Deputeti i PS, Bushati ironizon Metën: Presidenti flet artistikisht

Shqipëria

Deputeti i PS, Bushati ironizon Metën: Presidenti flet artistikisht

Më: 16 shtator 2019 Në ora: 17:21
Ervin Bushati

Sekretari i Grupit Parlamentar të PS, Ervin Bushati ka hedhur poshtë akuzat e presidentit Ilir Meta për ngritjen e një “shteti paralel” në Shqipëri nëpërmjet koncesioneve PPP dhe aferave të tjera. Duke folur në emisionin “Top Talk” në Top Channel, Bushati theksoi se Partia Socialiste nuk pret më qëndrime të balancuara nga Presidenti, të cilin e konsideron “de facto” lider të opozitës.

“Ne nuk presim më qëndrime të balancuara të Presidentit, aq më tepër që kemi një vendim tonin politik mbi të cilin jemi bazuar kur kemi depozituar kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor dhe pse jo për të shkarkuar presidentin. Presidenti ka kohë që ka marrë mbi vete pelerinën e opozitarit dhe po bën më shumë opozitë sesa ata që janë kryetar ‘de jure’ të opozitës. Nëse kryetari i opozitës sot është Ilir Meta, nuk e di se çfarë quhen ata dy të tjerët”, tha Bushati.

I pyetur për deklarimin e Metës se mazhoranca e PS-së sot është një pakicë, Bushati tha: “Ky është koment artistik.”

“Pakicën dhe mazhorancën e përcakton vota e Denis Dyrnjasë dhe e gjithë qytetarëve në ditën e votimit. Pra nuk është koncept artistik dhe as politik. Mazhorancë është ajo që ka më shumë numra në Parlament”, tha ai.

“Presidenti mbi interesin e tij politik, nuk vuri dot interesat e qytetarëve. Të gjitha këto me duken më shumë në sensin e komenteve artistike sesa politike”, shtoi Bushati.

Sa i përket pretendimit se më 8 qershor, në protestën e opozitës, do të digjej Parlamenti, Bushati tha se Presidenti duhet të kishte njoftuar institucionet për këtë informacion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat