Pojana i LSI-së: Show mediatik, qeveria ka 0 aftësi reaguese në raste emergjencash

Shqipëria

Pojana i LSI-së: Show mediatik, qeveria ka 0 aftësi reaguese në raste emergjencash

Më: 22 shtator 2019 Në ora: 18:04
Klevi Pojana

Në një konferencë për shtyp, anëtari i Kryesisë së LSI-së, Klevi Pojana u shpreh se “show mediatik që po zhvillohet që nga mbrëmja e djeshme nën regjinë e kryeministrit, tregon fare qartë se qeveria shqiptare ka zero aftësi reaguese në raste të tilla të emergjencave civile.”

Lexoni më poshtë deklaratën e plotë:

Lëkundjet e tërmetit të djeshëm, më i forti në 30 vitet e fundit, kanë krijuar një situatë emergjence dhe pasigurie në të gjithë vendin, veçanërisht në qytetet e Durrësit dhe Tiranës ku aktiviteti sizmik ishte edhe më i lartë.
Duke shprehur dhe njëherë solidaritetin me të gjithë qytetarët në këto momente të vështira, ne apelojmë për një reagim më efikas të institucioneve përgjegjëse.
Show mediatik që po zhvillohet që nga mbrëmja e djeshme nën regjinë e kryeministrit, tregon fare qartë se qeveria shqiptare ka zero aftësi reaguese në raste të tilla të emergjencave civile.
Injorimi me arrogancë që i është bërë nga qeveria e Edi Ramës paralajmërimeve për të marrë masa paraprake në rast të fatkeqësive natyrore, fakton dhe pamundësinë e këtij të fundit për të shpallur gjendjen e emergjencës.
Qytetarët shqiptarë sot kanë nevojë për ndihmë dhe mbështetje reale, jo për show mediatik dhe mashtrime të turpshme.
Para disa orësh kryetari i Bashkisë së Tiranës ka publikuar në faqen e tij në Facebook këtë foto me ndihma për qytetarët e prekur nga tërmeti i djeshëm.
Po e njëjta foto është publikuar edhe në datën 4 qershor, në një organizim të Bashkisë Tiranë për të ndihmuar banorët e Korçës të prekur po ashtu nga një tërmet që la pas dëme të shumta materiale.
Mashtrime të tilla vulgare tregojnë edhe njëherë se fasadës së Rilindjes i ka dalë boja.
Erjon Veliaj të kërkojë falje publike për të tilla tallje me qytetarët shqiptarë, në një moment kaq kritik.
Përmbushja e obligimeve ligjore për t’i ofruar ndihmë çdo qytetari është një detyrim për qeverinë shqiptare, e cila duhet zgjuar nga gjumi letargjik që e ka zënë.
I urojmë shërim të shpejtë të gjithë të dëmtuarve dhe me besim tek zoti e solidaritet do ta kalojmë këtë sprovë.
Faleminderit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat