Zgjedhjet e 30 qershorit, PD: Grupet e numërimit kanë manipuluar shifrat

Shqipëria

Zgjedhjet e 30 qershorit, PD: Grupet e numërimit kanë manipuluar shifrat

Më: 11 shtator 2019 Në ora: 19:11
Oerd Bylykbashi, Ivi Kaso

 Partia Demokratike ka publikuar sot prova, që sipas saj, tregojnë si u manipulua procesi i votimit të 30 qershorit nga mazhoranca.

Ish-deputeti Oerd Bylykbashi i cili shoqërohej dhe nga Sekretari për Zgjedhjet në PD, Ivi Kaso, solli me foto disa raste, që sipas PD, provojnë manipulimin e votave të 30 qershorit nga mazhoranca.

Bylykbashi tha se disa nga provat që tregojnë manipulimin janë: fletët e votimit janë marrë në grup, janë plotësuar fletë votimi bosh, janë mbushur kutitë e votimit nga komisionerët socialistë.

Ai ka deklaruar se komisionerët e PS-së kanë bërë shkelje të llojeve të ndryshme, që nga rrija e pjesëmarrjes deri në manipulimin e numërimit të votave. Ai ka publikuar një sërë të dhënash nga numërimi i votave në qarqe të ndryshme që sipas tij janë bërë manipulime.

“Grupet e numërimit dhe KZAZ-të kanë manipuluar shifrat që kanë dalë nga numërimi i çdo tavoline. Fletët e votimit janë marrë në grup dhe nuk janë numëruar veç e veç shpeshherë. Ka fletë votimi të numëruara jashtë kamerave. Janë plotësuar fletë votimi bosh në tavolinat e numërimit. Në kutitë e votimit janë gjetur fletë pa vula. Kutitë janë mbushur nga komisionerët socialistë”, tha Bylykbashi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat