“A je në konflikt interesi me aktin e shtyerjes së zgjedhjeve?” Presidenca sqaron pse Meta iu ‘shmang’ pyetjes në komision

Shqipëria

“A je në konflikt interesi me aktin e shtyerjes së zgjedhjeve?” Presidenca sqaron pse Meta iu ‘shmang’ pyetjes në komision

Më: 9 shtator 2019 Në ora: 19:48
Ilir Meta

Një ndër pyetjeve të bëra në komisionin hetimor ndaj tij, Presidenti Meta preferoi të mos i japë përgjigje e teksa kanë kaluar tashmë mëse 7 orë nga përfundimi i raportimit të tij, zëdhënësi i Presidencës e ka bërë me dije një përgjigje mbi pyetjen nëse Kreu i Shtetit ishte në konflikt të hapur interesi me vendimin për të shtyrë datën e zgjedhjeve

REAGIMI:

I pyetur nga media, lidhur me arsyen e mungesës së një përgjigjeje të drejtpërdrejtë të Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, ndaj pyetjes së një deputeti se: “A ishte Kreu i Shtetit, në konflikt interesi me vendimin për të shtyrë datën e zgjedhjeve?”, Zëdhënësi z.Tedi Blushi sqaron se:

Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, qëllimisht e shmangu përgjigjen e drejtpërdrejtë ndaj pyetjes së deputetit në fjalë, për të mos e dëmtuar atmosferën konstruktive të mbledhjes ku ishte i ftuar.

Kjo për arsyen se të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, përfshirë edhe ata që ankohen sot për dekretin e shfuqizuar të 30 qershorit, janë minimalisht në konflikt të dyfishtë dhe të drejtpërdrejtë interesi.

Së pari, sepse çdo deputet i Kuvendit e ka fituar mandatin e tij nga një proces zgjedhor i shtyrë, nga data 18 qershor 2017 në 25 qershor 2017, me Dekretin Nr. 10351, datë 21.05.2017, të ish-Presidentit Nishani.

Së dyti, deputetët e pranishëm sot në seancën dëgjimore, janë njëherazi edhe votues të rezolutës së Kuvendit të datës 13 qershor ku është shprehur gjykimi mbi aktet e Kreut të Shtetit, edhe anëtarë të komisionit të posaçëm, papajtueshmëri kjo që është e ndaluar nga rregullorja e Kuvendit dhe ligji.

Së treti, vetë deputeti që adresoi pyetjen, është në një situatë të katërfishtë të konfliktit të interesit:

1. Ka marrë mandatin nga zgjedhje të shtyra me dekret të Presidentit.

2. Ka votuar pro miratimit të rezolutës së datës 13 qershor 2019.

3. Ka nënshkruar kërkesën fillestare për verifikimin e ligjshmërisë së akteve të Presidentit.

4. Aktualisht është edhe kërkues, edhe vlerësues i kërkesës që po vetë ka firmosur, për vlerësimin e ligjshmërisë së akteve të Presidentit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat