Korporata e investimeve kalon në Kuvend! Çfarë është kjo ndërmarrje që “përdor” pronën shtetërore

Shqipëria

Korporata e investimeve kalon në Kuvend! Çfarë është kjo ndërmarrje që “përdor” pronën shtetërore

Më: 17 tetor 2019 Në ora: 21:13
Kuvendi shqiptar

Këtë të enjte në seancën parlamentare Kuvendi ka kaluar me votat e maxhorancës ligjin për Korporatën e Investimeve, një institucion i centralizuar që kurdo që është përmendur ka sjellë dyshime dhe pikëpyetje.

Ligji u votua me 77 vota, 3 abstenime dhe 19 vota kundër. E një ndër votat kundër ka qenë ajo e ish- ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Por çfarë është Korporata e Investimeve dhe kush është roli i saj? Opozita e ka sulmuar disa herë ligjin në kohën që draftohej si një përpjekje e qeverisë për të përdorur pronat shtetërore në interes të kompanive që qëndrojnë përkrah kryeministrit dhe interesave të tij.

Ligji i krijuar muaj më parë ndeshi me problematika të forta, pasi në draft nuk parashikohej që Korporata të kryente tenderime publike për pronat shtetërore që do të jepte në adresë të kompanive që kërkonin të investonin në to. Kritikat nuk munguan edhe nga ana e FMN-së.

Ndryshimi më i rëndësishëm në projektligj pas kritikave të FMN-së ishte ai i nenit të prokurimeve. Në draftin fillestar ishte parashikuar se korporata, edhe pse një kompani publike, mund të prokuronte investime pa ju bindur ligjit të prokurimeve.

Por në projektligjin e ri, neni u ndryshua rrënjësisht duke qartësuar se për projektet me partnerë ndërkombëtar do të zbatohen rregullat e tyre të prokurimeve, ndërsa për ato me financim të brendshëm do të zbatohet ligji shqiptar.

Opozita nga ana tjetër e cilësoi idenë e Korporatës së Investimeve si një orvatje për ta bërë kryeministrin Rama, pronarin de facto të çdo prone publike shqiptare, në mënyrë që ky i fundit t’i japë kujtdo që ai dëshiron, prona publike për investim.

OBJEKTI I KORPORATËS TË INVESTIMEVE

Qeveria angazhohet të krijojë një ndërmarrje të re publike, e cila do të përdorë pronat shtetërore për të realizuar vetëm apo me partnerë privatë investime që janë rentabël dhe nxisin zhvillimin ekonomik.

Kujtojmë se objekti kryesor i Korporatës është sipas rastit, hartimi, analizimi, koordinimi, menaxhimi, përfaqësimi, financimi, zbatimi dhe mbikëqyrja e projekteve. Sipas këtij drafti, kur Korporata identifikon prona shtetërore me interes për të realizuar projekte investimi, i propozon Këshillit të Ministrave, transferimin e tyre tek Korporata.

Vetëm për ta bërë funksionale këtë ndërmarrje të re publike janë dhënë 3 milionë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat