Hetimi për Tahirin i vështirë, nuk ka arritur të provojë dy akuza

Shqipëria

Hetimi për Tahirin i vështirë, nuk ka arritur të provojë dy akuza

Më: 10 shtator 2019 Në ora: 20:40
Pamje nga emisioni

Gazetari dhe redaktori i lajmeve në RTV Ora, Trashgim Sokolaj tha se hetimi për ish-ministrin Tahiri ka qenë shumë i vështirë. I ftuar në studion e lajmeve, Sokolaj u shpreh se hetimi nuk ka arritur të provojë dy prej akuzave ndaj ish-ministrit. Atë të të pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal dhe trafikimin e narkotikëve të kryer në bashkëpunim.

Trashgim Sokolaj: Ato prova që prokurorët citojnë telegrafikisht në këtë  pretencë tregojnë për një hetim shumë të vështirë. Një hetim që për mendimin tim nuk ka arritur që të provojë dy prej akuzave ndaj ish-ministrit Tahiri, atë të pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal dhe trafikimin e narkotikëve të kryer në bashkëpunim. Kodi i procedurës penale por edhe praktika gjyqësore në Shqipëri ka përkufizime të qarta se çfarë do të thotë të akuzohesh për këto dy vepra. Të akuzohesh si anëtar i një grupi kriminal apo për kryerje të krimeve në kuadër të grupit kriminal do të thotë që ti të jesh pjesë e atij grupi me detyra të ndara. Të kesh marrë detyra nga ata që janë mbi ty në hierarkinë e grupit dhe të kesh përçuar detyrë tek ata që janë poshtë. Për këto veprime të kesh pasur përfitime financiare dhe të kesh pasur një rol të përcaktuar dhe të pranuar nga anëtarët e tjerë të grupit. Në rastin konkret duket që kjo nuk është provuar për zotin Tahiri. 

Sa i përket vendimit, Sokolaj tha se Tahiri mund të dënohet vetëm për akuzën e korrupsionit.

Trashgim Sokolaj: Pritshmëria ime personale është që zoti Tahiri me këtë nivel provash mund të merret me përgjegjësi sa i përket njërës prej veprave, ajo që ka të bëjë me korrupsionin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat