Hoxha: Atentati në Shkozet lidhet me tokat në Lalëz, fijet që nga vrasja mafioze e Skerdilajd Konomit

Shqipëria

Hoxha: Atentati në Shkozet lidhet me tokat në Lalëz, fijet që nga vrasja mafioze e Skerdilajd Konomit

Më: 4 nëntor 2019 Në ora: 23:02
Artan Hoxha

Gazetari Artan Hoxha ka aluduar se “Rrumi” dhe atentati i pak ditëve më parë në Shkozet, fijet mund t’i ketë që në vitet 2011, kohë në të cilët u vra në mënyrë mafioze gjykatësi Skerdilajd Konomi.

I ftuar në emisionin Opinion, Hoxha u shpreh se në kohën kur u ekzekutua gjykatësi, Landi Muharremi (i cili ka 5 identitete) apo “Rrumi” ka qenë në Vlorë, atje dhe ku ndodhi atentati mafioz.

Madje gazetari u shpreh se gjithçka nis me një sasi të madhe tokë në Gjirin e Lalzit, për të cilën “Rrumi” ka pretenduar pronësinë. Hoxha gjithashtu theksoi se vjedhjet që kanë ndodhur në prokurorinë e Durrësit nuk janë të palidhur me “Rrumin”, pasi një ndër dosjet e grabitura atje është pikërisht ajo e pronave në Gjirin e Lalzit.

“Është ngritur një grup special hetimor në Presidencë. A ka qenë Pëllumb Muharremi personi që dyshohej për atë ngjarje? A ka qenë ai në datën 9 shtator në banesën në Pusin e Mezinit? Ky është një informacon i dhënë nga agjentët e zbatimit civil. Ai ka qenë i dyshuari kryesor.

Trualli që Muharremi pretendon se është e tija është e mbivendosur mbi tokën që Skerdilajd Konomi ka fituar më datë 14 qershor 2009 me një vendim gjykate. Janë 3500 ha. Kjo gjë mund të hapë edhe njëherë çështjen e 2011-s, që ka mbetur pa autor.

Si është e mundur që në vitin 2018 në muajin maj grabitet Prokuroria e Durrësit. Grabitet dosja që ka të bëjë me tokat e Muharremit. Për të mbuluar këtë janë grabitur edhe dosje të tjera. Është grabitur dy herë brenda muajit prokuroria. Ç’janë këta hajdutë që grabisin servera. Ai ka marrë me vete edhe serverin?”– tha Hoxha.

Në lidhje me prokurorin Arjan Ndoj, gazetari u shpreh se duhen thërritur në prokurori Edi Rama e Erion Braçe, të cilët dolën publikisht duke e akuzuar prokurorin të cilit iu bë atentat në Shkozet.

“Jemi në një situatë që në Durrës, të gjithë indikatorët dëshmojnë që është një situatë shumë e rëndë. Gjithë ai akumulim që është bërë aty, korrupsioni etj nuk ke më si e mbulon. Sot ne po korrim atë që kemi mbjellë. Grupi i hetimit, që përbëhet nga Anton Martini dhe Besim Hajdarmataj sot duhet të kishin thirrur dy njerëz: kryeministrin dhe zëvendës kryeministrin. Çdo prokuror duhet të thërriste urgjentisht këta të dy. Kryeministrit ka informacion, ata kanë deklaruar publikisht që ky prokuror është përfshirë në banda”, tha gazetari, që sipas tij ngjarja ndodhi pas vendimit të Gjykatës së Apelit, që liroi drejtorin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Durrës, Liridon Pula.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat