Bushati: Albini dhe Vjosa i dhanë oksigjen Kosovës

Shqipëria

Bushati: Albini dhe Vjosa i dhanë oksigjen Kosovës

Më: 7 tetor 2019 Në ora: 15:20
Ditmir Bushati

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka reaguar pas fitores së Lëvizjes për Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare të Kosovës.

Në një postim në Facebook Bushati shkroi se Albin Kurti dhe Vjosa Osmani e LDK i dhanë oksigjen Kosovës duke mos u bërë palë me veset e jetës politike.

Deputeti socialist tha se ata janë përpara një përgjegjësie historike për ta drejtuar Kosovën me dinjitet  drejt sfidave të shtetkonsolidimit demokratik dhe partneritetit me botën demokratike.

Ditmir Bushati: "Albini dhe Vjosa i dhanë oksigjen Kosovës në opozitë duke demonstruar konsistencë e pathyeshmëri e duke mos u bërë palë me veset e jetës politike që dobësojnë idealin e jetës demokratike. Është kjo arsyeja që sot ato shihen si projekt shprese për të gjithë shqiptarët në rajon, duke na dëshmuar se mund të triumfohet mbi rrënojat e së vjetrës.

Tanimë Albini dhe Vjosa janë përpara një përgjegjësie historike për ta drejtuar Kosovën me dinjitet, dashuri e përkushtim drejt sfidave të shtetkonsolidimit demokratik dhe partneritetit me botën demokratike. Ata kanë përgjegjësinë për të jetësuar besimin e qytetarëve të Kosovë."

Bushati shtoi se përtej fitores së Kurtit dhe Vjosës, në Kosovë fitoi standardi dhe kultura demokratike.

Ditmir Bushati: "Kosova, një dekadë shtet, na dha mësime të vlefshme, edhe pse ne e kemi lënë pas një shekull shtet. Në demokraci zgjedhjet janë garë vlerash dhe jo të fortësh. Partitë politike i nënshtrohen konfirmimit të vendimeve nga populli, ku qytetarët kanë mundësi të rëndisin të preferuarit e tyre në listat e kandidatëve për deputetë, çka forcon kontrollin demokratik ndaj vendimmarjes."

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat