Kuvendi, debate për “Pjetrin”, pronat dhe reformën zgjedhore

Shqipëria

Kuvendi, debate për “Pjetrin”, pronat dhe reformën zgjedhore

Më: 3 shtator 2019 Në ora: 07:41
Ilustrim

Gramoz Ruçi hap kuvendin me një bilancin e sesionit të kaluar dhe objektivat për reformën zgjedhore. Rudina Hajdari: Basha dhe Kryemadhi e bënë Ramën perandor. Alimadhi: Shqiptarët po vriten, duhet ligj për pronat

Pasditen e djeshme në 18:00, Kuvendi zhvilloi seancën e parë plenare për këtë sezon, e cila nisi me fjalën e kryeparlamentarit të GramozRuçit me një bilanc të Kuvendit gjatë sesionit të kaluar. Duke përcaktuar objektivat për këtë sesion, Ruçi vuri theksin te vendimmarrja për negociatat dhe reforma zgjedhore. Për këtë të fundit, kryeparlamentari i shtriu edhe njëherë dorën opozitës jashtë Kuvendit. Gjatë fjalës së tij, Ruci u shpreh se Kuvendi është legjitim dhe funksional, pasi i ka votat e mjaftueshme për të miratuar çdo ligj, duke i kthyer kështu një përgjigje Presidentit Ilir Meta që e cilëson si jo legjitim. “Me gjithë vështirësitë që u shkaktuan me lënien e mandateve nga opozita, kjo gjë nuk pengoi produktivitetin e Kuvendit. 40 nga 58 mandate u zëvendësuan shpejt, që ndihmoi në rikthimin e normalitetit dhe legjitimitetit të Kuvendit. Kuvendi fillon këtë sesion si funksional me kuorum kushtetues, me shumicë të kualifikuar për të miratuar çdo akt ligjor.Kjo shpreh edhe një përgjegjësi të lartë grupit opozitar, kushtetuese dhe politike për të cilën meritojnë mirënjohje. Kushtetuta u rezistoi aventurave ‘liri nën ligj’ duke shpëtuar sistemin nga kaosi. Në Kuvend do të dorëzohen shumë shpejt kandidaturat për Kushtetuesen dhe gjykatën e Lartë”, tha Ruçi.

Alimadhi: Shqiptarët po vriten, duhet ligj për pronat

Kryetari i Ballit Kombëtar të Shqipërisë Adriatik Alimadhi në fjalën e tij si deputet në Parlamentin e Shqipërisë tha se shqiptarët po vriten përditë dhe ky është turp e politikës 30-vjeçare. Alimadhi theksoi se fatkeqësisht në Shqipëri, të përndjekurit politikë vazhdojnë të konsiderohen ende “tradhtarë”, me një mendësi tejet të kaluar. Ai bëri thirrje për bashkim më të madh të shqiptarëve e tha se duhen bërë disa ligje shumë të rëndësishme për të rregulluar shoqërinë shqiptare. “Ky parlament ka 30 vjet që bën gracka. Ju po shikoni se shqiptarët po vriten për pronat. Duhet një ligj i mirë për pronat, edhe për bankat, si dhe për hidrokarburet. Kjo sepse ka 30 vjet që për shkak të politikës situata në vend është problematike. Kryetari i Kuvendit përmendi vjetorin e çlirimit. Po a e kuptoni se janë vrarë 5 deri në 6 mijë shqiptarë. Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë na thotë të shkojmë te varret e pasardhësve të vet që ata na vranë njerëzit tanë. Më tha dikush se na kanë thirrur më 5 maj. Po çfarë 5 maji? 5 Maji ka prodhuar gjak. Shoqëria po përçahet. Ne jemi vrarë, pushkatuar, burgosur, internuar dhe përbuzur padrejtësisht. Nëse keni besë shqiptari. A ka mundësi të marrim nismë për historinë? Shkon dhe ia merr kryeministrit të Kosovës dhe ia përplas në tavolinë. Po kush e donte Shqipërinë me Çamërinë dhe me Kosovën? Balli Kombëtar. Keni mendësi se ne jemi armiq e tradhtar. Çfarë është kjo mendësi”, tha Alimadhi.

Rudina Hajdari: Basha dhe Kryemadhi e bënë Ramën perandor

Kryetarja e grupit demokrat në Kuvendin e Shqipërisë, Rudina Hajdari nga foltorja e Kuvendit në nisje të sesionit të ri parlamentar u shpreh se marrëveshja e Bashës me Kryemadhin për të djegur mandatet e bënë Edi Ramën perandor. “Unë do të doja të ndaja fjalën time për prioritetet e grupit tim. Kjo qeveri është nga më skandalozet që ka parë vendi, kjo dëshmohet në raportet ndërkombëtare. Më lejoni të them se nuk ka asnjë dyshim se ne këtu kemi një nga korrupsionet më të larta. Jemi me një kryeministër që ka sjellë regres, një qeveri që nuk di të menaxhojë ekonominë e vendit. Nuk ka vullnet për të nxjerrë para përgjegjësi zyrtarët e lartë, apo për të hapur dosjet 339 apo 184, ato do të mbyllen dhe këta zyrtarë nuk kanë për të parë asnjë ndëshkim të dëshiruar nga shqiptarët apo ndërkombëtarët. Skema e fundit e PPP-së mund të konsiderohet më korruptive. Kjo ka fundosur buxhetin e shtetit, është ndër më të rrezikshmet. Shqiptarët po largohen çdo ditë e më shumë, bandat kanë zaptuar vendin. Por kush është fajtor? Përpara 25 qershorit kishim një qeveri tranzitore dhe marrëveshje Rama-Basha. Kjo dështoi dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi. Kush e bëri Edi Ramën perandor, kjo ishte një marrëveshje tjetër mes Bashës dhe Kryemadhit. Ata kërkuan djegien e mandateve”, tha ajo.

Dekriminalizimi

Kryetari i grupit parlamentar socialist në Kuvendin e Shqipërisë, Taulant Balla u shpreh se kryeministri Rama do të dorëzojë amendamentet në komisionin e reformës zgjedhore. “Rasti i Shkodrës na bën të vetëdijshëm që kuadri ligjor nuk është i plotë dhe në këtë këndvështrim kryeministri do të depozitojë si amendamente shtrëngimet e domosdoshme dhe më të ashpra në lidhje me çdo kandidat. Le të jetë komisioni i reformës zgjedhore që ti shqyrtojë”, tha ai. Nisma vjen pas rastit të Shkodrës kur kryetari i bashkisë Valdrin Pjetri dha dorëheqjen, pasi u zbulua dënimi që kishte fshehur në Itali. Nevojën e ndryshimeve në ligjin e dekriminalizimit kryeministri e argumenton me faktin se partitë politike nuk verifikojnë dot të dhëna individuale jashtë afateve të përcaktuara nga shtetet për dëshminë e penalitetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat