Ilir Meta: Zgjedhjet e rregullta janë zgjidhje për problemet

Shqipëria

Ilir Meta: Zgjedhjet e rregullta janë zgjidhje për problemet

Më: 30 gusht 2019 Në ora: 10:49
Ilir Meta

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dhënë një intervistë për “Il Giornale”, ku flet për krizën politike në Shqipëri dhe zgjedhjet e 30 qershorit. Ai ka theksuar se vetëm zgjedhjet e rregullta mund t’i japin zgjidhje situatës në vend.

“Nëse nuk do të kisha nxjerrë dekretin për të shtyrë zgjedhjet më 13 tetor, që është një datë jo rastësore sepse procesi i pranimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE do diskutohet më 18 tetor, përplasja mes dy fraksioneve politike do të kishte qenë e pashmangshme”, ka deklaruar Meta.

Sipas tij, kryeministri Edi Rama nuk e ka kuptuar se mbajtja e zgjedhjeve lokale në atë mënyrë (pa opozitën) janë problem për hapjen e negociatave.

“Zgjedhjet e qershorit nuk ishin as Kushtetuese, as ligjore dhe as legjitime. Vetëm Gjykata Kushtetuese mund të kontestojë dekretin e Presidentit dhe është për të ardhur keq që veprimtaria e tij (presidentit) pezullohet nga vullneti i Ramës”, ka thënë Meta.

Presidenti ka thënë për median italiane se votimet e 30 qershorit ishin pa kundërshtarë, njësoj si gjatë regjimit komunist. Ai konteston edhe pjesëmarrjen në këto votime, duke theksuar se ajo është me ulët se shifra 23% e deklaruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Gjatë intervistës, Meta ka folur edhe për audio-përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane ‘Bild’, të dosjeve 339 dhe 184, për të cilat është shprehur: “Është e papranueshme që nuk janë bërë hetime të thella. Është një nga rastet më të këqija të funksionimit të shtetit të së drejtës.”

Meta thekson se “zgjedhjet e rregullta janë zgjidhja për këto probleme.”

Presidenti ka deklaruar gjithashtu se Shqipëria duhet të luftojë trafikun e drogës dhe paratë që hyjnë në ekonomi nga ky aktivitet. Sa i përket akuzave për miliarderin George Soros, Meta ka theksuar se Shqipëria nuk duhet të përfundojë “në duart e lojtarëve ndërkombëtarë privatë.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat