Në afërsi të Lezhës gjenden 74 predha të Luftës së Dytë Botërore

Shqipëria

Në afërsi të Lezhës gjenden 74 predha të Luftës së Dytë Botërore

Më: 9 shtator 2019 Në ora: 21:15

74 predha luftarake u gjetën nga forcat e armatosura në një zonë të banuar, në fshatin Manati të Lezhës. Sipas zyrtarëve të Ministrisë shqiptare të Mbrojtjes predhat janë të kalibrit 150 milimetër dhe me peshë 50 kilogram secila.

Nga një vlerësim paraprak i ekspertëve të kësaj ministrie, dyshohet se predhat i përkasin periudhës së Luftës së Dytë Botërore.

Ekipe të forcave xhenjere kanë bërë të mundur largimin e predhave nga zona e banuar duke shmanguar rrezikun për banorët. Bëhet e ditur se 74 predhat luftarake janë zhvendosur në një poligon të posaçëm, ku edhe do të asgjësohen.

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se, që nga fillimi i këtij viti, forcat xhenjere kanë kryer 75 operacione për asgjësimin e 16 ton municioneve të rrezikshme.

Pak muaj më parë, një numër predhash luftarake u gjetën në afërsi të qytetit të Shkodrës, në fshatin Dobraç, të cilat u zhvendosën nga ekspertët e forcave të armatosura.

Në të gjithë territorin e Shqipërisë vazhdojnë të gjenden predha dhe municione luftarake që i përkasin periudhës së Luftës së Dytë e Botërore, por edhe ngjarjeve të dhunshme të vitit 1997, kur në të gjithë territorin e Shqipërisë u shpërthyen depot e ushtrisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat