Kostelancik: SHBA do të mbështesë fuqishëm vettingun në Shqipëri

Shqipëria

Kostelancik: SHBA do të mbështesë fuqishëm vettingun në Shqipëri

Më: 4 shtator 2019 Në ora: 15:45
Dave Kostelancik

Drejtori i ri për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit amerikan, Dave Kostelancik mbërriti në Tiranë, në kulmin krizës politike, megjithatë burime diplomatike i thanë Top Channel se ai nuk erdhi në rolin e negociatorit, megjithatë të gjitha takimet e tij po bëhen me aktorët kryesorë të krizës politike në Shqipëri.

I shoqëruar edhe nga e ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA, Leyla Moses-Ones, zyrtari i lartë amerikan i nisi takimet zyrtare me kryeparlamentarin, Gramoz Rucit, në kryesinë e Kuvendit, aty ku nisi edhe kriza shqiptare me djegien e mandateve të PD-LSI.

Në njoftimin e shpërndarë nga zyra e shtypit të kryetarit të Kuvendit, thuhet se zyrtari i DASH vuri në dukje nevojën për kryerjen e reformës zgjedhore dhe rekomandoi se është përgjegjësi e qeverisë që t’i shtrijë dorën opozitës, për realizimin bashkërisht të kësaj reforme brenda vitit, duke marrë garancinë e kryeparlamentarit Ruci, se shumica parlamentare do të bashkëpunojë edhe me opozitën jashtë parlamentare, e cila ka të drejtën e votës në Komisionin e Posaçëm.

Reforma në drejtësi ishte një tjetër temë e prekur në takim, ku Kostelancik nënvizoi rëndësinë që ka për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfundimi i saj.

“Vettingu është mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështetet fort nga SHBA”, citohet nga zyra e shtypit të Kuvendit, të ketë thënë zyrtari amerikan.

Në drekë, në takime të ndara drejtori i ri për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin amerikan pritet nga liderët e opozitës, Basha dhe Kryemadhi, ndërsa takimet pritet të përmbyllen me kryeministrin Edia Rama pasdite.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat