Socialdemokratët gjermanë: Negociata me kushte

Shqipëria

Socialdemokratët gjermanë: Negociata me kushte

Më: 14 shtator 2019 Në ora: 18:27
Foto ilustrim

Në Bundestagun gjerman janë shtuar zërat për një votim pro hapjes së negociatave me Shqipërinë. Por ky votim duket se do të jetë me kushte. Deputeti socialdemokrat, Christian Petry i tha Deutsche Welle-s pas takimit që Kryeministri Edi Rama pati me Kancelaren dhe deputetë të Bundestagut, se po shtohen gjasat që në datat 26 ose 27 Shtator, parlamenti gjerman të votojë për një ‘po’ të kushtëzuar.

Socialdemokratët dhe të gjelbrit kanë qenë optimistë vazhdimisht.

Për kushte flet edhe Ministri gjerman për Evropën, Michael Roth. Në një letër dërguar Bundestagut, ai përmend Reformën Zgjedhore, krijimin e SPAK-ut, Reformën në Drejtësi me procedimin e gjyqtarëve e prokurorëve të shkarkuar, funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe luftën kundër krimit e korrupsionit.

Kjo strategji e Bundestagut shihet edhe si mënyrë për të bindur Francën që procesi do të jetë i monitoruar në çdo etapë.

Për kushte në çdo hap të procesit të gjatë të negociatave foli edhe Kryeministri Rama nga Berlini.

“Sigurisht nuk bëhet fjalë për ta mbyllur procesin, por bëhet fjalë për të hyrë në një fazë të re, me kushte në çdo hap, sepse i gjithë procesi është i kushtëzuar, duhet të përmbushësh gjithmonë disa kushte për të shkuar një hap më tutje, pastaj disa kushte të tjera, pastaj disa të tjera”.

Por çfarë do të thotë hapje e kushtëzuar e negociatave? Që pas anëtarësimit të Kroacisë në Bashkimin Europian, Brukseli e nis hapjen e negociatave me kapitujt 23 dhe 24. Këta janë edhe kapitujt që e mbyllin procesin e gjatë të negociatave.

Negociatat bazohen mbi 35 kapituj. Kapitulli 23 mbi “Gjyqësorin dhe të drejtat themelore” dhe Kapitulli 24 mbi “Drejtësinë, lirinë dhe sigurinë”, janë themelore në këtë proces.

Ato adresojnë thuajse të gjitha kërkesat e mësipërme të Ministrit Roth. Përmbushja e kërkesave kryesore të këtyre kapitujve duket se do të jetë edhe kushtëzimi kryesor, përveç Reformës Zgjedhore, për të cilët do të duhet të gjejnë dakordësinë palët në Shqipëri.

Për hapje me kushte të negociatave foli të enjten në “Opinion”, edhe ish-Kryeministri Sali Berisha.

Në Tiranë mazhoranca e ka nënvizuar disa herë se hapja e negociatave varet nga zhvillimet e brendshme në Bashkimin Europian, pasi Shqipëria i ka përmbushur kushtet, siç thuhet në raport-progresin e Komisionit Europian. Ndërsa Presidenti Meta është shprehur serish skeptik së fundi për vendimin e Brukselit, teksa premtoi se do të dekoronte Kryeministrin nëse negociatat do të çeleshin në Tetor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat