73 vite nga kryengritja e Postribës, PD: Patriotët do na qortonin rëndë po të shihnin se sot…

Shqipëria

73 vite nga kryengritja e Postribës, PD: Patriotët do na qortonin rëndë po të shihnin se sot…

Më: 9 shtator 2019 Në ora: 15:43
Foto

Sot bëhen 73 vite nga kryengritja e Postribës dhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi, Kryetarja e Lëvizjes Demokratike të Gruas Shqiptare, Albana Vokshi, Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi, përfaqësues të shoqatave antikomuniste në Shqipëri dhe pushtetit lokal morën pjesë në përkujtimoren e 73 vjetorit të kryengritjes së Postribës.

Në këtë aktivitet Basha nuk ishte i pranishëm pasi siç PD njofton ndodhet në një aktivitet jashtë Shqipërisë. Në emër të PD, Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi, tha se 73 vite më pas, kryengritja e Postribës “thërret për të luftuar për lirinë, për të mos pranuar sundimin”.

“Kam frikë se patriotët e kryengritjes së Postribës, do të na qortonin rëndë po të shihnin se sot sërish është në rrezik dhe luhet me këtë liri fondamentale, me vlerat kryesore të qytetërimit. Ne kujtojmë, por respekti më i madh për atë lëvizje, për atë kryengritje do të ishte nëse angazhohemi të gjithë që regjime e sundime të tjera të mos instalohen më në vendin tonë. Të mos lejojmë më hordhi e brigada të krimit, që marrin pushtetin me çdo kusht e shtypin pastaj qytetarët e tyre”, tha Bardhi.

FJALA E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PARTISË DEMOKRATIKE

Të dashur vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj

Fillimisht dua t’ju përcjell përshëndetjet e përzemërta të Kryetarit të Partisë Demokratike z. Basha, i cili për shkak se ndodhet në një aktivitet jashtë Shqipërisë e kishte të pamundur të ishte këtu sot me ju.

Unë ndjehem i privilegjuar që përfaqësoj Partinë Demokratike në këtë aktivitet të organizuar në kuadër të kësaj dite përkujtimore, sepse 9 shtatori, për çdo malësor, për çdo shkodran, për çdo qytetar të vendit, por sidomos për ne demokratët, është një moment i rëndësishëm për të përkujtuar atë që ndodhi këtu, kryengritjen e parë antikomuniste nëEuropë.

Politikisht, ne demokratët, mund ta themi me bindjen e plotë dhe me krenari, se jemi bijtë e asaj lëvizje që ndodhi 73 vite më parë.

Ne demokratët e kemi vijuar, e kemi pasur në ADN-në tonë mesazhin, amanetin e atyre burrave që dhanë jetën për liri.

Atë që nisën ata, e realizuan shqiptarët në vitet‘90.

Sot me nderim përkulemi përpara qindra intelektualëve, klerikëve dhe burrave trima tëPostribës që frymëzuan dhe realizuan kryengritjen e parë antikomuniste nëEuropë. Që tronditi nga themelet regjimin gjakatar, që kishte vënë në shënjestër patriotët e Shqipërisë, që donin vendin të lirë, demokratik dhe të pavarur.

Vlerësim maksimal për ata burra që të parët e ndjenë, e kuptuan se çfarë e keqeje po i vinte vendit, dhe këtë e kuptuat herët, qysh në ditën e parë, dhe rezistuan e u sakrifikuan në vitin 1946.

73 vite më pas, kryengritja e Postribës mbetet aktuale; sepse na thërret për të qëndruar sërish, për të luftuar për lirinë, për të drejtat humane, përkushtimin për të mos pranuar sundimin.

Sepse edhe sot, kemi në fuqi një regjim që po sfidon çdo ditë, të drejtat, liritë dhe vlerat tona europiane.

Kemi në emër të çdo demokrati, nderimin më të thellë para çdo patrioti të kombit, para Postribës, para trimave tëPostribës, që 73 vite më parë e paguan me gjakun e burrave të kësaj treve, përpjekjen për liri.

Kurajoja e Postribës, tregoi se komunizmi nuk ishte zgjedhja e këtij populli, por një sundim që u vendos me dhunë, që ishte gati të bënte gjithçka për pushtet.

Ne s’mund të harrojmë dhe kemi shumë për të mësuar nga ajo kurajo e atyre që i bënë ballë terrorit dhe barbarive komuniste që e kishin vendosur në shënjestërPostribën e Shkodrën, duke vrarë e prerë, torturuar, burgosur e internuar.

Një lëvizje që u pa dhe u shënua edhe ndërkombëtarisht, duke i treguar gjithëbotës se çfarë sistemi gjakatar po instalohej në Shqipëri.

Ai vizion, ajo rezistencë janë një leksion i përhershëm, sepse liria nuk është e dhënë një herë e mirë dhe s’mund ta marrim të mirëqënë, sepse qytetarët rrezikohen gjithnjë nga qeveritë shtypëse.

Ai vizion dhe ajo kurajo na lypset edhe sot, pasi një prej të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, e drejta për të votuar dhe zgjedhur të lirë, është cënuar dhe është goditur thellë, këtu, në Shkodër dhe në mbarë vendin. Dhe kjo ndodh prej kësaj qeverie në mënyrë të përsëritur edhe sot, çdo ditë.

Kam frikë se patriotët e kryengritjes së Postribës, do të na qortonin rëndë po të shihnin se sot sërish është në rrezik dhe luhet me këtë liri fondamentale, me vlerat kryesore të qytetërimit.

Ne kujtojmë, por respekti më i madh për atë lëvizje, për atë kryengritje do të ishte nëse angazhohemi të gjithë që regjime e sundime të tjera të mos instalohen më në vendin tonë.

Të mos lejojmë më hordhi e brigada të krimit, që marrin pushtetin me çdo kusht e shtypin pastaj qytetarët e tyre.

Ju e dini mirë, dhe unë ju siguroj në emër të Partisë Demokratike se ka nisur numërimi mbrapsht i kohës së bijve të etërve.

Me burrat e gratë e Postribës, me të rinjtë e të rejat, me malsorët me shkodranët dhe me çdo qytetar kudo në vend do t’i japim fund këtij regjimi të korruptuar e kriminal, e do t’i hapim sërish Shqipërisë rrugën europiane.

Lavdi përjetë martirëve të Postribës

Zoti ju bekoftë,Postribën, Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat