“Nga ky Parlament të zë tmerri”, rrëfimi i Blendi Fevziut: Ku gaboi opozita dhe pse Rama s’po qeveris

Shqipëria

“Nga ky Parlament të zë tmerri”, rrëfimi i Blendi Fevziut: Ku gaboi opozita dhe pse Rama s’po qeveris

Më: 6 shtator 2019 Në ora: 14:48
Foto ilustrim

Blendi Fevziu ishte i ftuari i parë në Forumet UET për vitin e ri akademik, ku në një bashkëbisedim me pedagogë dhe studentë foli mbi çështjet më të nxehta të aktualitetit politik dhe romanin e tij që pritet të dalë në fund të shtatorit. Duke folur për zgjedhjet, Fevziu theksoi se u duhet dhënë fund banditëve në politikë dhe Shqipëria nuk mund të jetë e stabilizuar nëse zgjedhjet nuk janë të gjithëpranuara.

Në qytet dhe në rrethe të ngushta letrare po flitet shumë se ka një roman të ri tuajin, që do dalë së shpejti. Mund të na flisni sadopak, për të na shuar kuriozitetin, që të na bëjë ta lexojmë këtë roman tuajin?

Faleminderit për ftesën, faleminderit edhe që ishte forumi i parë për këtë vit dhe e nisët me mua. Bëhen 10 vite, me sa mbaj mend unë, ne kemi filluar bashkëpunimin në shtator, ku është bërë prezantimi i librit “Jeta ime, intervistë me Blendi Fevziun”, të cilin unë ende sot e konsideroj si një nga librat me një lloj ndikimi, nga ata libra që mbeten në bibliotekën e gjithsecilit dhe që shërbejnë si mundësi reference. Gjithkush që do punojë me historinë e Shqipërisë, me personazhe të caktuara të saj, ka mundësi që t’i referohet. Një pjesë e atyre personazheve, unë e kam thënë, nuk jetojnë më, ndoshta pjesa më e madhe e atyre që përfshihen në atë libër janë rralluar akoma më shumë këto 10 vjet që nga bashkëpunimi i parë. Po, ka një libër të ri, për ta shpjeguar këtu e kam të vështirë. Gjithsesi do ta them siç e mendoj. Është ai që do ta quaja libri i jetës sime. Para disa ditësh, unë mbusha 50 vjeç dhe në një moment isha duke menduar që çfarë bilanci bën njeriu me jetën e tij. Ishte pasi e kisha mbaruar këtë libër dhe kisha një qetësi të plotë. Duket sikur njeriu ka disa detyrime ose disa borxhe që duhet t’i kthejë në jetën e tij. Ka shumë njerëz që nuk i kthejnë gjithë jetën, ka njerëz të tjerë që mundohen t’i kthejnë deri diku. Mua më dukej sikur ky libër ishte, si të thuash, borxhi më i madh që unë kisha, që duhet ta ktheja mbrapsht. Më pas njeriu bën jetën e tij, vazhdon rrit fëmijët, bën karrierë, ecën përpara, por në njëfarë mënyre, kjo që unë bëra, ishte një borxh që ia kisha fëmijërisë. Çfarë është në fakt? Është një libër, që, si shumica nga ju, që mund të jenë rritur me gjyshen, stërgjyshen, e dinë se sa shumë kanë ndikuar në jetën e tyre. Unë jam rritur nga stërgjyshja ime që kishte një motër dhe një kushërirë me të cilën po ashtu ishin të lidhur me një krushqi. Është historia tipike, nuk ka rëndësi është stërgjyshja ime apo e dikujt tjetër, është historia tipike se si njeriu vjen dhe shpeshherë ikën nga kjo jetë. Kur ajo lindi, ishte vajza e një prej njerëzve më të fuqishëm dhe të pasur të Tiranës, me një nënë po aq të pasur po ashtu, një fëmijë që dukej sikur kishte të gjithë atë që quhej fatin e madh në jetë, kishte lindur në një familje të pasur e të fuqishme. Më pas, pak nga pak, çdo ditë që kalonte, fillonte dhe bjerrej. U bjerr fuqia politike e familjes, për arsye se Tirana u bë kryeqytet dhe Toptanasit që dominonin qytetin, filluan ta humbnin fuqinë përballë qeverisë qendrore, pastaj filloi të bjerrej fuqia politike e plotë, sepse Zogu anashkaloi dhe la mënjanë familjen e saj. Pastaj erdhi komunizmi, që çfarë kishte lënë Zogu në pjesën politike, i griu dhe në pjesën ekonomike. Jeta e saj ishte shumë dramatike, sepse u martua shumë e re, por burri i vdiq kur ishte 25 vjeç dhe duhet të rriste dy fëmijë. Unë u gjenda në jetën e saj në vitet e fundit të jetës, kur siç them unë, ishte zhveshur nga çdo gjë, nga pushteti dhe ambiciet e mëdha të familjes, ishte zhveshur nga pasuria që ia kishte marrë komunizmi dhe nga persekutimi, sepse ishte fundi dhe komunizmi i kishte harruar tanimë, kishte filluar të merrej me personazhe të tjera. Dhe pikërisht në fund të jetës së saj, tek të 70- at, filloi të jetonte. Pikërisht ky është një lloj shikimi i fateve njerëzore, unë e kam marrë bashkë me disa personazhe të tjera, midis tyre është një personazh që mua gjithmonë më ka nxitur fëmijërinë, i jashtëzakonshëm, që ishte vëllai i stërgjyshes sime që jetonte jashtë. Ai vinte gjithmonë në formën e një letre, që kishte një pullë spanjolle, dhe që ishte një fat i madh, sepse unë i shkulja pullën për koleksionin e pullave të postës. Kam bërë një research të plotë të gjërave, ky nuk është roman, nuk është libër me kujtime, është një gjë që kisha dëshirë ta shkruaja. Kur nisa ta shkruaja, nuk e dija si do dilte, nuk kisha subjekt në kokë. E nisa, më kujtohet si tani, sapo u ngrit avioni nga aeroporti i San Franciskos, isha në Ipad, ishte natë, do ulesha në Honolulu, për 6 orë kisha shkruar 2 kapitujt e parë. Është një gjë që rrjedh dhe njeriu e kupton kur një gjë rrjedh. Thellë-thellë e kisha brenda vetes dhe nuk kam ndaluar. E kam shkruar për dy muaj rresht, e lash më pas që të kisha një distancë kohore të nevojshme, ia dhashë pak njerëzve të cilëve u marr një mendim. Është një libër që mund ta quaj librin e jetës sime, pastaj mund t’i vë çdolloj titulli. Mund të ketë libra më të mirë se ai, jam i sigurt, të shkruar nga unë, por vet unë e konsideroj librin tim më të mirë. Besoj që do të botohet brenda fundit të shtatorit.

Prej vitesh tashmë, axhenda mediatike apo e emisioneve politike është e lidhur ngushtë me axhendën politike ose anasjelltas. Duke marrë parasysh që jemi në fillim të sezonit të ri mediatik për emisionin “Opinion”, përse numri i politikanëve sa vjen dhe rrallohet në TV?

Kjo vjen për shkak të audiencës, një problem që po bëhet më i ndjeshëm së fundmi. Në vitin 2008, në PS në fillim, e PD më vonë, u mor një vendim që askush nuk mund të vinte në emision pa patur një OK nga zyra e shtypit ose kryetari i partisë dhe këta drejtoheshin për tezat e tyre. Normalisht, interesi i politikanëve është që të këmbëngulin vetëm për një pikë, në mënyrë që ajo të ngelet në mendjen e njerëzve, ndërkohë kjo binte ndesh me atë që ne kërkonim në emision dhe filloi të merrte kosto në audiencë. Njerëzit nuk kuptonin më debatet, ishin të pashikueshme, pasi secili recitonte pjesën e tij pa patur një linjë për të kuptuar se çfarë po ndodhte. U detyruam të modifikojmë duke futur në krah të tyre gazetarë të cilët gjithsesi e çojnë debatin më kuptueshëm te publiku, por dhe kjo u bë e lodhshme se dukeshin si dy pjesë që nuk ngjiteshin me njëra-tjetrën. Tani ka një problem këtu, që vjen nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Pjesa më e madhe e politikës nuk vjen më për të folur për publikun, nuk ka më asnjë interes të testojë interesin te publiku. Pjesa më e madhe vjen dhe matet vetëm në raport me pëlqyeshmërinë e Kryetarit të Partisë që i vendos apo heq nga lista. Nëse Kryetari i thotë që je në rregull, dole mirë ose bravo, ai është në rregull. Nëse këta persona do votoheshin realisht, ose nëse do ishte me lista të hapura si dikur, këta do mundoheshin të llogarisnin pak më shumë impaktin që do të kishin te publiku dhe pëlqyeshmërinë në raport me publikun. Pëlqyeshmëria në raport me publikun te një pjesë e politikanëve është zero, në raport me pëlqyeshmërinë që ti ke te lideri. Pastaj, a është lideri që kalkulon sa i suksesshëm je ti te publiku, ky është një diskutim që s’mbaron në Shqipëri. Dikur, brenda platformës ideologjike të partisë së tyre, kishte politikanë që kishin ide edhe të ndryshme dhe diskutonin. Kurse tani janë fare uniformë, janë të njëtrajtshëm.

Për të kaluar pak tek aktualiteti politik. Vera nisi e nxehtë me zgjedhjet e qershorit ku opozita nuk mori pjesë, e cila më parë kishte lënë mandatet. Presidenti Meta dekretoi një datë tjetër për zgjedhjet. Duket sikur në këtë fillimshtatori, palët janë në “cepat” e tyre dhe nuk kanë dëshirë për të lëvizur. Mendon se do fillojë një qasje e re politike?

Unë pashë dje një lajm, një deklaratë të Palokës, por nuk jam shumë i sigurt, pasi e kam lexuar kalimthi në mënyrë të shpejtë, që thoshte “zgjedhjet e 30 Qershorit janë nul, zgjedhe të reja në pranverë, pavarësisht nëse rri apo jo Rama”, të atillë e kuptova nga leximi i lajmit, po duhet parë në kontekst. Kjo tregon një qëndrim të ri të opozitës, nga ai që nuk ka zgjedhje me Ramën; tregon që përgatitet për zgjedhje, duke menduar vjeshtën, si mundësia më e mirë për të rikuperuar çështjen e daljes nga Parlamenti. Nëse më pyet mua personalisht, mendoj që lënia e mandateve ka qenë veprim i gabuar, sepse mendoj që opozita, sidomos me publikimin e përgjimeve të zgjedhjeve, do ishte shumë herë më e fuqishme nëse do të bënte një aksion opozitar brenda Parlamentit, duke kërcënuar me moshyrje në zgjedhje. Por jo në këtë mënyrë, por duke kërcënuar derisa të plotësoheshin rregullat bazë. Ndoshta, djegia e mandateve ishte një veprim që u kalkulua duke menduar që kundërshtari do të dorëzohej më shpejt, ose ndoshta ishte një veprim i nxituar. Sepse ose dorëzon mandatet dhe sillesh si një forcë jashtë politike, ose qëndron në Parlament dhe ndjek rrugën parlamentare të denoncimeve dhe agresive. Këtu kishte një kontradiktë, nëse ti del nga Parlamenti dhe pastaj nuk e njeh jetën parlamentare, nuk merr pjesë në zgjedhjet lokale, nuk mund të thuash shiko se do i tërheq njerëzit e mi, nuk do bëj rrëmujë… s’qëndron. Nga ana tjetër, duhet të kemi parasysh që s’do të kemi kurrë një Shqipëri stabël pa pasur zgjedhje të pranuara nga të gjitha palët dhe të ndershme. Ne duhet t’i japim fund kësaj historie, është 20 vjet që ky vend nuk pranon zgjedhjet. Nuk ka rëndësi cila palë vjen, të gjitha, në një mënyrë ose në një tjetër, kanë pasur të drejtë për pretendimet e tyre. Nuk është i vlefshëm ai justifikimi që kështu ndodh në të gjithë botën. Shqipëria duhet të mësohet të bëjë zgjedhje dhe e fundit, Shqipëria duhet t’i japë fund pranisë së banditëve dhe njerëzve problematikë në jetën publike dhe sidomos atë të vendimmarrjes. Sot ke një Parlament, në të cilin të zë tmerri, dhe ai i mëparshmi, që të zë tmerri çfarë formimi kanë. Përfshirja në politikë e njerëzve me precedentë penalë, e njerëzve problematikë për shoqërinë, është modeli më i keq që mund t’u japësh sot të rinjve, studentëve. Unë di që çdo prind i thotë fëmijës, shkollohu, mëso, ec përpara se nuk ka rrugë tjetër veç shkollimit për të ecur përpara, ndërsa sot fëmija mund të të thotë që jo, qenka kjo rruga tjetër, e cila jep rezultate më shpejt dhe më të suksesshme. Kështu që pa u ndarë nga kjo periudhë, për mua e errët, e historisë 30- vjeçare postkomuniste, ne do kemi probleme të vazhdueshme.

Të vetmet mesazhe politike gjatë verës kanë qenë ato të Presidentit Meta, a mendoni që ai duhet të japë dorëheqjen nga ky post dhe të rikthehet në politikë?

Ilir Meta është moshatari im, kemi qenë në shkollë bashkë. Meta është ndër personazhet pak më të vështirë për t’u lexuar sepse në jetën e tij politike ka treguar momente të çuditshme, jo të uljeve dhe ngritjeve që janë karakteristike të politikanëve, por dhe një stil të çuditshëm të përqasjes ndaj fenomeneve. Ka bërë dorëheqje spektakolare kur nuk ka qenë e nevojshme, është rikthyer kur është dukur e pamundur. Në këto ditët e fundit, duhet të jesh Edi Rama që të kuptosh çfarë do të thotë Ilir Meta. Sepse shumica e mesazheve që komunikon Presidenti janë mesazhe për Ramën, kështu që s’di çfarë të them, çfarë do të thotë dhe çfarë jo. Herë më duket sikur do të negociojë, herë sikur do të mbrojë pozitat e veta, herë sikur ka kalkuluar gabim, por kjo është gjithmonë analizë.

U bë 6 vjet që Rama është në krye të qeverisë, me këtë lloj bilanci a mendoni se mund ta mbyllë këtë mandat të dytë?

Mendoj që Rama ka pasur probleme shumë të mëdha që në mandatin e parë të qeverisjes. Gjë që qeverive nuk iu shfaqen dukshëm në mandatin e parë, por në mandatin e dytë. Ky është një mandat që më shumë sesa të qeverisë, ka ndenjur për të balancuar goditjet politike dhe mediatike që ka marrë. Një pjesë e mandatit shkoi për të sqaruar çështjen e Saimir Tahirit, një pjesë për çështjen e Babales të Fatmir Xhafës, tenderin e Unazës së Re, së fundmi dalja e opozitës nga Parlamenti. Jo të gjitha varen nga qeveria, por problemi është që kjo qeveri nuk ka diktuar një axhendë të sajën. Rama në zgjedhjet e 2017 ka fituar me tepsinë dhe tenxheren, pa bërë asnjë premtim elektoral. Nëse ti sot bën një shikim të premtimeve elektorale, siç na ndodhi në 2017, që ne morëm çfarë kishte premtuar në fushatë dhe çfarë kishte bërë, ti sot nuk i gjen asnjë premtim. Ishte një fushatë folklorike që më shumë u mbështet te gallata, te tepsia, timoni, batutat folklorike, sesa te premtimet apo program i mirëfilltë. Sot, asnjë nga ju nuk mund të thotë çfarë ka premtuar qeveria. Kjo e bën shumë të vështirë kërkimin e llogarisë. Është një ngërç që zakonisht është një mallkim i mandatit të dytë, ndodh shpesh me gjithë kryeministrat, por ky e ka tejkaluar. Është një histori e mbushur me problematika të çuditshme që zakonisht i sjellin njerëzit me probleme. Është një baladë e Gëts, që shkon për të mbushur ujë në lumë, e nuk i ngre dot gjymat, ndaj thërret xhindet. Xhindet i morën gjymat, i çuan në shtëpi, po pastaj nuk dilnin më prej saj. Kjo është edhe historia e të fortëve që ti i thërret, i fut në Parlament e pastaj ata të krijojnë çdo ditë nga një histori të re, që ti duhet të justifikosh historitë e tyre dhe nuk arrin do të kesh axhendën tënde normale.

Në Partinë Socialiste, tashmë kemi një yll në ngritje, që është kryetari i Bashkisë së Tiranës. A e shikoni ju të mundshme projektimin e Erion Veliajt si Kryeministër apo si kryetar i Partisë Socialiste?

Erion Veliaj po krijon një profil jo të parëndësishëm politik. Ka shumë njerëz që e duan dhe shumë njerëz që nuk e duan. Kjo është një karakteristikë e liderit. Në fakt, njerëzit e pasuksesshëm i duan të gjithë, sepse nuk i prishin punë askujt. Veliaj është duke ecur me hapa të sigurt, ka krijuar një popullaritet, por nuk e di pastaj se sa mund ta mbajë këtë popullaritet. Në përgjithësi, kryetari i bashkisë është gjithmonë popullor. Kushdo që është kryetar bashkie dhe nuk ka një ngarkesë tjetër politike, është popullor. Rama e mori ngarkesën kur u bë kryetari i PS-së, Basha kur u bë kryetari i PD-së, dhe nuk e di se sa do ta mbajë peshën e kësaj ngarkese, kur do dalë në një lojë më kombëtare. Por brenda Partisë Socialiste, Veliaj është evidentuar si pasardhësi më i mundshëm i Ramës në parti. A do ta arrijë këtë, rrethanat jo gjithmonë janë të favorshme. Edhe Meta dukej pasardhësi i sigurt i Nanos, por që rrethanat nuk e vërtetuan këtë, pra, nuk ka një person tjetër që mund të jetë evidentuar. Nëse te Partia Socialiste është evidentuar Veliaj, te Partia Demokratike nuk shoh një personazh tjetër që të jetë konkurrent me Bashën.

Muajt e fundit është diskutuar shumë për çështjet e kufirit të Kosovës, ju Z. Fevziu jeni për një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, pavarësisht humbjeve apo fitoreve, që i jep fund çështjes më të nxehtë të Ballkanit apo jeni për negociata të vazhdueshme?

Së pari, me sa jam unë në dijeni, të gjitha palët në Kosovë janë për një marrëveshje me Serbinë. Çështja është se si do jetë kjo marrëveshje, në çfarë forme do të jetë ajo? Njëra palë pretendon për një marrëveshje pa kushte me Serbinë, kurse pala tjetër pretendon me një marrëveshje që të zgjidhë një mosmarrëveshje shekullore. Kjo është një çështje pak e vështirë për ta diskutuar. Unë kam gati një libër që do ta botoj më vonë për disa arsye specifike, që lidhet me luftën e Kosovës, rolin e Hashim Thaçit dhe gjithë panoramën që ka ndodhur në vitet ‘97-‘99 në Kosovë. Në vitin 1999, Kosova ka qenë e ndarë me thikë midis njerëzve që mendonin se nuk duhet të kishte marrëveshje në Rambuje dhe të tjerët që të kishte një marrëveshje në Rambuje, atyre që mendonin se nuk duhej shkuar në Rambuje dhe atyre që mendonin se duhej shkuar. Unë mendoj që të gjitha palët mendojnë se versioni i tyri është më i drejti. Nuk mendoj se kjo e gjitha ndahet në tradhtarë dhe patriotë, siç po tentohet të ndahet është non sens. Unë mendoj se ka dy palë që të çojnë në zgjidhje të ndryshme. Le t’i kthehemi çështjes së shkëmbimeve të territoreve, pasi kjo është pjesa më e ndjeshme. Në qoftë se marrëveshja e Serbisë me Kosovën do të bëhet nën një mbikëqyrje të plotë ndërkombëtare, të BE dhe ShBA-së, unë nuk do të shikoja asnjë problem që marrëveshja të arrihej edhe shkëmbim territoresh, ku palët të ishin dakord dhe komuniteti ndërkombëtar të lehtësonte dhe ta bekonte këtë marrëveshje. Kjo që po them, unë duket shumë ideale, por kjo do të zgjidhte një konflikt të vazhdueshëm në Kosovë. Duhet të kemi parasysh një gjë. Në intervistën e fundit të jetës së tij për VIP e Beogradit, Millosheviçi i ka thënë kryeredaktorit të gazetës, unë kam bërë një zgjedhje. Pse nuk e firmosa Rambujenë, pasi në të gjitha rastet unë isha i humbur nëse shqiptarët firmosnin. Në qoftë se edhe unë do firmosja, trupat e NATO-s do të hynin në Kosovë, do të merrnin territorin dhe me anë të një referendumi do të na e merrnin prapë Kosovën. Edhe po mos të firmosja, sërish trupat e NATO-s do të bombardonin dhe do hynin në Kosovë dhe prapë do e kishim humbur. Duke mos e firmosur, fëmijët dhe nipërit tanë do të kenë një shans për ta rimarrë prapë Kosovën si diçka që u është marrë me pa të drejtë. Pra, në njëfarë mënyre, Millosheviçi ka lënë mbrapa idenë se kjo që ka ndodhur me Kosovën mund të kthehet mbrapsht me një koniekturë të re gjeopolitike. Në këtë aspekt, mbyllja sa më shpejt e kësaj situate do të ishte në favorin e shqiptarëve. Duhet të kemi parasysh një gjë. Unë nuk e kam laburuar ndonjëherë, por e mendoj shpesh që ne kemi pasur një raport 25-vjeçar brilant të mbështetjes ndërkombëtare, raport i viteve 1999-2015 nuk u vjen më Shqipërisë apo më saktë shqiptarëve, për arsye të disa rrethanave të krijuara. Ne ishim një shtet antiamerikan me politikën zyrtare të kohës dhe befas kthehemi një nga aleatët dhe mbështetësit kryesorë të SHBA-së. Një vend që merr një mbështetje të jashtëzakonshme ndërkombëtare, kryesisht amerikane, një vend që filloi të kishte më shumë avantazhe sesa Greqia, Serbia po e po dhe ne arritëm diçka që shumë vende të tjera të botës nuk e arrijnë dot. Pavarësia e Kosovës është gati-gati një mrekulli, që në rrethanat e sotme nuk do të ndodhte më. A e imagjinon dot dikush që me fuqinë e sotme të Rusisë, pasi në atë kohë Rusia e Jelcinit ishte shumë e dobët financiarisht dhe varej shumë nga ndihmat e FMN-së, do lejonte një bombardim?! A e mendoni sot se Amerika e Trump dhe shtetet europiane do të bashkoheshin sot për një luftë morale, sepse lufta në Kosovë ishte e tillë, pasi askush në atë kohë nuk kishte interesa të mirëfillta, duket pothuajse e pamundur. Pra, ne kemi shpenzuar një 25-vjeçar të jashtëzakonshëm që na ka dhënë gjënë më të rëndësishme, atë të pavarësisë së Kosovës. Natyrisht, momentet që do vijnë nuk do jenë të gjitha momentet më të mira për ne.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat