Hahn: Shqipëria ka përmbushur detyrimet – problemi është i Evropës

Shqipëria

Hahn: Shqipëria ka përmbushur detyrimet – problemi është i Evropës

Më: 17 tetor 2019 Në ora: 13:02
Johanes Hahn

Nëse sot nuk hapen negociatat nuk do të ishte për ndonjë dështim të Shqipërisë, apo qeverisë së vendit. Është një çështje që lidhet me dinamikat e brendshme të Evropës dhe mendoj që është e rëndësishme që ta dinë qytetarët e Shqipërisë këtë, deklaroi sot komisionari evropian për Zgjerimin, Johannes Hahn, pas një takimi me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në Bruksel.

“Ne e konfirmojmë që Shqipëria i ka përmbushur detyrimet. Kishim një marrëveshje bazuar mbi një vendim unanim të të gjithë vendeve anëtare për 5 prioritetet kyçe, mbi të cilat përpiluam një vlerësim vjet, përsëri këtë vit bëmë një vlerësim dhe rekomanduam këtë vit, njësoj si vitin e kaluar, që të nisin negociatat”, tha Hahn.

“Nëse nuk ndodh sot, sepse është agjenda e Këshillit Evropian, nuk do ishte për ndonjë dështim të Shqipërisë, apo qeverisë së vendit. Është një çështje që lidhet me dinamikat e brendshme të Evropës dhe mendoj që është e rëndësishme që ta dinë qytetarët e Shqipërisë këtë”, u shpreh ai.

“Do të doja vetëm të inkurajoja qeverinë të vazhdojë me reformat që po zhvillojnë, sepse është në interes të qytetarëve shqiptarë. Nuk bëhet për të na kënaqur ne”, theksoi Hahn.

Sa i përket Komisionit Evropian, Hahn nënvizoi se, “ne jemi jashtëzakonisht të përkushtuar që të vazhdojmë përpjekjet e përbashkëta, për të përmirësuar kushtet e jetesës në rajon dhe veçanërisht në Shqipëri”.

“Do të bëjmë gjithçka dhe shpresoj që sapo të zgjidhen problemet e brendshme të BE-së, të ketë një ndikim pozitiv edhe mbi anëtarësimin e rajonit”, u shpreh ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat