Rama: Nuk ka përplasje antishqiptare

Shqipëria

Rama: Nuk ka përplasje antishqiptare

Më: 18 tetor 2019 Në ora: 20:34
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se asnjë qytetar shqiptar, as ata më të rinjtë që kanë lindur në vitet e tranzicionit, nuk duhet të jenë pesimist në lidhje me rrugëtimin e Shqipërisë drejt Evropës.

Duke iu përgjigjur pyetjes në lidhje me perspektivën e brezit që është rritur duke dëgjuar vetëm mbi Shqipërinë evropiane, Rama tha se ëndrra e të gjithë shqiptarëve do bëhet realitet në një kohë sa më të arsyeshme.

“Në kohën kur unë kam dalë në rrugë për të kërkuar Shqipërinë si gjithë Evropa i kisha të gjitha flokët. Nëse do ia lëmë mjekrës ta dëshmojë mund të bëhet me e gjatë, përpara se të ta plotësojmë dëshirën. Por ky është një rrugëtim dhe Shqipëria sot është shumë më evropiane, nga ç’ishte. Shumë gjëra kanë ndryshuar. Shumë gjëra do ndryshojnë. Trashëgimia nuk është e njëjtë. Ne nuk jemi as Polonia, as Çekia. Kemi pasur dy ndërprerje të mëdha, njëra mbi 500 vjet, tjetra mbi 50 vjet. Kjo është e treta e vërteta. Duhet t’ia bëjmë hyzmetin. Një gjë është e sigurt, ti do votosh për Parlamentin Evropian në Shqipëri padiskutim. Se kur, do bëjmë çmos që të jetë në një kohë të arsyeshme, por është e sigurt, i gjithë brezi këtu do votojë dhe do lodhet duke votuar në Parlamentin Evropian”, u shpreh Rama.

Kryeministri ka folur dhe për të ashtuquajturin “shengen ballkanik” për të cilin tha se nuk ka ardhur kurrsesi si kundërpërgjigje ndaj Bashkimit Evropian dhe nuk është assesi një përplasje antishqiptare.

“Këtu nuk bëhet fjalë për kundërpërgjigje. Marrëveshjen vazhdoni quajeni ‘minishengeni’, por nuk më pëlqen ky emër. Mbase mund ta quajmë Bashkimi Evropian i Juglindjes, por nuk është kundërpërgjigje, as alternativë e rrugës evropiane. Është pjesë e saj. Kemi rrugën tonë, fatin tonë dhe fatin që jemi pjesë e një kontinenti. Në rajonin tonë kemi shumë potenciale që duhet t’i çlirojmë. Janë të gjitha paralele. Nuk kemi ne kujt t’i kundërpërgjigjemi. Nuk ka përplasje antishqiptare. Nuk ka marrë njeri vendim kundër Shqipërisë. Nuk përputhet me interesin tonë sot, por ata janë më të mëdhenjtë. Nuk e bëjmë ne procesin transformues të BE”, shprehet Rama.

Në lidhje me deklaratën e Presidentit francez për azilkërkuesit shqiptarë kryeministri u shpreh se, “s’dua të rikthehem pse shqiptarët lëvizin e kërkojnë azil dhe se në këtë aspekt ka një anë shumë të errët, që është ana e rrjeteve kriminale, që për përfitimet e tyre organizojnë lëvizje të paligjshme dhe ne për këtë jemi në bashkëpunim me autoritetet franceze, por, sigurisht Presidentit i duhej për t’ua thënë francezëve”.

Lidhur me kërkesën e opozitës për zgjedhje të parakohshme, Rama tha se “përsa i përket votëbesimit për të plotësuar një nga pikat për të kënaqur ata, unë mendoj që ne kemi absolutisht shumë gjëra për të bërë dhe nuk kemi kohë për të humbur kemi plot punë për të bërë dhe as nuk bëhet fjalë për të kënaqur askënd që nuk ka punë, flas për ata që merren me politikë dhe thonë kemi çuar platformën dhe thonë zbatojeni ose hapni krahun, nuk bëhet fjalë”.

Kryeministri foli edhe për reformën zgjedhore, e cila sipas tij do mbyllet brenda vitit sipas rekomandimeve të OSBE. “Do e mbarojmë para vitit të ri në Parlament, pastaj jemi të gatshëm të diskutojmë për temat e tjera të reformës. Do e bëjmë me dy shkallë. Votën e emigrantëve nuk do e fusim në shkallën e parë, se do merremi vetëm me rekomandimet e OSBE. Nuk do ketë më procese elektorale me parti politike”, tha Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat