PD: Pa u larguar Rama, zgjedhjet në Kosovë dhe çdo reformë zgjedhore leksion në letër

Shqipëria

PD: Pa u larguar Rama, zgjedhjet në Kosovë dhe çdo reformë zgjedhore leksion në letër

Më: 7 tetor 2019 Në ora: 15:18
Oerd Bylykbashi

Partia Demokratike deklaron se Kosova i dha leksion qeverisë shqiptare me zgjedhjet e 6 tetorit. Deputeti, Oerd Bylykbashi, në një dalje për mediat nga selia blu tha se zgjedhjet e të dielës provuan se vetëm vullneti politik garanton zgjedhje demokratike dhe rotacion politik paqësor.

Sipas Bylykbashit, pa u larguar pengesa e zgjedhjeve demokratike, Edi Rama, zgjedhjet e Kosovës apo çdo reformë zgjedhore e jona, do të mbeten një leksion në letër.

Deklarata e plotë

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë janë një leksion i madh për politikën ‎shqiptare, por mbi të gjitha janë një këmbanë e fortë për qeverinë. Zgjedhjet demokratike kërkojnë vullnet politik.

Kosova dha një mësim të madh se zgjedhjet bëhen demokatike, kur në vend të parë vjen interesi i zgjedhësve dhe kur qeveria ka vullnet për të zbatuar ligjin,‎ që garanton të drejtën e zgjedhësve dhe të kandidatëve që konkurojnë të lirë e pa presion.

Askush nuk ka dëgjuar zhurmë për reformë zgjedhore në Kosovë, por të gjithë pamë se si Kosova bëri zgjedhje demokratike që garantuan rotacion politik paqësor, ku fituesi angazhohet për ndryshim dhe humbësi nuk manipulon numërimin, por pranon humbjen.

Zgjedhjet demokratike në Shqipëri i vrasin:

•Qeveritarët e korruptuar që blejnë vota për të vazhduar të mbajnë pushtetin

•‎Kriminelët që qeveritarët i angazhojnë për të blerë vota dhe frikësuar zgjedhësit në këmbim të tenderave dhe pasurive publike

•Kandidatët me rekorde kriminale apo ushtarë të krimit

•Oligarkët që financojnë partinë në pushtet që të vijojnë vjedhjen e shqiptarëve me PPP dhe konçensione

•Komisionerët militantë që shkelin ligjin me dy këmbë duke mbushur kutitë apo manipuluar numërimin

•Mediat e kapura nga pushteti me interesa biznesi apo licenca të paligjshme

ODIHR dhe Bashkimi Europian në 2019 kërkon të luftohet:

•Shitblerja e votës dhe të ndëshkohen ata që blejnë vota

•Presioni mbi zgjedhësit

•Presioni mbi administraten

•Cënimi i sekretit të votes

•‎Cënimi i lirisë së votës

•Abuzimi me burimet shtetërore në favor të partisë në pushtet‎

•Që partitë politike të jenë transparente me financat e tyre.

Partia Demokratike është e angazhuar për të gjitha këto, në mënyrë që t'u sigurojë shqiptarëve zgjedhje demokratike dhe rotacion demokratik me votë.‎  Partia Demokratike është e bindur që vetëm zbatimi i plotë dhe i vërtetë i rekomandimeve të ODIHR na hap rrugën për zgjedhje demokratike dhe për këtë ka propozar një plan me pesë pika, në bazë të të cilit qendron vullneti politik për zgjedhje të lira e të ndershme.  

E vetmja pengesë në rrugën e shqiptarëve për zbatimin e rekomandimeve, si dhe garantimin e zgjedhje si gjithë Europa, është Edi Rama dhe qeveria e tij‎. Pa u larguar Edi Rama, zgjedhjet e Kosovës apo çdo reformë zgjedhore e jona, do të mbeten një leksion në letër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat