Polaku që theu këmbën në Theth: Jam mirënjohës ndaj banorëve më shpëtuan jetën

Shqipëria

Polaku që theu këmbën në Theth: Jam mirënjohës ndaj banorëve më shpëtuan jetën

Më: 30 gusht 2019 Në ora: 16:47
Wojtek Markiewivcz

Wojtek Markiewivcz është një i ri nga Polonia që mbrëmjen e së enjtes kaloi disa nga momentet më të vështira të jetës së tij.

Teksa po eksploronte bukuritë natyrore të Thethit, vendosi të vijonte me tej në majën e Harapit, por aty pësoi një aksident duke u rrëzuar nga një lartësi e konsiderueshme.

Dëmtimet ishin të rënda aq sa i riu, nuk mundi të lëvizte por njoftoi të dashurën e tij Julia Bednarska dhe banoret e fshatit të cilët i erdhën në ndihme.

“Jam në Shqipëri prej ditësh, dhe dje po i ngjitesha maleve te Thethit. Vendosa këmbën në një gur qe dukej i qëndrueshëm por ai u shemb dhe u rrezova. Kam dëmtuar rëndë këmbën.

I thashë të dashurës time, dhe ajo njoftoi bujtinën ku po qëndronim. Banorët e fshatit u organizuan dhe më erdhën në ndihmë të gjithë bashkë. Jam shumë mirënjohës të gjithë atyre njerëzve që më ndihmuan kaq shumë”, ka thënë për Top Channel, Wojtek Markiewivcz.

Julia, e dashura e 20 vjeçarit që u rrëzua tregon se si banorët e Thethit u organizuan në pak minuta dhe pavarësisht errësirës dhe terrenit të thyer, ata i erdhën në ndihmë në pak minuta.

“Na mori në makinë banori Xhimi Guri dhe u nisëm drejt maleve. Pastaj kemi ecur rreth një orë e gjysmë në këmbë përmes errësirës, ishte e vështire por ja arritëm të gjejmë të dashurin tim. Banorët e mbajtën në një barelë në shpinën e tyre edhe një orë e gjysmë tjetër, derisa arritëm sërish tek makina. Falë tyre tani jemi mirë dhe jemi në Spital”, ka thënë Julia Bednarska, e dashura e 20-vjeçarit.

Në zonën e Thethit, janë disa turistë të cilët kanë provuar të eksplorojnë malet e larta pa ndihmën e udhërrëfyesve turistik, dhe për pasojë kanë pësuar aksidente. Në të gjitha rastet kanë qenë banorët e zonës dhe inspektorët e administratës se zonave të mbrojtura që u kanë ardhur në ndihmë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat