Alibeaj: Edi Rama përdor vettingun për të kërcënuar gjyqtarë e prokurorë

Shqipëria

Alibeaj: Edi Rama përdor vettingun për të kërcënuar gjyqtarë e prokurorë

Më: 4 tetor 2019 Në ora: 18:55
Enkelejd Alibeaj

Enkelejd Alibeaj denoncon në emër të PD-së presionin kriminal të Edi Ramës dhe Erion Braçes ndaj drejtësisë, për të mos dënuar drejtorin e arrestuar për korrupsion të Kadastrës së Durrësit.

Në postimin e tij në rrjetin social “Facebook” ai shkruan:

Presioni i Qeverisë nga Kryeministri tek Zëvendëskryeministri ndaj prokurorisë dhe gjykatës që kanë urdhëruar arrestimin e Drejtorit të Kadastrës në Durrës, është kriminal.

Kërcënimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve me vetting për çështje konkrete është prova e gjallë sesi Edi Rama po përdor vettingun për të kërcënuar e shantazhuar gjyqtarë e prokurorë, që të mos hetojnë krimet e tij dhe të Qeverisë së tij.

Veprimet e prokurorit të çështjes u gjetën ligjërisht korrekte nga gjykata. Magjistratja Besjana Garxenaj, e emëruar në 10 Shkurt 2017, tregoi integritet profesional, duke mos iu nënshtruar presionit kriminal, të padëgjuar më parë, në sallën e gjyqit nga Zëvendëskryeministri Erjon Braҁe.

Drejtuesi i korruptuar i Kadastrës në Durrës, që është arrestuar me vendim gjykate, është kushëriri dhe i emëruari i Erjon Braҁes, i cili ka vënë qeverinë në funksion të hallit të tij dhe për të mbrojtur një zyrtar të akuzuar për korrupsion.

Edi Rama ka dy standarde për drejtësinë. Jo më larg se mbrëmë ai refuzoi të komentojë për Saimir Tahirin, me pretekstin se çështja nuk quhet e mbyllur nga drejtësia. Ndërsa për të korruptuarin e tij në Kadastrën e Durrësit, ai e sulmoi drejtësinë, kërcënoi hapur prokurorin e çështjes dhe shantazhoi gjykatën.

Partia Demokratike bën thirrje për nisjen menjëherë të hetimeve ndaj Edi Ramës dhe Erion Braçes për ushtrim të ndikimit të paligjshëm tek prokurorët dhe gjyqtarët në vend, si dhe shantazhimin që ai bën me procesin e vettingut për çështje individuale dhe konkrete.

Presione të tilla tregojnë para shqiptarëve se përse të pushtetshmit janë të paprekshëm dhe pse nuk ndëshkohet korrupsioni i bandës që drejton vendin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat