpesh përsëriste ndodhi të shkurtra, ku ndjehej delli i humorit të hollë. Veçse vetë nuk qeshte shumë. Studionte deri vonë, madje edhe në gjuhë të huaj italisht dhe anglisht, si detyrë e çdo dite, për të qenë në lidhje me të rejat e shkencës bashkëkohore.

Duket si çudi që kohët e fundit, pasi kishte dalë në pension, filloi të mësojë spanjisht. E pyeta: - A nuk është vonë, për moshën tonë, fillimi i mësimit të një gjuhe të re? – Asnjë herë nuk është vonë! Mua më pëlqen, pasi është edhe gjuhë e bukur, veç anës mjekësore! – M’ u përgjigj, duke më parë në sy, nëse e kisha seriozisht.

Këtë pasion të mësimit dhe studimit, në shërbim të kulturës dhe profesionit u përpoq t’ua kultivojë edhe fëmijëve të tij, dy prej të cilëve, Anjeza dhe Arditi, vazhduan studimet e larta po për mjekësi, ndërsa Adela për kimi në SHBA. Kënaqej, kur në biseda me ta, hapte tema nga fusha e veprimtarisë së mjekut dhe e nxiste debatin, shpesh duke kundërshtuar qëllimisht. Kujdesej për etikën e sjelljes ndaj pacientit, ashtu edhe në diagnostikimin, zbulimin e shkaqeve dhe kurimin e të sëmurëve, duke treguar raste, që i kish kaluar e përjetuar vetë.

Çdo prind mundohet të bëjë të pamundurën për të nxitur dhe ndjekur suksesin e fëmijëve të vet, si një investim i madh i çdo familjari të përkushtuar. Por dr. Aliu ishte i veçantë nga të tjerët. Sakrifikonte për shkollimin e tyre. Bënte të pamundurën që ata të shkëlqenin mes më të mirëve. Krenohej që edhe ata nuk e zhgënjyen nëpër shkollat më të mira, këtu në Tiranë, por edhe në Amerikë dhe Itali, duke u vendosur ndër më të mirët. Ngazëllehej kur tregonte për pjesëmarrjen në ceremoninë e laurimit të tyre, të Adelës në Amerikë dhe Anjezës në Itali. I emocionuar nga fjalët që u thanë për doktore Anjezën, nuk duroi dot, u ngrit dhe shkoi i dha dorën komisionit të vlerësimit. Ishte një rast, që nuk kishte ndodhur kurrë në ceremoni dhe takime të tilla. Siç thoshte edhe vetë: - “Profesorëve i erdhi mirë, ju bë qejfi, që një koleg, mjek nga Shqipëria, i përshëndeti miqësisht në traditën shqiptare”.

Fjalët nuk e zbehin dhimbjen e shpirtit të Lizës (gruas), Vajzave Adelës dhe Anjezës, ashtu dhe djalit Arditit. Familjarët, miqtë, shokët dhe të njohurit do ta kujtojnë gjatë dr. Aliun. Secili në mënyrën e vet, trishtohet dhe njëherazi ngushëllohet, që puna e këtij mjeku, i shërbeu qytetarëve, duke i shëruar, apo duke ua lehtësuar dhimbjet dhe vuajtjet.

Jeta dhe vepra e tij është një model frymëzimi i një bashkëshorti dhe prindi shembullor në sakrifica, model vullneti, durimi dhe përkushtimi profesional, model admirimi i njeriut të ndershëm qytetar, model për humanizmin e tij ndaj njeriut në nevojë.

Ligjet e natyrës nuk mund t’i ndryshojmë, pavarësisht se në raste të tilla të dhimbshme, nuk na pëlqejnë. Na mbete veç të shprehim dëshirën, që njerëzit e mirë si dr. Aliu të shkojnë pranë perëndisë, të prehen në parajsë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat