Cakaj: Nuk jemi zotuar se negociatat do të hapen

Shqipëria

Cakaj: Nuk jemi zotuar se negociatat do të hapen

Më: 19 tetor 2019 Në ora: 21:11
Gent Cakaj

Situatën në Shqipëri, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme Gent Cakaj e shikon të ndryshme nga ajo në Maqedoninë e Veriut. Ndaj sipas tij, nuk ka asnjë arsye që Shqipëria të shkojë në zgjedhje të parakoshme.

Në një intervistë për RTV Ora, Cakaj tha se Shqipëria nuk është zotuar, si Maqedonia e Veriut, se negociatat do të hapen.

Sipas ministrit, qeveria shqiptare i ka përmbushur të gjitha detyrat dhe kushtet për hapjen e negociatave.

Gent Cakaj: Çështja është se Maqedonia e Veriut i përket rrethanave të tjera politike për shkak se sfidat politike të Maqedonisë së Veriut kanë qenë të tjera. Ata kanë bërë një referendum popullor dhe çështja kryesore ka qenë që nëse shtetasit e Maqedonisë do të duan ta ndryshojnë emrin shtetëror në këmbim të agjendës evropiane dhe atlantike të vendit. Ndaj përgjegjësia atje është krejtësisht tjetër. Po ashtu zotimi i qeverisë së atjeshme ka qenë se negociatat do të hapen. Në Shqipëri përveçse nuk ka pasur një problem të tillë politik, në Shqipëri nuk ka pasur zotim të prerë se negociatat do të hapen. Ne kemi qenë tërësisht të kujdesshëm që ne të themi që ne përpiqemi për hapjen e negociatave, por nuk mund ta garantojmë suksesin e tyre për shkak se një copë e madhe e punës nuk varet nga marrëdhënia e Shqipërisë me vendet anëtare, por nga marrëdhënia e vendeve anëtare me vetë BE.

Pyetja: Pra ju dhe qeveria shqiptare nuk keni asnjë përgjegjësi, sepse kjo gjë mund të avancojë në vite?

Gent Cakaj: Po nëse avancon në vite, Shqipëria duhet të mbetet pa qeveri sipas kësaj logjike, meqenëse BE është jo i gatshëm të vazhdojë procesin e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor. Qeverisë i takon ti përshtatet rrethanave të reja që shfaqen si rrjedhojë e ndryshimit të politikave të BE. Qeveria shqiptare duhet të kishte qenë përgjegjëse nëse nuk do të kishte përmbushur detyrat e saj ose në rast se ky vendim do të kishte ardhur si rrjedhojë e dështimit të fushatës tonë diplomatike. Përkundrazi ne kemi arritur të ndryshojmë edhe qëndrimin e Gjermanisë për mirë. Çështja është, për ta sqaruar më përmbajtësish këtë punë. E para, disa prej kushteve kryesore për hapjen e negociatave nuk janë kompetencë e qeverisë fare. Psh, thellimi i rezultateve të vettingut. Kjo punë i përket institucioneve të pavarura të drejtësisë. Raporti nuk është raporti i qeverisë, por është raport i Shqipërisë dhe natyrisht në të qeveria shqiptare ka përgjegjësinë më të madhe. Sa i përket përgjegjësive të  qeverisë, detyrat janë përmbushur. Qeveria shqiptare është e pafuqishme dhe as e ka këtë mundësi objektivisht që ta ndryshojë politikën e Francës në raport me zgjerimin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat