Azem Meshi, u përjetësove përgjithnjë në altarin e dëshmorëve të atdheut

Shqipëria

Azem Meshi, u përjetësove përgjithnjë në altarin e dëshmorëve të atdheut

Bajram Ibraj Nga Bajram Ibraj Më 19 shtator 2019 Në ora: 19:25
Azem Meshi

Kosturi më ka bërë shumë përshtypje për historinë e veçantë të tij. Kam qënë disa herë gjatë viteve 1987-1991 dhe kam “buajtur” në këtë fshat pikërisht në lagjen Meshaj. Kosturri hasian përbëhej nga tri vllazni, tri lagje: Meshaj, Gjonaj e Nabollaj. I pari i vllaznisë ishte Meshi, i ardhur prej Oroshit të Mirditës, por pastaj erdhën edhe vëllezërit Gjoni, si dhe vëllazëria Nabolli.

Ky fshat ka nxjerrë figura historike e kombëtare, patriotike e atdhetare, duke ju shtuar edhe heroi martir i Policisë Shqiptare, “Dëshmori i Atdheut”, Azem Meshi. Gjyshi i Azemit, Ukshin Adem Meshi me të tjerë mori pjesë në luftrat kombëtare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ndërsa babai i tij, Ali Ukshin Meshi, mori pjesë në Luftën e Dytë Botërore në Çetën e Hasit. Ndërkohë, nuk është e rastit që edhe kushërinjtë e tij, Ram Sadri Meshi dhe Mehmet Ali Meshi janë “Dëshmorë të Atdheut” në LANÇl të Shqipërisë. Por pamvarësisht këtyre veprimeve patriotike, me sa duket nuk kishte si të ndodhte ndryshe, që patriotët e Kombit, rregjimi komunist t’i shpallte të deklasuar politikë në vitin 1948, të cilët vuajtën kalvarin e persekutimit nga rregjimi diktatorial i kohës.

Prindërit, mësuesja e fillores, të afërm të tij, tregojnë si deshira e Azemit paska qënë që në fëmijëri të bëhej punonjës policie, ndaj ai e ka dashur Policinë e Shtetit dhe ka punuar me përkushtim të madh. Kështu, Azemi në vitin 1992, e bëri realitet dëshiren e hershme të tij, duke ardhur nga Kosturri në Tiranë dhe filloi punonjës policie në Komisariatin e Policisë së Objekteve (ORVSH), Reparti i Sigurisë së Ambasadave.

“Siç dihet, trazirat e muajve shkurt-mars të vitit 1997 çuan në hapjen e rreth 1.300 depove të ushtrisë e komisariateve, ku u grabitën 549.775 armë, 839.301.038 municione të ndryshme dhe 16 milionë municione xheniere.”[1] Dhe Azem Meshi në këto vite të vështira ka qënë punonjës i policisë në grupet e gatshme të Komisariatit të Policisë së Objekteve. Ai qëndroi në krye të detyrës duke ruajtur e siguruar objektet më të rëndësishme të këtij shteti, si bankat, Thesari i Shtetit, RTSH dhe Bllokun e Ambasadave.

Situatat e rendit dhe të sigurisë publike, veçanërisht në vitet 1997, 1998 dhe 1999 kanë qënë shumë të rënda, situatë të papreçedentë, sejcili në llojin e tij: Në disa qytete ishte pothuajse situatë lufte e anarkie e vërtetë. Nga ana tjetër, ringritja e ristrukturimi i Policisë së Shtetit ishte sfidë më vete, ndërkohë që ishin sulmet e armatosura të bandave e grupeve kriminale ndaj popullsisë dhe policisë nga krimi. Siguria kombëtare dhe publike ka qënë në shënjestrën e bandave të rrugës dhe të grupeve kriminale të armatosura. Pasiguria, frika e ankthi shoqërohej pothuajse kudo për shkak të kriminalitetit të dhunshëm dhe shifrave të të vrarëve që ia kalonin shifrave të luftës në vende ku zhvilloheshin luftëra.

Jeta e tij midis Kosturrit e Krumës së Hasit, Kamit e Bytyçit të Tropojës, Kukësit e Gjakovës me rrethina dhe pas vitit 1992 në Tiranë, e burrëroi shpejt, e edukoi, e bëri aktiv, trim, besnik, të pamposhtur në përleshjet me krimin e kriminelët në ato 7 vite të vështira, 1992-1999 që punoi Azem Meshi. Këto ishin periudha midis rënies e ringritjes së shtetit, shkatërrimit e rindërtimit të institucioneve të shtetit, fillimit të tranzicionit të stërzgjatur dhe dëshirës e aspiratës për ndërtimin e demokracisë dhe të shtetit ligjor. Gjithashtu, gjendjes së rëndë politike, ekonomike, shoqërore dhe të sigurisë, iu shtua edhe situata e papreçedentë e vitit 1999, ku vendi ynë u përballë me angazhime edhe në Luftën e NATO-s në Kosovë dhe pritjen e 500 mijë shqiptarëve të Kosovës në Kukës, Has e Tropojë dhe pastaj në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Kam qënë I Plotfuqishëm i Ministrit të Brendshëm në Qeverinë Majko për përballimin e situatës së 500 mijë të ardhurëve nga Kosova, në Kukës dhe në periudhën mars-qershor 1999, duke parë e ndjekur me vëmendje situatat e rënda të krijuara, ku Policia i përballoi me sukses ato.

Në periudhën 01.08.1997 deri më 12.04.2000 kam qënë në detyrën e Shefit të Sektorit të Shërbimeve të Rendit në Ministrinë e Rendit Publik, në Tiranë dhe personalisht i kam përjetuar thellë situatat e rënda kriminale, vrasjet e plagosjet e qytetarëve të pafajshëm, humbjet e punonjësve të policisë në detyrë dhe për shkak të detyrës. Në vitin 1999 më është dashur të merrja pjesë në një rast dhe në dy ceremoni mortore të punonjësve të policisë të rënë në detyrë. Nuk ka gjë më të rëndë për një zyrtar të Policisë sesa të shkojë në banesën e punonjësve të policisë dhe të komunikojë me prindërit e të rënëve duke u dhënë lajmin dhe ngushëllimin për humbjen e bijve të tyre. Është i vështirë qëndrimi ballëpërballë prindërve, bashkëshorteve e fëmijëve, pasi gjithçka aty është heshtje mortore, dhe e ke të vështirë për të gjetur fjalë ngushëlluese në raste të tilla.

Heroi Azem Meshi në moshën 30 vjeçare dhe pasi ishte martuar dhe ishte bërë baba, u vra në krye të detyrës, më 3 qershor të vitit 1999, nga një grup kriminal i armatosur i përbërë nga 5 persona, nga të cilët dy autorë të vrasjes dhe 3 persona të tjerë bashkëpunëtorë në vrasje, të cilët disa orë më parë kishin vrarë shtetasin shqiptar të Kosovës, Dardan Gostivari, dhe u gjendën përballë punonjësit të policisë trim dhe hero Azem Meshi, i cili ndonëse mund të vazhdonte rrugën për në shtëpinë e tij, ai ndaloi kur pa një grup personash që qarkullonte në orët e vona të natës dhe pasi komunikuan e debatuan, në përleshje me këtë grup kriminal, ai mori plagë të rënda vdekjeprurëse dhe megjithëse u dërgua në spital, nuk i shpëtoi dot vdekjes.

Të nesërmen Azemi nuk mundi të merrte e shoqëronte, siç bënte vazhdimisht, gruan e tij, Loretën, nga puna dhe as vajzën e tij të vogël 2 vjeçe e gjysëm, Gretën, që ishte në atë kohë në kopësht.

Autorët kryesorë të grupit kriminal u arrestuan nga kolegët e Azemit brenda 17 ditëve, ndërsa bashkautorët u arrestuan më vonë. U hetuan me shpejtësi nga Policia dhe Prokuroria, e cila kërkoi dënimin kapital. Kështu, dy kriminelët që bënë vrasjet u dënuan nga Gjykata me burgim të përjetshëm, dhe tre bashkëpunëtorët e tjerë u dënuan me dënime të tjera.[2]

E thamë se deshira e Azemit paska qënë herët që të bëhej punonjës policie, ndaj ai e ka dashur Policinë dhe ka punuar me përkushtim dhe dashuri në rradhët e saj, si një nga shembujt e mirë të saj.

Azem Meshi kishte pasion për arsimimin e tij dhe në vitet 1995-1999 vazhdoi studimet në Akademinë e Rendit Publik (sot, Akademia e Sigurisë) dhe krahas punës dhe përkushtimit të tij në detyrë, ai i vazhdoi studimet dhe provimin e fundit të Shkollës së Lartë ai e ka dhënë një javë përpara rënies së tij në krye të detyrës. Pra, Azemi për një javë nuk arriti ta gëzonte marrjen e diplomës dhe të titullit të oficerit të Policisë Shqiptare, pasi iu ndërpre karriera në mes nga dora gjakatare e kësaj bande kriminale.

Familja Meshi përsëri vazhdon të mbetet një familje patriotike. Dhe, ndoshta nuk është e rastësishme që tre djemë të ri, të Familjes së madhe Meshi, për një periudhë 3-mujore, vriten në luftë, dy kushërinjtë e tij Bashkim Qazim Meshi dhe Afrim Qazim Meshi, pasi ata ranë trimërisht më 24 mars 1999, në Istog të rajonit të Pejës, në ditën e bombardimit të NATO-s për çlirimin e Kosovës dhe janë “Dëshmorë të Kombit” të Luftës për Çlirimin e Kosovës në vitin 1999. Ndërsa, Azem Meshi në Tiranë, u përballë me kriminelët dhe mbeti i vrarë, më 3 qershor 1999, vetëm pak kohë pasi ky grup kriminal kishte vrarë një shtetas shqiptar të Kosovës.

Azem Meshi dha jetën e tij, për vendosjen e rendit e të sigurisë publike, në luftën ndaj krimit, nëpërmjet aktit të tij të trimërisë, përkushtimit, qëndresës dhe guximit qytetar. Ai e mbrojti jetën e qytetarëve me jetën e tij, në përleshje me grupet kriminale në Yzberisht në Tiranë dhe u përjetësua në altarin e Dëshmorëve të Atdheut.

Fjala Azem do të thotë “kollos” sipas Fjalorit të Shqipes, por ia kishin vënë prindërit këtë emrin Azem, pasi ndoshta kanë patur parasysh simbolin e pamposhtur Azem Galica dhe Azem Meshi nuk e tradhëtoi emrin e tij të bukur dhe me sa duket edhe emri Azem e “thirri” më shpejt “të shkonte” dhe të prehej përjetësisht tek trimat e heronjtë e tjerë, në Varrezat e Dëshmorëve.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, me Dekretin nr. 2639, datë 31 maj 2000, e ka vlerësuar Azem Meshin me “Medaljen e Artë të Shqiponjës” (pas vdekjes) me motivacionin: “Për trimëri dhe akt të guximit qytetar në luftën kundër krimit deri në sakrifikimin e jetës”.[3]

Një punonjës policie i thjeshtë dhe me detyrat që kreu në shërbimet bazë të Policisë në vetëm 7 vjet dhe në moshën 30 vjeçare; me historinë e tij fisnore, familjare, patriotike; historinë e dhimbshme të përndjekjes politike përballë devotshmërisë, përkushtimit, sakrificës; i ndershëm dhe me integritet të lartë moral dhe profesional; i pa prituar, i devotshëm, i ndershëm; si dhe, si një nga nëntë fëmijët e babait dhe nënës së tij shembullore që i lindën, rritën dhe i edukuan, është për tu marrë shembull dhe model.

Bashkëshortja i qëndroi besnik gjithnjë bashkëshortit të tij dhe ajo “e mbylli” jetën e saj duke ju përkushtuar vajzës së vogël vetëm 2 vjeçe e gjysëm, dhe pasi ajo e rriti, e edukoi, e arsimoi vajzen, filloi edhe ajo punë në vitin 2014 në Drejtorinë e Policisë Tiranë, në funksione civile e administrative, duke “vazhduar” ëndërren e bashkëshortit të saj, Azem Meshi. Sa bukur dhe hijshëm qëndron kjo grua e vé, fisnike dhe heroinë. Dhe gra të tilla, sot e sfidojnë shoqërinë tonë që po njeh gjithnjë e më tepër divorce bashkëshortore, fëmijë jetimë të divorcuar dhe probleme të mëdha sociale. Këta bashkëshortë e nëna janë për t’u marrë shembull nga kushdo tjetër që e ka jetën “e rregulluar”, karrierë e poste publike, por që ndoshta iu është zbehur ana njerëzore, morale dhe integriteti në shoqëri e familje.

Greta e vogël është rritur pa baba, por me mbështetjen e nënës së saj të dashur, Loretës, dhe sidomos të xhaxhait të saj, Ahmet Meshi, një oficer policie i përkushtuar dhe korrekt, të cilët ju kanë qëndruar pranë në rritjen, edukimin e shkollimin e saj. Greta arriti të mbarojnë shkollën 9-vjeçare dhe të mesme si nxënëse ekselente dhe ka fituar konkursin e gazetarisë duke mbaruar studimet e larta për gazetari e media. Sot ajo punon për një televizion të rëndësishëm dhe për një shoqatë ndërkombëtare për trajtimin e viktimave të trafikimit. Pra, edhe Greta, po punon për shoqërinë, po punon për hir të të tjerëve dhe po shërben bukur, ashtu siç edhe babai i saj, punoi duke mbrojtur jetën me jetë për rendin e sigurinë e qytetarëve dhe të shtetit.

Bashkëshortja Loreta, vajza Greta, prindërit, vëllezërit Meshi, Zenun, Ahmet, Skënder, Agron, Guxim e Sabah e motrat Xhane Beraj e Lirie Meshi dhe të afërmit e Azem Meshit, kanë kujtuar çdo përvjetor të rënies së Azemit, përvjetorët e ditëlindjes, dhe duke pritur vizita nga personalitete të larta, miqë e shokë. Me vëllain e tij, Ahmet Meshi, bashkëshorten Loretën dhe vajzën Gretën jemi takuar e përshendetur në të gjitha aktivitetet e organizuara nga Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ku janë ftuar familjet e fëmijët e dëshmorëve dhe të rënëve të Policisë së Shtetit.

“Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në këtë fundviti, ka vlerësuar aktin heroik të prindërve tuaj që ranë në krye të detyrës, ka vlerësuar punën dhe përpjekjet e prindërve tuaj, që për një vit rrjesht kanë sakrifikuar për të rritur sigurinë në vend, për të ndalur kriminelët dhe krijuar një jetë sa më të qetë për komunitetin. Krahas përpjekjeve të prindërve tuaj në vlerësojmë edhe sakrificat që keni bërë në këtë vit ju, fëmijë të dashur dhe nënat tuaja, sepse jemi të ndërgjegjshëm se në punën e çdo punonjësi policie keni pjesën tuaj të kontributit dhe sakrificave, për të cilat dëshiroj t'ju falenderoj në mënyrë të veçantë.”[4] Së bashku, kemi festuar familjarisht Festat e Fundvitit, gjë që ka dëshmuar se është gjithmonë koha të kërkojmë dhe të gjejmë solidaritetin aq të nevojshëm për një punë si kjo e jona, e Policisë së Shtetit, ku shoku apo kolegu të bëhet vëlla e kaluar vëllait, pasi ne jemi vazhdimisht të rrezikuar për shkak të detyrës. Prandaj, duhet të jenë krenar sepse ai ra në krye të detyrës për të mbrojtur rendin e sigurinë publike, për të luftuar krimin, për të zbatuar ligjin, për të mbrojtur me uniformen e jetën e tij, shtetin e qytetarët. Ju, lutem, duhet të jeni krenarë për vëllain tuaj të dashur dhe të shtrenjtë, “Dëshmorin e Atdheut”, Azem Meshi!

Azemi nga njëra anë, do t’i mungojë Loretës fisnike e Gretës së dashur dhe që e ka merak edhe në jetën e përjetshme ku “amshojnë” Dëshmorët e Atdheut, vëllezërve, prindërve, të afërmëve, shokëve, miqve të tij, kolegëve, do t’iu mungojë strukturave dhe shërbimeve të Policisë së Shtetit, por nga ana tjetër, ai jeton i gjallë, sepse dëshmorët jetojnë të gjallë, ata nuk vdesin kurrë, shpirti i tyre, kujtimi i tyre, vepra e tyre, amaneti i tyre ne na thërret dhe na mban të zgjuar për të bërë më të mirën e mundshme, për të dashur e për të mos urryer, për të qënë i vërtetë dhe në altar siç rrinë Heronjtë e Dëshmorët e Atdheut. Ata, Dëshmorët e Atdheut, jetojnë në mesin tonë, ata çdo ditë janë burim frymëzimi, trimërie, vetëmohimi, sakrifice, dashurie për uniformën e punën, për detyrën fisnike dhe, ata mbeten trima dhe na japin forcë në luftën kundër krimit dhe kriminelëve.

Heronjtë do të duhet të kujtohen në ditën e ditëlindjes së tyre, në përvjetorët e tyre të lindjes, pasi ata jetojnë të gjallë në mendjet e zemrat tona, jetojnë të gjallë në kujtesën tonë, jetojnë të gjallë në përditshmërinë tonë, dhe na japin motiv, nxitje, frymëzim e kurajo për të luftuar krimin e kriminelët. Personalisht, do të mendoja që pas përvjetorëve të para të vdekjes çdo person dhe aq më tepër heronjtë do të duhet të kujtohen në ditën e ditëlindjes së tyre, në përvjetorët e tyre të lindjes, pasi ata jetojnë të gjallë në mendjet e zemrat tona, jetojnë të gjallë në kujtesën tonë, jetojnë të gjallë në përditshmërinë tonë, dhe na japin motiv, nxitje, frymëzim dhe kurajo për të luftuar krimin e kriminelët.

Duke qënë se Policia është dhe mbetet familja ime, ajo ka qënë profesioni im i parë dhe mbetet që të bashkëjetoj përgjithnjë me dashuri me dhe për Policinë, pamvarësisht se aktualisht nuk jam në asnjë detyrë zyrtare policore, por edhe detyrat që kryej e shërbimet që bëj, aktivitetet ku marrë pjesë, si dhe lëndët mësimore në fushën e sigurisë, policisë dhe drejtësisë që unë jap në Universitetet në Tiranë dhe Prishtinë, me studentët e studimeve të sigurisë në Bachelor e Master dhe të studimeve të Drejtësisë, më mbajnë afër dhe pranë profesionit shumë të bukur, shumë e shumë të vështirë dhe shumë fisnik të punonjësit të policisë. Kjo më bën që të ndjehem shumë më pranë Familjes Meshi dhe të gjitha familjeve të të rënëve në krye të detyrës dhe për shkak të detyrës dhe të Dëshmorëve të Policisë dhe të Atdheut.

Gjatë periudhës që kemi drejtuar Policinë e Shtetit, 12.09.2002 dhe deri më 30.3.2007, me stafin kemi përgatitur, ndjekur e kërkuar Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”, shpalljen dëshmor i atdheut, dhe nga propozimet e bëra, nga 149 punonjës policie të rënë nga viti 1990 deri në vitin 2007, për 110 punonjës të Policisë së Shtetit që kanë rënë në krye e për shkak të detyrës, ose 73.82 % e dëshmorëve të atdheut për 17 vjet, u është dhënë statusi “Deshmor i Atdheut”. Ndërkohë që për vitet 1990-2019, ku janë evidentuar 168 Dëshmorë të Atdheut, rezulton se gjatë të kësaj periudhe i janë dhënë titujt Dëshmor i Atdheut familjeve të 110 Dëshmor të Atdheut ose 65.47% të vendimeve të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”, të dhëna gjatë këtyre 29 viteve. Kështu edhe Dëshmori i Atdheut Azem Meshi u shpall Dëshmor i Atdheut me vendimin Nr. 12, datë 04.07.2003 të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”.[5] Për këtë dëshiroj edhe një herë të falenderoj përzemërsisht stafin tim që kemi punuar për rreth 5 vite së bashku, Komisionin Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”, Zëvendësministrat e Mbrojtjes dhe Zëvendëskryeministrat që kanë qënë kryetar të Komisionit Qendror të Statusit të Dëshmorit të Atdheut, gjate këtyre viteve.

Edhe aktualisht, që po bëj 12 vjet që nuk punoj në strukturat e Policisë së Shtetit, përsëri takohem me familjarë dhe “jetimë” të Policisë së Shtetit, dhe interesohem për shkollimin, punësimin e tyre dhe për çështje të ndryshme ekonomike e sociale, dhe këtë do ta bëjë me shumë dashuri me mundësitë e mia, gjatë gjithë jetës sime.

Qeveritë shqiptare, duhet që të nxjerrin sa më parë, madje është shumë i vonuar,Vendimin e Këshillit të Ministrave për trajtimin financiar të familjeve të të rënëve në Policinë e Shtetit, minimalisht duke filluar që nga viti 1990. Personalisht e kam inicuar, kërkuar e propozuar nxjerrjen e një vendimi të tillë, kur kam qënë në detyrat e Këshilltarit të Kryeministrit për Sigurinë Kombëtare dhe në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Por, përgjigja e niveleve të larta politike ka qënë që kemi dëshirë dhe vullnet por ky vendim për shkak edhe të numërit shumë të konsiderueshëm të punonjësve të policisë të rënë në detyrë në këto vite, ka faturë të madhe financiare. Do ta pranoja ndoshta këtë “argumentim” të qeveritarëve në vitet e para, por ndonëse kanë kaluar shumë vite dhe janë ndryshuar disa qeveri, akoma asnjëra prej tyre as qeveria e majtë dhe as qeveria e djathtë ende nuk po e marrin këtë vendim. Shpresoj ta marrin këtë vendim sa më parë dhe të ndihmojnë e mbështesin familjet e të rënëve në polici nga viti 1990 deri në vitin 1999.

Autorët Ramiz Lushaj dhe Ahmet Meshi e kanë quajtur me të drejtë “Azem Meshi- Shqipe e Vendit të vet”. Personalisht dëshiroj t’i falenderoj shumë autorët për punën e shkëlqyer që kanë bërë.

Sa bukur i kanë kënduar këngën rapsodët e mirënjohur të Hasit duke e mbyllur këngën me vargjet: “Kush jep jetën për vend t’vet/ Është gjallë: O kurr’ nuk vdes”/.

“.... Tingujt e Himnit rridhnin ëmbël e lirshëm…“sa një det më ndizet kënga/ polici evendit tim!…”. Të gjithë të pranishmit në studio ndjemë emocione të papërshkrueshme. Dhe kënga vazhdonte, tashmë më burrërore: “ligjin kemi babë e nënë/ mbrojmë jetën, mbrojmë shpresën/ tek ky populll hodhëm rrënjë/ asnjëherë nuk jemi vetëm”. Emocione dhe krenari. Himni i ndërthurur bukur, me nota lirike dhe marciale, përfundonte në mënyrë tepër epike: “O, sa djem lule rini/ e vunë jetën në altar/ edhe emrin polici/ mban në zemër çdo shqiptar”. Emocione, krenari dhe mallëngjim…Tashmë edhe ne kishim Himnin tonë të Policisë së Shtetit. Një himn me të vërtetë shumë i bukur. Atje ishin shkrirë në vargje e nota në një kuant të vetëm shpirti dhe zemra e policisë shqiptare, e policëve që janë dhe atyre që kanë qënë, e dëshmorëve dhe të rënëve të Policisë, e poetit, kompozitorit dhe këngëtarit dhe e vetë popullit shqiptar.”[6]

I përjetshëm dhe i paharruar kujtimi i “Dëshmorit të Atdheut”, Azem Meshi! I përjetshëm dhe i paharruar kujtimi i të gjithë Dëshmorëve të Atdheut / Dëshmorëve të Policisë Shqiptare!

Dr. Drejtues (Gjeneral Major) Bajram IBRAJ

Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit (2002-2007)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat