Tumori në gji, çdo ditë diagnostikohen 2 femra në Shqipëri

Shqipëria

Tumori në gji, çdo ditë diagnostikohen 2 femra në Shqipëri

Më: 15 tetor 2019 Në ora: 20:57
Ilustrim

Tumori i gjirit është bërë më i shpeshtë tek gratë dhe ka ardhur në rritje vit pas viti.

Vetëm gjatë vitit 2018 u regjistruan mbi 700 raste të reja ose 2 çdo ditë, ku një pjesë në stade shumë të avancuara.

Por kjo shifër mund të jetë disa herë më e madhe pasi mungojnë të dhënat nga qendrat shëndetësore të rretheve si dhe spitalet private brenda dhe jashtë shtetit.

Moshat që janë prekur janë nga 30 deri 65 vjeç dhe më shumë janë diagnostikuar moshat e mesme 40 deri 50 vjeç.

Nisur nga kjo situatë, specialistët e institutit të shëndetit publik dhe autoritetet shëndetësore në vend kërkojnë që vajzat dhe gratë të kontrollohen rregullisht.

Po ashtu po kërkohet që për të gjitha gratë mbi 50 vjeç mamografia të jetë një diagnostikim i detyrueshëm duke filluar nga viti i ardhshëm.

Gjatë vitit të shkuar ekzaminimet u shtuan me 50% sipas statistikave që referon ministria dhe kjo në sajë të instalimit të 5 mamografeve në spitalet e Durrësit, Gjirokastrës, Dibrës, Kukësit dhe Vlorës.

Brenda këtij viti është planifikuar instalimi edhe në Lezhë, ndërsa vitin e ardhshëm edhe në Fier.

Në muajin rozë të ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit nuk jepen shifra të sakta të vdekshmërisë, por thuhet se është ulur në mënyrë të qëndrueshme për gratë nën 50 vjeç dhe nuk ka rritje në tërësi, pavarësisht rritjes së jetëgjatësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat