Mesazhi i ipeshkvijve të Shqipërisë në 5 vjetorin e vizitës së Papa Françeskut

Shqipëria

Mesazhi i ipeshkvijve të Shqipërisë në 5 vjetorin e vizitës së Papa Françeskut

Më: 20 shtator 2019 Në ora: 18:28
Papa Françesku

Në mesazhin që Konferenca Ipeshvnore e Shqipërisë përcolli sot, në prag të 5 vjetorit të vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, shprehen falenderimet për Papën dhe fjalët e ngrohta që u përcolli shqiptarëve nga sheshin Nënë Tereza; “Shqiponjat fluturojnë lart, por nuk e harrojnë kurrë folenë e tyre”.

Gjatë këtyre 5 viteve, thuhet në mesazhin e ipeshkvijve, Shqipëria ka bërë hapa përpara në zhvillimin shoqëror, ekonomik e shpirtëror. Por, shtojnë se vërejnë me shqetësim se si shumë familje po largohen nga vendi.

“Nuk mund të mos konstatojmë me keqardhje se situata e vazhdueshme e tensionuar shoqërore, mungesa e një zhvillimi ekonomik integral dhe gjithëpërfshirës, mungesa e vendeve të punës ose ekzistenca e vendeve të punës të nënpaguara e jo të paguara mjaftueshëm, niveli i ulët shkollor si dhe ofrimi i vakët i asistencës mjekësore, kanë qenë dhe janë shkaqet e largimit të shumë njerëzve”.

Ipeshkvijtë katolikë të Shqipërisë apelojnë për nevojën e dialogut dhe bashkëpunimit për t’i dhënë fund tranzicionit të vendit.

“Prandaj, ky mesazh u shkon më së pari atyre katolikëve që janë të angazhuar në jetën shoqërore dhe politike, në media dhe në strukturat akademike. Katolikët duhet të jenë për shoqërinë pjesë e zgjidhjes së problemeve e jo pjesë e shkaktimit të tyre”.

Ipeshkvijtë inkurajojnë të rinjtë në angazhimin e tyre të sinçertë, jo konfliktual dhe të pakorruptuar duke i nxitur që, “së bashku me të gjithë njerëzit vullnetmirë, pavarësisht bindjeve politike e fetare, e përtej tyre, të zhvillojmë ndjeshmërinë e punës dhe interesit për të mirën e vendit”./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat