“Traditë 20 vjeçare konsensusi me opozitën”- Balla: Do kemi Kod të ri Zgjedhor, jemi dakordësuar me opozitën në Parlament

Shqipëria

“Traditë 20 vjeçare konsensusi me opozitën”- Balla: Do kemi Kod të ri Zgjedhor, jemi dakordësuar me opozitën në Parlament

Më: 2 shtator 2019 Në ora: 18:43
Taulant Balla

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla thotë se Shqipëria do të ketë një kod të ri zgjedhor.

I ftuar në studion e News 24, Balla shprehet se në traditën 20 vjeçare, Kodi Zgjedhor është miratuar me konsensus me opozitën. Megjithatë sipas tij, në fund miratimi i këtij Kodi bëhet në Parlament.

“Ka një praktikë të konsoliduar më shumë se 20 vjeçare ku Kodi Zgjedhor miratohet me konsensus. Por, Kodi Zgjedhor miratohet në Kuvend. Kujtoj se janë tre grupe parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë që bien dakord që brenda këtij sesioni parlamentar të Kemi një Kod të Ri”, theksoi Balla.

Duke u ndalur tek rasti i Valdrin Pjetrit në Shkodër, Balla tha se shumë shpejt do të prezantohet nisma për kontroll më të imtësishëm për të gjithë ata që duan të zgjidhen në institucionet publike.

“Vitet e shkuara ka pasur kandidatë apo të zgjedhur nga të gjitha partitë politike që kanë humbur mandatin. Edhe gjatë kësaj legjislature ka pasur nga ata që kanë humbur mandatin për shkak të mos deklarimit të disa rasteve që hyjnë në ligjin e dekrimanilizimit. Për këtë arsye, kryeministri ka ofruar gatishmërinë për të hetuar të shkuarën e çdo personi që synon të zgjidhet. Në çdo rast, përgjegjësia është personale. Nëse do të ishte në përgjegjësi kolektive, ligji do të ishte i pazbatueshëm”, theksoi ai.

Balla u shpreh gjithashtu se data 13 tetor për Partinë Socialiste nuk do të thotë asgjë.

“Nuk është hera e parë që në Shqipëri bëhen zgjedhje të pjesshme. Janë bërë zgjedhje të pjesshme në Dibër dhe në Kolonjë. Partitë garojnë, por është KQZ dhe Presidenti që vendosin. KQZ ka të gjithë autoritetin, pasi kthehet nga puna që të vendosë për datën. Prefekti i Shkodrës ka konstatuar vakancën e krijuar dhe është KQZ që vendos për datën. Data 13 tetor për ne nuk ka kuptim, nuk do të thotë asgjë”, tha Balla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat