Bushati: Shqipëria meriton negociatat me BE. Nuk duhet të jemi emocioanal, por dyfish të përgjegjshëm

Shqipëria

Bushati: Shqipëria meriton negociatat me BE. Nuk duhet të jemi emocioanal, por dyfish të përgjegjshëm

Më: 17 tetor 2019 Në ora: 13:50
Ditmir Bushati

Pak para se të hynte në parlament deputeti Ditmir Bushati tha për mediat se Shqipëria i ka bërë të gjitha detyrat për të merituar negociatat me BE-në, por që gjithsesi duhet pritur vendimmarrja e kryetarëve të shteteve.

“Besoj se konferenca e shtypit e Presidentit Macron dhe kancelares Merkel përcaktoi qartë që për të dyja vendet kryesore të BE-së po dhe për të gjitha vendet e tjera perspektiva e anëtarësimit tonë dhe e gjithë rajonit është e pakthyeshme, por na duhet që të presim vendimmarrjen e kryetarëve të shteteve dhe detyrave që ata do të përcaktojnë në radhë të parë për ministrat e jashtëm të BE-së dhe për Komisionin Europian, sepse e tillë është dhe dinamika ndërmjet Këshillit Europian dhe Këshillit të Ministrave të BE-së dhe më pas për të kuptuar se cila do të jetë rruga që do të ndjekin në këtë drejtim.

Shqipëria i ka bërë detyrat e veta që në momentin që në 2018 vendet anëtare kanë përcaktuar si për Shqipërinë ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut një kalendar të qartë, jo vetëm një horizont, dhe një premtim për organizimin e konferencës panqeveritare që simbolizon edhe nisjen e këtij procesi që sipas vendimarrjes së 2018 duhet të ishte në 2019. Më pas në rast se më pyesni që a do të jetë ndonëjherë gati BE për të mirëpritur një vend në gjirin e saj? Përgjigja ime është duke pasur parasysh të gjithë raundet e mëparshme të zgjerimit, BE kurrë nuk ka për të qenë aq gati. Dhe nga ana tjetër, a është një vend gjithmonë gati për t’u anëtarësuar apo për të hedhur një hap që i kërkohet, mund t’ju them që një vend kurrë nuk është 100% gati”, tha Bushati.

I pyetur nëse është përgjegjësi e qeverisë nëse Shqipëria ndahet nga Maqedonia e Veriut Bushati tha se: “Nuk do të ketë ndarje të Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut, besoj se kjo është bërë e qartë dhe nga komunikimi që kancelarja Merkel dhe presidenti Macron patën dje. Mendoj që më shumë se sa të fokusohemi tek të tilla gjëra ne si politikanë po dhe vëmendja e medias duhet të jetë e fokusuar në gjykimin tim tek zbatimi i atyre standardeve që krijojnë një realitet evropian të prekshëm.”

E keni fjalën për krizën politike z. Bushati? A mund të ketë destabilizim në rajonin e Ballkanit, në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut?

“Vakumet nuk janë asnjëherë të mira as në politikë dhe aq më tepër në gjeopolitikë, por nga ana tjetër për Shqipërinë nuk ka asnjë alternativë përkundrejt anëtarësimit në BE. Shqiptarët e kanë thënë vijimësisht këtë nëpërmjet anketimeve të ndryshme. Besoj se kursi evropian ka qenë orientues për të gjitha qeveritë që kanë drejtuar vendin pas ’90-tës, por dhe në rast se shohim raportet tona si rajon, jo thjesht si Shqipëri me BE, mbi 80% e tregtisë të të gjitha vendeve tona të rajonit bëhen me Bashkimin Evropian, kapitali bankar apo pronësia mbi bankat që janë prezente në rajonin tonë, mbi 80% është europian, apo e ka origjinën te vendet anëtare të BE, modeli përsa i përket sundimit të së drejtës, vlerave, lirive themelore të njeriut, është i gjithi evropian. Natyrisht nuk është një lajm i mirë në radhë të parë për vetë vendet e BE ky hezitim sepse ka rreth 16 muaj që diskutohet dhe është hera e tretë që diskutohet pak a shumë për të njëjtën çështje, por ne nuk duhet të jemi emocional, por dyfish më të përgjegjshëm për të kuptuar që zvogëlimi i derës së BE edhe për shkaqe që nuk kanë lidhje me ne, ne si politikanë duhet të na bëjë dyfish të përgjegjshëm”, tha Bushati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat