Reforma zgjedhore, Bamir Topi: Katastrofë, Rama dhe Basha në sinkron

Shqipëria

Reforma zgjedhore, Bamir Topi: Katastrofë, Rama dhe Basha në sinkron

Më: 4 nëntor 2019 Në ora: 20:41
Bamir Topi

Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi kritikoi Ramën dhe Bashës, pasi sipas tij nuk kanë vullnet për të ndryshuar sistemin zgjedhor.

Punimet për reformën zgjedhore, Bamir Topi i konsideron katastrofë, ndërsa theksoi në studion e lajmeve në Ora News se vullneti politik i të dyja palëve është ai i 2008, pasi si nga PS ashtu edhe nga PD nuk shikon zëra kundër.

Zoti Topi ju jeni edhe kryetari i një force politike, Fryma e Re Demokratike, si i shikoni punimet për reformën zgjedhore

Bamir Topi: Katastrofë, katastrofë...Më vjen të përmend atë që kam thënë kur kam qenë Presidenti. Kam dhënë të gjitha argumentet pse ky sistem do të prodhojë autokraci, do të prodhojë vjedhje të pozicioneve në parlament, do të prodhojë një lloj demoralizim të njerëzve. Them katastrofë sepse ka një lloj kakofonie  përsa i përket zërave, jo po do jetë opozita që është jashtë parlamentit, jo po do jetë opozita e re, ndërkohë që unë mendoj që kjo nuk është një çështje teknikaliteti, por një çështje e vullnetit politike dhe vullneti politik mesa po shoh unë është që ti qëndrojnë 21 prillit 2008. Nuk shoh një zë të qartë, shoh zëra sekondarë. PS është shumë e konsoliduar sepse mesa duket që aty është vetëm një zë, është kryeministri. Por shikoj edhe në PD, ka vetëm 2-3 qëndrime por akoma mungon qëndrimi zyrtar i PD, i zotit Basha se çdo do të bëjë me sistemin.

Sipas Bamir Topi, kryetari i PD, Lulzim Basha duhet të japë prova që nuk është në sinkron me kryeministrin Rama

Bamir Topi: Ajo që unë mund të them sot është interesi i një simbioze patologjike që ekziston sot mes kryeministrit Rama dhe kryetarit të opozitës. Duhet të japin prova, në mënyrë të veçantë, zoti Basha duhet të japë prova që nuk është në sinkron me Ramën sa i përket momentit më të rëndësishëm. Ndryshe nuk do të ketë asnjë justifikim për gjithçka ka ndodhur dhe gjithçka do të ndodhë.

Ku e shikoni këtë ?

Bamir Topi: Nuk ndryshon sistemi. E dinë sepse janë protagonistë, bëjnë sikur nuk e dinë dhe sikur nuk e dëgjojnë dhe në rast se do të ndodhë sërish unë kam të drejtë të them që ka një vullnet të sintonizuar që ta mbajnë në status qua jetën politike në Shqipëri, ku njëri të jetë ndoshta edhe për 20 vjet kryeministër. Të jeni të sigurt që zoti Rama në këtë lloj klime politike dhe në këtë mungesë totale të rregullave, në këtë lloj naiviteti deri në fund të opozitës, në këtë çoroditje, unë shikoj që nuk ka asnjë perspektivë të rotacionit politik dhe rotacionit të elitave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat