Mafiozi i Kamorras jetonte i fshehur në Durrës, si nisi lufta me ortakun pas grindjes në biznes

Shqipëria

Mafiozi i Kamorras jetonte i fshehur në Durrës, si nisi lufta me ortakun pas grindjes në biznes

Më: 4 nëntor 2019 Në ora: 14:03
Mafiozi i Kamorras

Në hetimin për pastrim parash startuar 18 muaj më parë finalizohet operacioni për identifikimin, gjetjen dhe sekuestrimin, me qellim konfiskimin dhe rikuperimin e pasurive që dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria kriminale. Vlera e pasurisë së sekuestruar është 750 000 euro pronë e shtetasit italian Ferdinando Muolo, i dënuar me 8 vite burg në Itali, si pjesë e konflikteve mes klaneve kriminale dhe porositës i një vrasjeje.

Ngjarja ka ndodhur ne vitin 2002 në rajonet pranë Napolit dhe Muolo, me profesion dentist kishte porositur vrasjen e ortakut të tij në biznes dhe për këtë ishte dënuar. Ai është akuzuar si pjesë e klaneve kriminale në këtë zonë, ku ligjin në botën e errët e bën Kamorra.

Hetimet nisën pas sinjalizimit të palës italiane dhe u koordinuan nga Prokuroria e Durrësit dhe ajo e Napolit.

Prokuroria e Napolit, në përgjigje të kërkesës të Prokurorisë Durrës, konfirmoi se shtetasi Italian Ferdinando Muolo 56 vjeç, lindur në Itali dhe banues në lagjen nr. 13, në Plazh Durrës, me shtetësi dhe kombësi Italiane është i dënuar nga autoritetet e drejtësisë italiane, si pjesë e klaneve kamorriste në zonën e Napolit, Itali.

Ferdinando Muolo ishte me leje qëndrimi në Shqipëri dhe ushtronte aktivitetin prej vitit 2012 ka regjistruar nje shoqëri, me objekt prodhimi dhe tregtimi i medikamenteve dhe pajisjeve dentare, në Tiranë, me 50% të aksioneve në pronësi të tij. Në vitin 2015 ka regjistruar shoqërinë me objekt prodhimi dhe tregtimi i pajisjeve mjekësore-kirurgjikale për larje dhe dezinfektim ambientesh, ku 45 % të kuotave i posedon Ferdinando Muolo. Në vitin 2015 ka regjistruar shoqërinë me objekt laboratore dentare, ku ka 30% të kuotave.

Në pasuritë me vlerë 750 mije euro përfshihen 5 apartamente banimi, me sipërfaqe 413.8 m2, 13 garazhe me sipërfaqe 622.7 m2, një automjet me vlerë 40 000 Euro dhe afro 10 000 euro llogari bankare.

Në Itali, Muolo ishte dënuar se kishte porositur vrasjen e ortakut te tij me emrin Salvatore Pogniello Ridosso. Ata të dy u grindën në biznes dhe ndodhi vrasja e cila më pas çoi në hakmarrjen e familjes Ridosso, ata paguan 100 mije euro për vrasjen e Luigi Muollo, vëllait të Ferdinandit. Në atë kohë lufta bëhej për sallat e pokerit, por edhe një kompani që merrej me materiale mjekësore.

Gjithçka në atë kohë u zbulua nga një i penduar i Kamorras. Për t’i ikur luftës mes klaneve kamorriste, italiani 56 vjeçar kishte zgjedhur Durrësin si vendqëndrimi, ku kishte rinisur biznesin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat