Mbështetja e SHBA për mbrojtjen, Xhaçka: Mirënjohje për aleatin më të madh të shqiptarëve

Shqipëria

Mbështetja e SHBA për mbrojtjen, Xhaçka: Mirënjohje për aleatin më të madh të shqiptarëve

Më: 10 shtator 2019 Në ora: 15:50
Olta Xhaçka

Miliona dollarë investime dhe qindra projekte që kanë modernizuar ndjeshëm Forcat e Armatosura Shqiptare duke kulmuar me bazën e ardhshme ajrore të NATO-s në Kuçovë.

Kjo është vëmendja që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë treguar për Shqipërinë, vëmendje e cila në dy vitet e fundit ka shënuar një nivel shumë domethënës. Në shenjë vlerësimi për kontributin e SHBA në fushën e sigurisë e mbrojtjes në Shqipëri, në një ceremoni ku merrte pjesë edhe e dërguara me punë e SHBA-së Leyla Moses Ones, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, nderoi me Medaljen e Mirënjohjes, Zyrën e Atasheut Ushtarak të SHBA në Tiranë dhe Zyrën e Bashkëpunimit Ushtarak në Tiranë.

“Siç kam pasur rastin ta bisedoj gjatë të dy vizitave që kam zhvilluar me homologët e mi në Pentagon, në terma të kontributit për frymë Shqipëria renditet e dyta pas SHBA.Vitet 2018 dhe 2019 shënuan një periudhë jashtëzakonisht të suksesshme për këtë bashkëpunim sepse investimet e SHBA në fushën e mbrojtjes në Shqipëri nuk kanë njohur asnjëherë një vëmendje më të madhe. Forcat tona të Armatosura janë duke u shndërruar sot në një forcë ushtarake moderne, me një nivel profesionalizmi që i lejon të marrë pjesë në misionet e NATO krah për krah me kolegët tanë amerikanë e europianë”, u shpreh Ministrja e Mbrojtjes.

Ajo nënvizoi kontributin e SHBA në reformën në drejtësi.

“Sot, kur falë mbështetjes së vendosur e të pakursyer të partnerëve tanë amerikanë, Shqipëria po hyn në fazën më jetike të zbatimit të reformës në drejtësi, është fare e qartë për çdo qytetar shqiptar sesa e rëndësishme është kjo mbështetje dhe çfarë roli vendimtar kanë luajtur e vazhdojnë të luajnë Shtetet e Bashkuara në mbështetje të aspiratës së shqiptarëve për të ndërtuar një shtet e një shoqëri evropiane, të bazuar tek sundimi i ligjit dhe vlerat e parimet e demokracisë”, nënvizoi Ministrja e Mbrojtjes.

Sipas Ministres Xhaçka, ashtu siç kanë treguar gjatë këtyre viteve se dinë të jenë partnerë të përgjegjshëm dhe besnikë, të vendosur për të përmbushur detyrimet e pritshmëritë që kanë aleatët, po njësoj FA do të vazhdojmë edhe në të ardhmen të japin kontributin e tyre në çdo mision apo situatë ku do të jetë e nevojshme për të garantuar sigurinë e SHBA, aleancës dhe rajonit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas të ngarkuarës me punë Leyla Moses – Ones përgëzojnë Shqipërinë për angazhimin e saj për bashkëndarjen e barrës për NATO-n dhe mbështet përpjekjet e saj të vazhdueshme deri në vitin 2024.

“Shtetet e bashkuara mbështesin Forcat e Armatosura shqiptare sepse kanë treguar pafundësisht ndër vite, se janë të gatshme, të përgatitura dhe të afta të luftojnë krah për krah me trupat amerikane dhe të NATO-s, kudo në çdo kohë dhe në çfarëdo kushtesh. Për më tepër Shqipëria ka respektuar zotimet samitit të Ëellsit dhe vazhdon të ris shpenzimet për mbrojtjen kombëtare drejt qëllimit të 2 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto”, u shpreh e ngarkuara me punë e SHBA.

Kontributi i SHBA për fushën e mbrojtjes e sigurisë në Shqipëri shtrihet që nga automjetet e blinduara për grup batalionin e këmbësorisë së lehtë, qendra për reagimin kibernetik, trajnimi dhe arsimimi i efektivëve, pajisja e Forcës Ajrore me helikopterë BlackHawk, projektet në sistemin e ndërlidhjes apo pajisjet me vlerë se 1 milion dollarë për përgjigjet ndaj përmbytjeve dhe më shumë se 800 milion dollarë ndihmë humanitare çdo vit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat