Leyla Moses-Ones: Reforma në drejtësi, një revolucion i qetë me konsensus politik

Shqipëria

Leyla Moses-Ones: Reforma në drejtësi, një revolucion i qetë me konsensus politik

Më: 7 tetor 2019 Në ora: 21:54
Leyla Moses-Ones

Një revolucion të qetë me konsensus politik e ka konsideruar Leyla Moses-Ones, e Ngarkuara me Punë e SHBA-së në Tiranë, gjatë ceremonisë së Diplomimit të Shkollës së Magjistraturës.

Duke iu drejtuar njerëzve të rinj të drejtësisë në Shqipëri, Moses-Ones u tha se “zgjedhjet e tua të vogla për të bërë gjënë e duhur – çdo ditë – do të kenë efektin e përbashkët të çuarjes përpara të reformës në drejtësi”.

“Reforma në drejtësi nuk ishte asgjë më pak se një revolucion i qetë me konsensus politik dhe ju jeni rojtarët e kësaj përpjekjeje. Përpjekjet tuaja janë të lidhura me të ardhmen më të gjerë të demokracisë së vendit tuaj. Udhëtimi juaj do t’ju vendosë në pozicione për të ndërtuar dhe për të mirëmbajtur sistemin e ri gjyqësor të Shqipërisë për dekadat e ardhshme. Kjo ju jep fuqi të jashtëzakonshme, përmes këtyre valëzave, që të ndërtoni – vendim pas vendimi, ditë pas dite – një sistem gjyqësor të ndershëm dhe transparent, pa korrupsion dhe të lirë nga çfarëdo ndikimi kriminal”, është shprehur zyrtarja amerikane.

Ajo kërkoi nga gjyqtarët e rinj që të bëhen “agjentë të ndryshimit për një Shqipëri më të lirë, më të drejtë dhe më demokratike”.

Fjalimi i plotë

E dashur Ministre Gjonaj, Prokurore e Përgjithshme Marku, kolegë të trupit diplomatik, drejtor Sadushi, profesorë të Shkollës së magjistraturës, të diplomuar dhe familjarë,

Është vërtet një nder për mua të jem sot me ju të gjithë në këtë rast të veçantë, diplomimin tuaj nga Shkolla e Magjistraturës. Urime!

Sot, nuk do të flas për politikën e Sh.B.A. – sepse të gjithë ju e dini se ku qëndrojmë. Ne qëndrojmë pranë përparimit të Shqipërisë drejt arritjes së reformave historike në gjyqësor që do ta shndërrojnë këtë vend nga maja deri në fund. Në vend të kësaj, sot, do të doja të flas për udhëtimin tuaj.

Por, së pari – për të theksuar një udhëtim tjetër; 53 vjet më parë, një përfaqësues i nivelit të lartë i Shteteve të Bashkuara qëndronte përpara një grupi studentësh të huaj në vendin e tyre dhe u tha atyre se bashkë, ata mund ta transformonin vendin e tyre për mirë.

Ai burrë shteti ishte Senatori Robert F. Kennedy, i cili në qershor të vitit 1966 mbajti në Afrikën e Jugut atë që më vonë do të quhej fjalimi “Valëzimi i Shpresës”, duke iu drejtuar mijëra studentëve në një moment të rëndësishëm në historinë e tyre.

Senatori Kennedy u tha studentëve:
“Nga veprimet e panumërta të kurajos dhe besimit, historia njerëzore merr formë. Çdo herë që njeriu ngrihet për një ideal apo vepron për të përmirësuar gjendjen e të tjerëve ose godet padrejtësinë, ai dërgon një valëzim të vogël shprese dhe, duke kapërcyer njëri-tjetrin nga një milion qendra të ndryshme të energjisë dhe të guximit, ato valë ndërtojnë një rrymë që mund të shkatërrojë murin më të fuqishëm të shtypjes dhe të rezistencës”.

Me fjalë më të thjeshta, mund të jesh pjesë e diçkaje më të madhe se vetja. Zgjedhjet e tua të vogla për të bërë gjënë e duhur – çdo ditë – do të kenë efektin e përbashkët të çuarjes përpara të reformës në drejtësi.

Reforma në drejtësi nuk ishte asgjë më pak se një revolucion i qetë me konsensus politik dhe ju jeni rojtarët e kësaj përpjekjeje. Përpjekjet tuaja janë të lidhura me të ardhmen më të gjerë të demokracisë së vendit tuaj.

Udhëtimi juaj do t’ju vendosë në pozicione për të ndërtuar dhe për të mirëmbajtur sistemin e ri gjyqësor të Shqipërisë për dekadat e ardhshme. Kjo ju jep fuqi të jashtëzakonshme, përmes këtyre valëzave, që të ndërtoni – vendim pas vendimi, ditë pas dite – një sistem gjyqësor të ndershëm dhe transparent, pa korrupsion dhe të lirë nga çfarëdo ndikimi kriminal.

Në atë fjalim, Robert Kennedy foli për ata që nuk ishin të lirë. Së shpejti ju do të flisni për ata që kërkojnë drejtësi. Së shpejti do të jeni një pjesë e atyre që frymëzojnë kalimin në një kulturë respekti për çdo individ.

Ju nxis të gjithëve që të bëheni agjentë të ndryshimit për një Shqipëri më të lirë, më të drejtë dhe më demokratike. Ushtrojeni fuqinë tuaj të re me përgjegjësi. Përfaqësojeni profesionin tuaj të ri me nder. Dhe kryejini detyrat tuaja në mënyrë etike, me sy të pandikueshëm nga korrupsioni dhe të hapur ndaj padrejtësisë dhe pabarazisë.

Secili nga ju, si individ, ka përgjegjësinë të jetë më i mirë dhe të bëjë më mirë se ata para jush. Secili nga ju duhet të krijojë valën e tij të shpresës për të mirën e këtij vendi. Dhe kur ta bëni – kur të gjithë ta bëni së bashku – valët tuaja të përbashkëta do të krijojnë një rrymë aq e fuqishme sa që do të transformojnë përgjithmonë sistemin tuaj të drejtësisë për të mirën e të gjithë popullit shqiptar.

Ky është çasti juaj për të qenë pjesë e diçkaje të madhe. Kapeni atë!
Urime përsëri!
Faleminderit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat