Iu shpëtoi disa atentateve, vihet në pranga “i forti” i Tiranës Elvis Gaçaj

Shqipëria

Iu shpëtoi disa atentateve, vihet në pranga “i forti” i Tiranës Elvis Gaçaj

Më: 9 tetor 2019 Në ora: 14:13
Elvis Gaçaj

Policia e Durrësit ka arrestuar shtetasin Elvis Gaçaj, i cilësuar nga policia si një person me rrezikshmëri të lartë, i cili njihej ndryshe edhe si “i forti” i Tiranës.

Mësohet se Gaçaj i kishte ikur postbllokut të policisë, dhe për këtë arsye ishte vënë në ndjekje të tyre.

Pas kontrollit të ushtruar, uniformat blu i kanë gjetur Gaçajt një armë zjarri të llojit pistoletë, të cilën e mbante pa leje.

Arrestimi i tij vjen disa muaj pasi ai u ndalua së bashku me shtetasit Oltion Loga dhe Dritan Agaj gjatë një operacioni antidrogë të policisë në Tiranë ku iu gjet edhe një pistoletë.

Ai gjithashtu është dhe mik me Leonard Dukën, i shpallur në kërkim për vrasjen e ish policit Santiago Malko.

Nuk dihet nëse arrestimi i tij lidhet me vrasjen e Malkos, por policia e përshkruan atë si person me rrezikshmëri të lartë.

Gaçaj rezulton një nga emrat më të njohur për drejtësinë shqiptare. Dy herë i dënuar për krime të rënda, vrasje e tentativë vrasjeje, por i hetuar edhe për trafik droge brenda e jashtë Shqipërisë. Elvis Gaçaj është dënuar për vrasje në vitin 1992. Ai ishte adoleshent kur vrau me thikë shokun e tij.

Duke e goditur në njërën kofshë, i preu arterien kryesore dhe për pasojë bashkëmoshatari i tij gjeti vdekjen në spital. Për këtë ngjarje ai është dënuar me 14 vjet burg, dënim të cilin e ka përfunduar para disa vitesh. Vetëm pak muaj pasi kishte dalë nga burgu, në vitin 2008 Gaçaj përfundoi sërish në pranga.

Më 30 shtator të vitit 2008, Policia e Tiranës njoftonte se specialistët e Seksionit Kundër Krimeve Ndaj Jetës dhe Shëndetit kishin arrestuar shtetasin Elvis Shpëtim Gaçaj, në atë kohë 32 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për vrasje.

Sipas Policisë, Gaçaj ishte arrestuar si autor i dyshuar për plagosjen për motive të dobëta të shtetasit Sefer M., ngjarje kjo e ndodhur më datë 26 korrik 2008.

Elvis Gaçaj, ne 2015 ka qenë objektiv i një atentati tek "Lulishte 1 Maji" në Tiranë, ku mbetën të vrarë gabimisht dy persona, ndërsa ai u plagos. Gaçaj, 44 vjeç, brenda viteve 2013-2015 u kishte shpëtuar edhe dy atentateve të tjera, ndërkohë që sulmet e mëparshme për ta eliminuar ishin kryer me eksploziv.

Ne atentatin e parë u plagos lehtë nga shpërthimi i një sasie tritoli në makinë. Atentati i dytë mbeti në tentativë, pasi lënda plasëse nuk shpërtheu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat