Mënyra e re si shqiptarët përfitojnë azil në një nga vendet e BE

Shqipëria

Mënyra e re si shqiptarët përfitojnë azil në një nga vendet e BE

Më: 14 shtator 2019 Në ora: 12:26
Foto ilustrim

Emigrantët shqiptarë janë në kërkim të alternativave të tjera për të siguruar marrjen e azilit në një nga vendet e Bashkimit Evropian. Mediat italiane e sjellin në vëmendje këtë fakt, teksa shkruajnë se shtetasit nga Shqipëria dhe Kosova po përdorin të miturit, ose “fëmijët e pashoqëruar” duke bërë kështu automatikisht që ata të përfitojnë lehtësira si në shkollim, akomodim por edhe marrjen e shtetësisë me mbushjen e moshës madhore.

Metoda që përdoret është ajo ku prindërit nisen së bashku me fëmijët e tyre drejt vendeve të BE-së por në kthim i lënë minorët, atje duke ditur se ligji favorizon qëndrimin e tyre.

Mediat italiane kanë publikuar dhe disa raste ku fëmijët kryesisht të moshave 15 deri 17 vjeç, ndonëse janë nisur drejt fqinjëve me prindërit e tyre, pak para skadimit të lejes së qëndrimit paraqiten në polici duke deklaruar se janë të pashoqëruar. Në të gjitha rastet e hetuara, prindërit janë kthyer në vendet e origjinës.

Nga të dhënat statistikore, vetëm në Itali janë në proces integrimi 7580 të rinj nën moshën madhore, dhe mes tyre numri më i lartë janë nga Shqipëria dhe Kosova. Ndërsa po sipas shifrave, 1600 fëmijë shqiptarë të pashoqëruar enden rrugëve të Italisë.

Qeveria shqiptare ka bërë përpjekje për uljen e numrit të azilkërkuesve. Sipas Ministrisë së Brendshme, në vitin 2017 ka pasur numra në rritje të fëmijëve të pashoqëruar, por në dy vitet e fundit këto numra janë ulur, shkruan ‘shqip’.

Autoritetet policore shqiptare bëjnë të ditur se ka një numër të lartë fëmijësh edhe në Francë të pashoqëruar nga prindërit, të cilët përfshihen në procedurat e rikthimit në vendlindje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat