Skandali me rrugën e Arbrit dhe kallëzimi nga “Gjoka Konstruksion” jep dorëheqjen Sonila Qato

Shqipëria

Skandali me rrugën e Arbrit dhe kallëzimi nga “Gjoka Konstruksion” jep dorëheqjen Sonila Qato

Më: 19 shtator 2019 Në ora: 15:43
Sonila Qato

Ka dhënë dorëheqjen Sonila Qato, drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar. Lajmin e ka bërë publik vetë Qato përmes një statusi në rrjetin social, ku shkruan se është vënë në një pozitë të vështirë në kryerjen e detyrës, fill pas akuzës penale që i adresoi kompania “Gjoka Konstruksion” në lidhje me tenderin e rrugës “Kardhiq- Delvinë”. Në statusin e saj shpjegues, Qato shkruan se shumëçka është shkruar në media ka krijuar një vorbull çudirash dhe një zhurme me spekulime të shumta.

“Pas një periudhe të shkurtër pune, por shumë intensive, për të reformuar Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe për të krijuar një model transparence dhe profesionalizmi në këtë institucion, vetëm pak ditë më parë jam akuzuar nga një kompani lidhur me një procedurë, të cilën unë e gjykoj plotësisht të drejtë dhe ligjore.

Kjo situatë më ka vendosur në një pozitë të vështirë në raport me detyrën. Nga njëra anë më duhet të përballem me akuzat dhe procesin ligjor që shfaqen në vorbullën e pafundme të çudirave mediatike dhe nga ana tjetër duhet të administroj punën e përditshme dhe projektet infrastrukturore (pjesë e kësaj pune është edhe kompania që akuzon).

Jam e keqardhur për gjithë këtë zhurmë dhe e lënduar nga spekulimet jashtëzakonisht të mëdha në media mbi procedurat e ndjekura në respektim të ligjit dhe dokumentacionin zyrtar që ka të bëjë me rastin në fjalë. Por jam edhe në pamundësi normaliteti në një punë që s’ka as orar dhe as ditë pushimi, sepse kërkon angazhim ekstrem mendërisht e fizikisht.

Prandaj me mirënjohjen e sinqertë për Kryeministrin e vendit, i cili jo vetëm më besoi këtë detyrë të rëndësishme, por edhe më krijoi kushte të pavarësisë së plotë në drejtimin e institucionit, ndjeva sot detyrimin moral t’u bëj me dije dorëheqjen nga detyra që më është ngarkuar.

Jam e gatshme që të gjithë eksperiencën, dijen dhe integritetin tim ta vë në dispozicion të çdo detyre tjetër që mund të më kërkohet, por siç u mundova ta shpjegoj, e kam të pamundur të vazhdoj detyrën aktuale.

Faleminderit të gjithë bashkëpunëtorëve të mi dhe vazhdim të mbarë të një pune që kemi nisur mirë së bashku!”-shkruan Qato.

Lajmi vjen pas një sërë skandalesh në lidhje me punimet në rrugën e “Arbrit” nga ku rezultonte sipas dokumentave të ARRSH-së se Kompania “Gjoka Konstruksion” kishte mashtruar në dokumente duke paraqitur si punime të kryera një sërë të tillash të lëna përgjysmë.

Por intensiteti i përplasjeve të “heshtura” do të bëhej i zhurmshëm në momentin kur fokusi do të shkonte në tenderin e anuluar të rrugës Kardhiq- Delvinë, një pjesë e të së cilës e kishte fituar po kompania “Gjoka Konstruksion”.

Fill pas kësaj, kompania depozitoi një kallëzim penal ndaj drejtoreshës Sonila Qato.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat