A e dini sa internet harxhon një shqiptar çdo muaj nga celulari

Shqipëria

A e dini sa internet harxhon një shqiptar çdo muaj nga celulari

Më: 7 shtator 2019 Në ora: 14:01
Foto ilustrim

Të dhënat nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare tregojnë se përdorimi i internetit me brez të gjerë nga rrjetet celulare po rritet me ritme të shpejtë.

Çdo shqiptar konsumon afërsisht 3 GB (gigabyte) internet çdo muaj me telefonin e tij celular.

Sipas statistikave të tremujorit të dytë të këtij viti, konsumi mesatar i internetit nga rrjetet celulare u rrit me 14% krahasuar me një vit më parë.

Sipas AKEP, janë rreth 1.75 milionë shqiptarë që kanë akses në internet 3G dhe 4G nga aparatet celularë. Në fakt, kjo shifër i referohet kartave SIM aktive që i përdorin këto shërbime. Heqja dorë nga përdorimi i disa numrave celularë ka bërë që numri i kartave SIM aktive të bjerë në dy vitet e fundit, çka është reflektuar edhe në statistikat e përdoruesve të internetit nga këto rrjete. Por, rritja e trafikut të internetit dëshmon se, në fakt, përdorimi i shërbimit është në rritje.

Shërbimi i internetit ka marrë shtysë të fuqishme nga teknologjia 4G dhe shtimi i telefonave inteligjentë. Pritet që vitin e ardhshëm të hidhen hapat e parë në drejtim të ofrimit të frekuencave për brezin e gjeneratës 5G. AKEP i ka kërkuar zyrtarisht Ministrisë së Infrastrukturës lirimin e spektrit që duhet të përdoret për gjeneratën 5G të shërbimeve celulare. Frekuencat që do të përdoren për këtë qëllim janë ato të brezit 700 Mhz. AKEP kërkon që këto frekuenca të lirohen brenda datës 30 qershor 2020, në linjë me afatet që përcaktuar edhe Bashkimi Europian për vendet anëtare.

Rrjetet e gjeneratës 5G janë ende në hapat e parë të përdorimit për ofrimin e shërbimeve komerciale edhe në tregje më të zhvilluara. Zhvillimi i shpejtë i shërbimeve që mbështeten te interneti me brez të gjerë nga rrjetet celulare po sjell një nevojë në rritje për më shumë kapacitete transmetuese. Për më tepër, në Shqipëri rrjetet e lëvizshme janë një alternativë e rëndësishme, për shkak të depërtimit ende të ulët të linjave fikse, sidomos jashtë qendrave të mëdha urbane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat