Poliçan, policia ndalon pa asnjë shpjegim 12 shoferë të gurores

Shqipëria

Poliçan, policia ndalon pa asnjë shpjegim 12 shoferë të gurores

Më: 15 shtator 2019 Në ora: 21:37
Foto

12 shoferë të kamionëve të firmave të nxjerrjes së gurit dekorativ në fshatin Novaj janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Poliçan. Shoferët thonë se janë shoqëruar pa asnjë paralajmërim dhe pa u dhënë asnjë shpjegim.

Ata janë ndaluar që prej orës 12:00 të mesditës së sotme dhe aktualisht ndodhen brenda ambienteve të Komisariatit të Policisë në Poliçan. Në momentin e ndalimit shoferët kanë qenë duke zbritur me kamionë të ngarkuar dhe të gjithë kanë qenë të pajisur me dokumentacionin përkatës.

Pa asnjë arsye, forcat e shumta të policisë u kanë kërkuar shoferëve të fikin kamionët dhe pasi i kanë mbajtur disa orë në mal, i kanë shoqëruar në Policinë e Poliçanit.

Vetë drejtuesit e kamionëve dhe pronarët e firmave deklarojnë se ndalimi i tyre është në kundërshtim me ligjin pasi çdo biznes disponon dokumentacionin e plotë për të vijuar punën në rrasë e Novajt.

Në lidhje me arsyen e ndalimit të tyre, Drejtoria e Policisë së qarkut Berat nuk jep asnjë informacion.

Ngërçi mes policisë së Beratit dhe pronarëve të firmave të nxjerrjes së gurit dekorativ vazhdon prej më shumë se një muaji, kur Vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit hodhi poshtë VKM-në e qeverisë dhe u dha "OK" për fillimin e punës firmave të gurit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat