Anulimi i projekteve korruptive nga opozita, Xhepa: Edhe PS kështu tha, por nuk e bëri

Shqipëria

Anulimi i projekteve korruptive nga opozita, Xhepa: Edhe PS kështu tha, por nuk e bëri

Më: 8 tetor 2019 Në ora: 17:38
Selami Xhepa

Ekonomisti Selami Xhepa i ftuar në studion e lajmeve në RTV Ora komentoi qëndrimin e opozitës sa i përket por objekteve korruptive dhe premtimin për anulimin e tyre, pasi të vijnë në pushtet.

Xhepa tha se edhe PS kur ishte në opozitë të njëjtat gjëra premtonte, por kur mori qeverinë nuk e bëri.

Ai thekson se një kontratë nuk është e lehtë të anulohet, pasi kostot do të ishin të pasuportueshme për qeverinë dhe vendin.

Gazetarja: Ndërsa mazhoranca ka këtë bindjen që të vazhdojë projektet, nga ana e kryedemokratit Basha ka ardhur një kërkesë që të mos i financojnë këto projekte PPP. Është normale një kërkesë e tillë?

Xhepa: Bankat kanë standardet e tyre të mbikëqyrjes, që nëse respektohen rregullat ligjore, bankat nuk kanë asnjë arsye që të mos jenë aktive në financimin e ekonomisë. Nëse ka një çështje korrupsioni, që investitorët mund të bëjnë pastrim parash, këto janë çështje individuale, për të cilat institucionet e zbatimit të ligjit, kontrollit të pastrimit të parave dhe antiterrorizmit etj. Duhet të jenë vigjilentë dhe në funksion, por nuk mendoj se i takon liderit të opozitës, apo kujtdo që të bëjë një apel të tillë. Bankat ekzistojnë për të kredituar ekonominë. Banka duhet të bëjë punën e vet sa kohë që projektet janë fitimprurëse, sa kohë që plotësohen standardet ligjore që Banka e Shqipërisë dhe ligji për sistemin bankar përcakton për të garantuar soliditetin bankar të institucioneve financiare nuk ka arsye që bankat të mos e kryejnë atë lloj aktiviteti.

Gazetarja: Opozita thekson edhe sapo të vijë në pushtet do t'i anulojë të gjithë këto projekte korruptive. A kanë një kosto këto? Mund të bëhet anulimi në këtë mënyrë?

Xhepa: Edhe PS kur ishte në opozitë ka bërë të njëjtën gjë dhe kur ka ardhur në pushet jo vetëm që nuk i ka anuluar, por edhe pasi ka përfunduar afati i koncesionit është zgjatur dhe kjo është ana e shëmtuar e qasjes politike në raport me mungesën e seriozitetit të thellë që ka në raport me qeverisjen ekonomike të një vendi.

Nuk mendoj se një kontratë është e lehtë të anulohet. Nëse një kontratë ka kaluar procedurat e veta ligjore, në përgjithësi investitorët privatë kanë juristë më të mirë sesa institucionet e shtetit janë shumë të kujdesshëm, i referohen gjykatave ndërkombëtare dhe nëse do ndodhte diçka e tillë kostot do të ishin të pasuportueshme për çdo lloj qeverie. Efektivisht për vendin do të ishte e pasuportueshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat