Ministrja e Mbrojtes thirrje qytetarëve: Autoritetet do të vijnë për këdo që është prekur nga tërmeti

Shqipëria

Ministrja e Mbrojtes thirrje qytetarëve: Autoritetet do të vijnë për këdo që është prekur nga tërmeti

Më: 22 shtator 2019 Në ora: 23:31
Olta Xhaçka

Ministrja e Mbrotjes Olta Xhaçka ka dalë në një konferencë për shtyp këtë mbrëmje nga ku ka bërë një rezyme të të gjithë situatës në këto 24 orë pas tërmetit 5.8 ballë.

Xhaçka ka njoftuar se autoritetet do të jenë 24 orë në dispozicion të qytetarëve.

“Pavarësisht kësaj, dua t’i siguroj qytetarët që të gjithë institucionet e shtetit shqiptar janë që dje pasdite në krye të detyrës, dhe do të vazhdojnë të jenë në gjendje gatishmërie 24 orë në ditë, deri në përfundimin e kësaj situate.”-tha Xhaçka.

Më tutje Xhaçka u ka kërkuar qytetarëve që të qëndrojnë të qetë pasi sipas ekspertëve sizmiologë më e keqja ka kaluar dhe lëkundjet do të vijojnë të shuhen gradualisht. Një thirrje i është drejtuar dhe atyre personave që kanë pësuar dëmtime në banesa dhe të cilëve ende nuk u është ofruar asistenca nga autoritetet.

Xhaçka: Unë u kërkoj të gjithë atyre qytetarëve që ende nuk janë vizituar në person nga ekipet e verifikimit, që të bëjnë edhe pak durim pasi zona e prekur nga goditja e tërmetit është mjaft e madhe dhe koha që ka kaluar shumë e shkurtër.

Ministrja po ashtu është shprehur se ata punonjës administrate që kanë fëmijët të vegjël mund të qëndrojnë në shtëpi ditën e nesërme.

Xhaçka: Duke pasur parasysh edhe faktin që ngjarja e fundit sigurisht që ka shkaktuar më shumë frikë e stres tek ata që janë edhe qytetarët më të vegjël të Tiranës, Durrësit dhe çdo zone të prekur nga tërmeti, është Ministria e Arsimit ka vendosur që dita e nesërme të jetë pushim për shkollat 9 vjeçare dhe të mesme në qarqet Tiranë, Durrës dhe Elbasan, ndërkohë që sapo është marrë vendimi që në keto tre qarqe do të jetë pushim edhe për kopshtet dhe çerdhet. Sa ju takon prindërve që punojnë në administratën shtetërore, të gjithë ata që kanë fëmijë në kopshte, çerdhe apo shkolla 9 vjeçare, nesër mund të qëndrojnë pranë fëmijëve të tyre.

Fjala e ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka:

24 orët e fundit kanë qenë shumë të vështira për të gjithë ne. Kanë qenë ore të një lodhje jo thjesht fizike, por edhe psikologjike. Dhe besoj që në momente si këto është më e rëndësishme se kurrë, që qytetarët të jenë të informuar për atë që po ndodh, dhe të kenë një pasqyrë sa më të qartë të të gjithë situatës.

Siç është thënë sot disa herë, jo vetëm në komunikimet zyrtare, por edhe nga komunikimet me ekspertë sizmologë në media, situata sizmike duket se e ka kaluar momentin e saj më të rrezikshëm. Është e vërtetë që gjatë natës së djeshme janë shënuar disa lëkundje relativisht të forta, por mbi 300 lëkundjet e tjera që janë regjistruar në 24 orët e fundit kanë pasur një trend në ulje, ku pjesa dërrmuese kanë qenë nën 3 ballë e madje shumica nën 2 ballë.

Edhe pse parashikimi i tërmeteve është i pamundur, sizmologët janë unanimë lidhur me faktin që, trendi në zbritje i fuqisë së lëkundjeve është shenjë e një stabilizimi të situatës. E di që pas asaj që kanë përjetuar dje shumë qytetarë janë ende të frikësuar, por është shumë e rëndësishme që të gjithë së bashku t’i rikthehemi normalitetit.

Është një lajm vërtet pozitiv që sot, 24 orë pas ngjarjes sizmike kryesore, informacioni i plotë mbi situatën në terren, na konfirmon që, dëmet kanë qenë shumë më modeste sesa mund të kishim pritur nga një tërmet i atyre përmasave. Më kryesorja, nuk ka pasur asnjë rast lëndimi serioz të qytetarëve.

Pavarësisht kësaj, dua t’i siguroj qytetarët që të gjithë institucionet e shtetit shqiptar janë që dje pasdite në krye të detyrës, dhe do të vazhdojnë të jenë në gjendje gatishmërie 24 orë në ditë, deri në përfundimin e kësaj situate.

Ka një mobilizim të të gjitha resurseve dhe energjive të shtetit shqiptar si kurrë më parë. Pasi edhe pse situata duket e tejkaluar, edhe pse dëmtimet fatmirësisht rezultojnë modeste, kemi zgjedhur të kalojmë në një gjendje gatishmërie maksimale duke e kuptuar fare mirë që kjo është ajo që presin dhe që meritojnë qytetarët në këto orë të vështira për të gjithë.

Kështu, janë shpërndarë në terren dhjetëra ekipe të shtabeve të emergjencave pranë prefekturave e bashkive, 1400 efektivë të Policisë së Shtetit, disa qindra efektivë të Policive Bashkiake të Durrësit e Tiranës, 500 efektivë të Forcave të Armatosura të atashuar pranë ekipeve të terrenit apo në gjendje gatishmërie sipas nevojës.

Numrat e emergjencës kanë funksionuar në mënyrë shumë të kënaqshme pavarësisht fluksit të madh të telefonatave.

Vetëm në numrin 112 kanë ardhur mbi 1100 telefonata gjatë ditës së sotme dhe mbi 950 raste janë ndjekur e asistuar, ndërkohë që në rastet e mbetura, qytetarëve u është dhënë përgjigje për shqetësimin dhe nuk ka qenë i nevojshëm asistimi i mëtejshëm.

Përgjatë 24 orëve të fundit kanë zbritur në terren ose kanë qëndruar në gjendje gatishmërie maksimale disa dhjetëra ekipe mjekësore me staf të përforcuar që po kontrollojnë situatën, po kontaktojnë me qytetarët dhe kanë asistuar të gjithë qytetarët e lënduar apo që kanë kontaktuar për të kërkuar ndihmë mjekësore.

Tërmeti i djeshëm ka shkaktuar shumë frikë e shumë traumë tek qytetarët. Kjo është arsyeja, përse për herë të parë, këtyre ekipeve ju janë atashuar edhe psikologë e punonjës socialë që janë të trajnuar për të trajtuar situata të tilla dhe që janë në dispozicion të qytetarëve në Tiranë e Durrës, të cilat kanë qenë edhe zonat më të prekura nga tërmeti.

Në total, në rajonin Tiranë Durrës këto ekipe janë mbështetur nga 25 autoambulanca që vazhdojnë të qëndrojnë në gatishmëri edhe tani që flasim. Ekipet mjekësore gjatë 24 orëve të fundit kanë asistuar në 295 misione për t’ju ardhur në ndihmë banorëve edhe pse fatmirësisht, në thuajse 100% të rasteve bëhej fjalë për situata mjekësore jo të rënda dhe që s’kanë pasur nevojë për ndjekje të mëtejshme.

Të gjithë familjet e prekura, në secilën prej 915 banesave dhe pallateve të dëmtuara, janë kontaktuar ose po kontaktohen nga ekipe, të cilave u janë atashuar edhe specialistë të institutit të ndërtimit, psikologë dhe punonjës socialë. Dua ta theksoj që, sipas raportimeve të deritanishme, në pjesën dërrmuese të këtyre rasteve bëhet fjalë për dëmtime të lehta, kryesisht plasaritje të suvasë apo mureve. Gjithsesi, ato godina qe ndërkaq jane te evidentuara me dëmtime me serioze do të verifikohen me prioritet nga ekspertët, të cilët do të japin edhe akt verifikimin teknik që përcakton nëse ato jane te banueshme apo jo.

Unë u kërkoj të gjithë atyre qytetarëve që ende nuk janë vizituar në person nga ekipet e verifikimit, që të bëjnë edhe pak durim pasi zona e prekur nga goditja e tërmetit është mjaft e madhe dhe koha që ka kaluar shumë e shkurtër.

Gjithashtu, duke pasur parasysh numrin e madh të banesave që janë raportuar si të dëmtuara, dhe faktin që verifikimi i tyre mund të bëhet vetëm nga ekspertë e profesionistë të fushës, dua të përsëris këtu thirrjen, që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë u ka bërë të gjithë kompanive të ndërtimit, për të na mbështetur me kapacitete inxhinierike në procesin e nisur nga Insituti i Ndërtimit, për akt verifikimin e çdo banese të dëmtuar. Shtimi i këtyre kapaciteteve me inxhinierë vullnetarë do të bëjë të mundur përfundimin e këtij procesi brenda kësaj jave.

I njëjti proces verifikimi po ndodh aktualisht për çdo urë e rrugë, për të gjithë infrastrukturën strategjike, për çerdhet e kopshtet dhe shkollat te cilat rezultojnë pa probleme.

Duke pasur parasysh edhe faktin që ngjarja e fundit sigurisht që ka shkaktuar më shumë frikë e stres tek ata që janë edhe qytetarët më të vegjël të Tiranës, Durrësit dhe çdo zone të prekur nga tërmeti, është Ministria e Arsimit ka vendosur që dita e nesërme të jetë pushim për shkollat 9 vjeçare dhe të mesme në qarqet Tiranë, Durrës dhe Elbasan, ndërkohë që sapo është marrë vendimi që në keto tre qarqe do të jetë pushim edhe për kopshtet dhe çerdhet. Sa ju takon prindërve që punojnë në administratën shtetërore, të gjithë ata që kanë fëmijë në kopshte, çerdhe apo shkolla 9 vjeçare, nesër mund të qëndrojnë pranë fëmijëve të tyre.

Unë dua ta përsëris thirrjen time për qetësi, por kjo nuk duhet kuptuar si një thirrje për neglizhencë. Dua t’i ftoj të gjithë ato familje, banesat e të cilave janë dëmtuar dhe që për shkak të kohës shumë të shkurtër nuk janë kontaktuar ende personalisht nga ekipet në terren për të marrë një akt vlerësimi teknik të sigurisë së banesave, që të shfrytëzojnë mundësinë që ju kanë krijuar FA por edhe Bashkitë Tiranë e Durrës për strehim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat