Ndonëse doli në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Edi Rama, për të folur për vendimin e Këshillit Europian për mos’hapjen e negociatave, ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj nuk foli asnjë fjalë.
Por mendimin e tij për vendimin, Cakaj zgjodhi që ta shpaloste nëpërmjet një postimi në facebook.
Ashtu si kryeministri Edi Rama, Cakaj thotë se vendimi negativ erdhi si pasojë e vizioneve të ndryshme për reformën strukturore të Bashkimit Evropian.
“Mungesa e konsensusit në Këshill për çeljen e menjëhershme të negociatave për anëtarësim me Shqipërinë nuk vjen si rrjedhojë e interpretimeve kundërthënëse lidhur me progresin e vendit, por si pasojë e vizioneve të ndryshme për reformën strukturore të Bashkimit Evropian në përgjithësi”.
Cakaj shpehet i bindur se të dy vendet kanë përmbushur të gjitha kushtet e paraqitura në konkluzionet e qershorit të vitit 2018.
“Përderisa nuk ka një ujdi absolute për të filluar bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ekziston një pajtueshmëri e plotë se të dy vendet kanë përmbushur të gjitha kushtet e paraqitura në konkluzionet e qershorit të vitit 2018”.
Cakaj garanton se pavarësisht vendimit negativ Shqipëria do vijojë punën në ndërmarrjen e reformave të mëtejshme.
“Pavarësisht kësaj, Shqipëria do të vazhdojë angazhimet e saj reformatore dhe përpjekjet e mëtejme në shërbim të aspiratës evropiane”.