Deputeti gjerman: Ja arsyet se pse duhet të hapen negociatat

Shqipëria

Deputeti gjerman: Ja arsyet se pse duhet të hapen negociatat

Më: 18 shtator 2019 Në ora: 20:35
Patrick Ernest Hermann

Kryetari i Komisionit parlamentar për monitorimin e zgjedhjeve në Parlamentin gjerman Patrick Ernest Hermann Sensburg, ka vlerësuar procesin e implementimit të reformës në drejtësi.

Teksa çmoi punën e bërë nga ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, ai tha se reformat e ndërmarra nga Shqipëria në luftën kundër krimit dhe korrupsionit janë mjaft të rëndësishme në rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.

“Të jem këtu në këtë ndërtesë, më duhet të them se ndjehem mjaft i impresionuar teksa shoh në hyrjen e saj gjithë xhamin dhe mesazhin që mbart mbi transparencën. Kjo është më e rëndësishmja, një ndryshim se si një qeveri përpiqet të përmirësojë institucionet demokratike, qeverisjen demokratike dhe besoj se kjo godinë është gjithashtu një shenjë për mënyrën së si demokracia funksionon, e hapur me institucionet e përfshira. Duke sjellë këto tre institucione së bashku nën një çati dhe ky është një ndryshim i vërtetë”, u shpreh Sensburg.

Sa i përket integrimit ai nënvizoi se Shqipëria ka marrë nisma pozitive që janë 100% në drejtimin e duhur.

“Shqipëria nuk i ka përmbushur 100 % kushtet të shkruara në letra dhe unë mendoj se asnjë vend nuk i ka përmbushur 100 %. Qeveria ka shumë propozime dhe ka ndërmarrë nisma që janë 100% në drejtimin e duhur, dhe në fund kjo është ajo që vlen për t’u diskutuar në javën e diskutimeve për çeljen e negociatave”, tha ai.

Më tej, Sensburg u ndal te reforma në drejtësi ku tha:
“Në lidhje me reformën në drejtësi, askush nuk e di më mirë se sa kjo shkollë e të tria institucionet që janë bashkuar këtu nën të njëjtën çati ndryshimin e madh. Progresi është i qartë, që nga KLGJ, KLP, KED, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm sipas vettingut të gjyqtarëve dhe prokuroreve. Edhe nga EUROJUST kemi pasur shumë progres pozitiv me marrëveshjen me Shqipërinë dhe të gjithë janë të mendimit që Shqipëria po bën përpjekje shumë te mëdha edhe ne rrjetin ndërkombëtar të institucioneve”, nënvizoi Sensburg.

Nga ana tjetër, ministrja Gjonaj falënderoi deputetin gjerman për të gjithë përkrahjen.
“Patrik vjen nga një eksperiencë e gjatë si jurist dhe profesor në Gjermani dhe ka qenë gjithmonë një mbështetje e fortë për Shqipërinë në Parlamentin Gjerman, por njëkohësisht theksoj edhe për mua si Ministre Drejtësie. Kemi pasur mundësinë të takohemi disa herë në Berlin dhe për z.Sensburg është hera e parë që vjen në Tiranë. Kanë qenë pikërisht këto takime të cilat na kanë ndihmuar edhe ne për të përçuar zërin dhe rezultatet tona sa i përket reformës në drejtësi. Falë angazhimit të tij, por edhe njëkohësisht disa deputetëve të koalicionit të CDU/CSU si dhe kancelarisë gjermane, unë sot jam më se e bindur që deputetët gjerman ashtu si edhe publiku janë të mirëinformuar mbi reformat e forta shtetformuese që ka bërë Shqipëria gjatë këtyre viteve të fundit dhe që, nëse ne në tetor do të kemi një dritë jeshile për hapjen e negociatave, do të jetë edhe për shkak të mbështetjes që na kanë në rrugëtimin tonë z. Sensburg personalisht por edhe miqtë e Shqipërisë”, u shpreh Gjonaj.

Gjonaj u ndal te puna e bërë për implementimin e reformës në drejtësi dhe rezultatet e arritura.

“Ne sot, të gjithë bashkërisht duhet të jemi krenar për çfarë kemi arritur. Kemi rrëzuar një sistem të kalbur dhe nga kemi ringritur një sistem të ri nga themelet. Jam e sigurt që eksperienca jonë, dhe arritjet tona, do të jenë shembull për t’u ndjekur nga shumë vende të rajonit, apo edhe vende të tjera që sot mbase edhe janë vende anëtarë të Bashkimit Europian. Prandaj diskutime të tilla i shërbejnë mjaft mirë dhe duhet të shfrytëzojmë momentin jo vetëm për të vlerësuar arritjet, por njëkohësisht edhe për të diskutuar me një një grup më të gjerë profesionistësh, gazetarësh, magjistratësh të rinj”, nënvizoi Gjonaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat