Kuvendi nis punën ligjet e kthyera, shqyrtohen 4 dekrete

Shqipëria

Kuvendi nis punën ligjet e kthyera, shqyrtohen 4 dekrete

Më: 3 shtator 2019 Në ora: 07:40
Ilustrim

Janë 9 ligjet të kthyera mbrapsht për rishqyrtim, nga të cilët sot diskutohet gjysma e tyre. Ligji i Koncesioneve, projektet Milot-Balldren dhe Porti i Jahteve në agjendën e sotme. Deri në 19 shtator “rrëzohen” të nëntë

Pa çelur ende sesioni i ri Parlamentar dhe pa u miratuar kalendari i punimeve për tre muajt e ardhshëm, PS ka publikuar agjendën për datën 3 shtator. Në faqen zyrtare të Parlamentit, janë publikuar agjendat e komisioneve parlamentare, në të cilat pritet të shqyrtohen ligjet e kthyera nga Presidentit Meta. Janë 4 dekrete të futura në axhendën e Komisionit të Ekonomisë, mes të cilëve ligji për koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat si dhe rruga Milot-Balldren, për të cilat Presidenti ka dhënë argumente për kosto të fryra dhe cenim interesash gjatë verës, kur ka firmosur rrëzimin e tyre. Po ashtu, sezoni i ri politik ka nisur me Konferencën e Kryetarëve, e cila është mbledhur para zhvillimit të seancës plenare për hapjen e sesionit V Parlamentar, ka miratuar kalendarin e punimeve deri më 20 shtator, ku bie në sy pikërisht ajo që ishte paralajmëruar nga maxhoranca se në shtator do të rrëzohen të gjitha dekretet e Metës për kthimin mbrapsht të disa ligjeve të rëndësishme. Janë pikërisht nëntë dekrete të Metës, të cilat pritet të merren në shqyrtim nga Kuvendi, në dy seancat e përcaktuara nga Konferenca e Kryetarëve, konkretisht më 12 dhe 19 shtator.

Ligjet

Ndër ligjet më të rëndësishme që Presidenti Meta ka kthyer, përfshihen koncesioni Orikum-Dukat, ligji i Akademisë së Shkencave, koncesioni për rrugën Milot-Balldren. Ky sesion i ri parlamentar pritet të prodhojë debate të forta pasi dihet që tashme maxhoranca ka nisur veprimet për shkarkimin e presidentit, ndërkohë që kjo e fundit pret edhe përgjigje nga komisioni i Venecias. Partia Demokratike, për herë të parë pas tre dekadash nuk mori pjesë në çeljen e këtij sesioni, për shkak të djegies së mandateve në muajin shkurt të këtij viti. Tashmë në Kuvend kemi një opozitë të re me tre grupe të reja parlamentare. Këto grupe, bashkë me grupin e Partisë Socialiste pritet të vendosin mbi sërë çështjesh të nxehta gjatë këtij sesioni, nëse nuk shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kujtojmë se në Tetor përfundon afati i komisionit hetimor i ngritur për hetimin e Presidentit Ilir Meta në lidhje me anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Ndërkohë gjatë kësaj periudhe Presidenti Meta ka rikthyer 9 ligje në Kuvend, pasi ka refuzuar dekretimin e tyre. Pra, është Kuvendi që do të vendosë, nëse do të bëjë ndryshime apo sërish do t’i miratojë siç ishin.

Dekretet

Shqyrtimi i Dekretit të Presidentit të Republikës nr. 11226, datë 15.07.2019 “Për kthimin e ligjit nr. 37/2019 “Për disa shtesa në aktin normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr. 9967, datë 24.7.2008, dhe ndryshuar me ligjin nr. 3/2015”; Shqyrtimi i Dekretit të Presidentit të Republikës nr. 11251, datë 05.08.2019 “Për kthimin e ligjit nr. 50/2019 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar”; Shqyrtimi i Dekretit të Presidentit të Republikës nr. 11254, datë 08.08.2019, “Për kthimin e ligjit nr. 51/2019 “Për miratimin e kontratës së koncesionit/PPP ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor, dhe “Gjikuria”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë koncesionare “Rruga Orikum – Llogara”, sh.p.k., për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës “Porti i jahteve – By-Pass Orikum – Dukat (ura e Shën Elizës).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat