Qëndrime të kundërta mes palëve për reformat

Shqipëria

Qëndrime të kundërta mes palëve për reformat

Më: 4 tetor 2019 Në ora: 00:12
Kuvendi shqiptar

Në Tiranë, forcat kryesore politike shfaqën përsëri qëndrime të kundërta për reformat e kërkuara nga Bashkimi Europian. Palët fajësuan njëra-tjetrën për rezultate të pamjaftueshme, edhe pse mospajimet mes tyre kushtëzojnë ecurinë e reformave.

Qeveria dhe opozita treguan sot edhe një herë tjetër në Tiranë qëndrimet e tyre krejt të kundërta për disa cështje kryesore që shqetësojnë vendin, nga reforma gjyqësore, te reforma zgjedhore e deri tek kriteret e BE-së për negociatave të anëtarësimit.

Opozita ka hyrë në muajin e nëntë të djegies së mandateve dhe largimit nga parlamenti, ndërsa qeveria thotë se i ka ruajtur një vend bosh në komisionin e reformës zgjedhore, duke e pritur atje kontributin e saj.

“Jemi gati për reformën zgjedhore. Rekomandimet e OSBE/ODIHR-it janë aty. Askush nuk mund të thotë se të kam dërguar një plan me detyra dhe duhet ta zbatosh, ose hap krahun se e zbaton dikush tjetër” - tha kryeministri Edi Rama në parlament.

Nga ana tjetër, opozita deklaroi se qeveria nuk mund të përmbushë më ato që premtoi më kot për dy mandate, ndaj vendit i duhet shpejt një drejtim i ri pas zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Shqipërisë i duhet shpejt një drejtim i ri, i cili vjen përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Reforma zgjedhore, që i hap rrugën zgjedhjeve të lira e të ndershme është prioritet i BE dhe i opozitës. Plani i propozuar nga opozita i hap reformës së thellë politike dhe zgjedhore në vend, plotësimit të 9 kushteve të Bundestagut, nisjes së negociatave dhe zgjidh krizën, në të cilin ka futur vendin Edi Rama” - tha kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

OSBE nisi disa ditë më parë diskutimet mes partive politike rreth një tyreze të përbashkët për të filluar reformën zgjedhore, sipas rekomandimeve nga raportet e OSBE/ODIHIR-it.

Edhe për këtë temë mospajtimet janë të shumta, nga detajet më të imta e deri te modeli i sistemit zgjedhor.

Zhvillimet politike, sipas analistëve, janë ende të paqarta; më optimistët besojnë se palët mund të arrijnë shpejt në një marrëveshje për reformën zgjedhore për të hapur rrugën e zdhjeve të parakohshme, ndërsa vëzhguesit më skeptikë mendojnë se forcat kryesore politike ende po përdorin truke pa brendi konkrete për të ruajtur status quo-në e gjithësecilit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat