Vjedhja në Ambasadën e Kuvajtit, çfarë mungoi në banesë që u ngrit alarmi

Shqipëria

Vjedhja në Ambasadën e Kuvajtit, çfarë mungoi në banesë që u ngrit alarmi

Më: 7 tetor 2019 Në ora: 11:14
Foto ilustrim

Humbja e disa bizhuterive në banesën e diplomatit të ambasadës së Kuvajtit në Tiranë, ka vënë në lëvizje Policinë dhe Prokurorinë e Tiranës, që po hetojnë për një grabitje.

Burimet thanë dje se ka dyshime që këto sende me vlerë janë marrë nga një person, i cili kishte akses në banesë, duke konsideruar si të dyshuar punonjësen që merrej me pastrimin e kujdesej për vilën.

Kjo, pasi nuk ka shenja të dhunimit të pronës, si derë apo dritare që të jetë përdorur thyerja për t’u futur. Ndërkohë, burime bëjnë me dije që dyshimet e para janë se vjedhja është kryer nga një 28-vjeçare me kombësi të huaj, e cila kujdesej për vilën që ndodhet në kompleksin e vilave në Petrelë. Burime thonë gjithashtu, se nga banesa e atasheut Humoud Saleh Alhusaini është vjedhur një byzylyk dhe një unazë floriri.

HETIMET

Është Komisariati Numër 1 i Policisë, që ka kryer hetimet e para për ngjarjen e denoncuar. Deri më tani janë kryer veprimet e para hetimore, janë marrë dëshmi dhe është këqyrur vendi i ngjarjes për të parë nëse ka gjurmë të autorit, ose autorëve të dyshuar. Pas hetimeve paraprake, Policia e Tiranës mësohet se do të referojë materialet hetimore në Akuzën e kryeqytetit për hetime të mëtejshme për veprën penale të “Vjedhjes” dhe emri i shtetases së huaj do të referohet si person nën hetim. Do të jenë hetimet e Prokurorisë së Tiranës që pritet të zbardhin ngjarjen, e cila dyshohet se ka ndodhur rreth dy ditë më parë. Zyrtarisht, Policia nuk ka bërë të ditur informacione në lidhje me grabitjen, për mënyrën si ka ndodhur, apo nëse është ndaluar njeri si përgjegjës.

AMBASADA

Në lidhje me ngjarjen nuk ka pasur reagim as nga ambasada e Kuvajtit në Tiranë, që është një nga 83 përfaqësitë e huaja në Shqipëri dhe një nga 69 përfaqësitë e huaja në Tiranë. Ndërkohë, ambasada e Kuvajtit në Tiranë është një nga 104 përfaqësimet diplomatike dhe konsullore të Kuvajtit jashtë vendit.

Disa ditë më parë, ambasadori i Kuvajtit në Tiranë, Fayez Mishari Al-Jassim, mori pjesë në shpërndarjen e ndihmave për personat e prekur nga tërmeti. Në këtë takim, ambasadori i Kuvajtit u shpreh se kjo është dërgesa e parë e ndihmave për familjet e prekura nga tërmeti, duke shtuar se të tjera ndihma do të ketë në ditët në vijim.

“Kjo është vetëm ngarkesa e parë, një dhuratë, disa batanije, lavatriçe, frigoriferë. Do të ketë edhe një ngarkesë tjetër në ditët vijim, që do të përmbajë mes të tjerave produkte të ‘real estate’, si edhe kuti të ndihmës së parë”, tha ai.

Ambasadori shprehu gatishmërinë që bashkë me OJF-të kuvajtiane të kontribuojnë edhe për sisteme lokale (pompa uji në rrugë) kundra zjarrit, si edhe makina zjarrfikëse. Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve kanë filluar me rënien e regjimit komunist në fillimet e viteve ’90. Shqipëria ka qenë ndër vendet e para, që ka mbështetur të drejtën e Kuvajtit në vitin 1990.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat