SPAK nuk merr “PO” nga KLP, një prej anëtarëve kërkoi shtyrjen e mbledhjes

Shqipëria

SPAK nuk merr “PO” nga KLP, një prej anëtarëve kërkoi shtyrjen e mbledhjes

Më: 21 tetor 2019 Në ora: 13:54
KLP

Struktura e Posaçme AntiKorrupsion (SPAK) nuk mori sot një “PO” për ngritjen dhe funksionimin e saj me 8 prokurorët që kanë kaluar procesin e vetting-ut. Mbledhja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku pritej të merrej vendim nëse SPAK do të ngrihej me 8 prokurorë, u shty me kërkesë të anëtarit Besnik Cani.

Arsyeja që nënvizoi Cani ishte fakti se nuk është njohur me projekt-aktet të paraqitura në rendin e ditës në kohën e përcaktuar në ligj, 7 ditë para njoftimit te datës së mbledhjes plenare.

Besnik Canit i kanë mbërritur materialet ditën e premte, jashtë orarit zyrtar.

15 prokurorë janë kualifikuar për t’u bërë pjesë e SPAK dhe nga këta kanë kaluar vetting-un vetëm 8. Vendimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për dy prokurorë të tjerë janë ankimuar në Kolegjimin e Posaçëm të Apelimit, ndërsa pesë prokurorë nuk i janë nënshtruar ende procesit të vetting-ut.

Gazetari i Top Channel, Andi Bora raporton se Kushtetuta parashikon që SPAK nuk mund të ngrihet me më pak se 10 anëtarë. Ndërkaq, të pikëzuar janë vetëm 8 të cilët kanë kaluar të gjitha shkallët e vetting-ut.

Kryetari Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja i ka kërkuar Gent Ibrahimit, kreu i KLP-së, të shfrytëzojë kuadrin ligjor, pasi, sipas tij, SPAK mund të ngrihet me 10 prokurorë, 8 që kanë kaluar vetting-un dhe 2 të jenë të përkohshëm ose të komanduar. Megjithatë, është mësuar se anëtarët e KLP-së kanë qenë të ndarë tek kjo pjesë, disa e mendonin të arsyeshme krijimin e SPAK me këtë formulë, ndërsa disa të tjerë e quajnë shkelje të Kushtetutës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat