Kur Palmer “ndalte” dhunën/ Mesazhi amerikan para protestës së opozitës

Shqipëria

Kur Palmer “ndalte” dhunën/ Mesazhi amerikan para protestës së opozitës

Më: 9 shtator 2019 Në ora: 16:18
Mathew Palmer

8 qershori i vitit 2019 erdhi mes tensionit për protestën e opozitës. Nën zë flitej për një ditë që do ishte shumë e tensionuar, por në mëngjes presidenti Ilir Meta doli dhe lajmëroi se anulonte me dekret zgjedhjet e datës 30 qershor. Kreu i shtetit tha se vendi po shkonte drejt zgjedhjeve monopartiake. Ai e sqaroi vendimin e tij dy ditë më pas në një konferencë për shtyp.

“Kam vendosur që të dekretoj shfuqizimin e dekretit numër 10928 datë 5.11.2018 për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore dhe anulimin e datës 30 qershor 2019 si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, u shpreh Meta.

Këtë vendim të presidentit, kryeministri Edi Rama e mësoi gjatë fjalës elektorale që po mbante në Berat. Ai tha se zgjedhje do të ketë dhe nuk habitet nga vendimi i presidentit. Rama e cilësoi veprimin e kreut të shtetit si vetëvrasje politike.

“Zoti President paska shfuqizuar datën e zgjedhjeve. Përsëri gabim dhe përsëri po ju them zgjedhjet do bëhen në 30 qershor”, deklaroi Rama.

Në edicionin informativ të orës 12:00 të po asaj dite, Top Channel transmetoi intervistën ekskluzive të zëvendësndihmës sekretarit amerikan të shtetit Methju Palmer. Në intervistën dhënë gazetarit Muhamed Veliu, Palmer bëri një paralajmërim shumë të fortë:

Methju Palmer: Më lejoni të jem shumë i qartë: dhuna nuk ka vend në demokraci. Shtetet e Bashkuara respektojnë të drejtën Demokratike të qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore. Megjithatë, përdorimi i përleshjeve fizike apo mjeteve shpërthyese si mjete proteste është jo vetëm jodemokratik, por është edhe i paligjshëm.

Shënjestrimi me fishekzjarre dhe Molotov i oficerëve të policisë dhe ndërtesave publike nuk janë akte paqësore. Ata që përfshihen në aktivitete të tilla të dhunshme kryejnë krim dhe duhet të mbajnë përgjegjësi. Iu kemi bërë thirrje në mënyrë të përsëritur udhëheqësve të opozitës, sidomos Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe Kryetares së LSI Monika Kryemadhi që të dënojnë publikisht aktet e mbështetësve të tyre, të bashkëpunojnë me hetimet që synojnë të identifikojnë autorët individualë dhe vënien e tyre para përgjegjësisë, si dhe të sigurojnë që të gjitha protestat e ardhshme publike të jenë të rregullta dhe paqësore. Dhuna e ushtruar nga protestuesit është në kundërshtim me synimet e deklaruara të partive opozitare për të pasur një demokraci të fortë europiane.

Megjithatë, pasditen e së shtunës së 8 qershorit, protesta nisi. Lulzim Basha përshëndeti vendimin e presidentit për të anuluar zgjedhjet.

“Presidenti i Republikës ka marrë vendimin për anullimin e 30 qershorit”, u shpreh Basha.

Pas demostrimit të forcës së numrave me dritat e celularëve ndezur, mbrëmjen e 8 qershorit, nisën sërish trazirat para Kuvendit.

Sërish atë ditë presidenti bëri thirrje për qetësi dhe vetëpërmbatje. Kryetari demokrat i tërhoqi protestuesit në oborrin e selisë së PD-së, duke e mbyllur atë ditë të gjatë e plot tension e akte politike, me këndimin e himnit të flamurit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat