“Shkoj tek varri i babait dhe i tregoj hallet e mia” Historia e trishtë e 15 vjeçares shqiptare

Shqipëria

“Shkoj tek varri i babait dhe i tregoj hallet e mia” Historia e trishtë e 15 vjeçares shqiptare

Më: 5 nëntor 2019 Në ora: 19:52
Enila

Nënë, motër, bijë deri tek “burri” i shtëpisë, këto janë rolet që ka kryer një 15 vjeçare shqiptare e cila është përplasur nga fatkeqësia në fatkeqësi gjatë jetës.

Rolet që ka luajtur Enila 15 vjeçe nuk janë ato të një aktoreje, por ato të një adoleshenteje që është detyruar të përballet me dhimbje, vuajtje dhe humbjen e disa prej njerëzve të saj më të dashur.

E reja jeton në një fshat të Ballshit, atje ku pak njerëz qëndrojnë ende, në pritje të çfarëdo lloj shansi për t’u larguar. Thuajse të gjitha ato pak banesa që kanë mbetur, janë bosh. Askush nuk jeton më në këtë zonë,  të gjithë përpiqen të ikin sa më parë.

Emisioni ‘shqiptarët për shqiptarët’ shkoi në këtë fshat të largët të Shqipërisë, për të takuar 15 vjeçaren jetime. Enila fatkeqësisht e ka humbur të atin, njeriun e saj më të dashur. Sot jeton me të ëmën e sëmurë dhe vëllain e vogël. Ajo tregon vetë se kohë më parë, i ati dhe nëna patën një përplasje të fortë. Nëna e Enilës u largua nga banesa dhe mori me vetë djalin. Vajza thotë se që prej asaj kohë, ajo e ka humbur plotësisht besimin tek të tjerët… beson vetëm tek i ati, edhe pse ai tashmë nuk më në këtë botë.

Enila: Jetoj me mamin dhe vëllain këtu. Lagja është komplet bosh, ka ende njerëz që ikin prej këtu.  Ky vend nuk është më i zhurmshëm, i hareshëm. M’u desh të merrja në dorë ekonominë e shtëpisë që 11 vjeç… mami im nuk është në gjendje, babai… jetojmë falë një kempi që ka marrë mami. Me ato mundohemi që t’i përballojmë të gjitha.

Jam treguar e fortë dhe besoj, Zoti më ka dhënë një fuqi që as vetë nuk e imagjinoja. Para tre viteve, mami dhe babi u grindën keq. Mami iku së bashku me vëllain. Babi ishte i sëmurë, atëherë u sëmur edhe më keq e ndenji disa muaj në krevat. Kam qenë 11 vjeç. Unë nuk e lija dot vetëm babin dhe qëndrova me të.

Me mësimet… rrija deri vonë që të mësoja, të mos më binte mesatarja. Për 4 muaj rresht, e kam parë çdo të thotë vuajtje. Kur vëllai kur më shikonte ndërronte rrugë, nuk donte mami… nuk i besoj më asnjeriu, njerëzit që unë kisha më shumë besim më kthyen krahët dhe sot nuk i besoj më asnjeriu. Vetëm duke ndenjur me babin i harroja të gjitha problemet, e harroja që mami kishte ikur. Pastaj, bëmë çmos që mami erdhi. Unë nuk ia dilja dot. Për hatrin tim dhe të vëllait mami e babi qëndruar bashkë.

Momenti më prekës është kur Enila shpjegon me lot në sy momentin kur pa të atin të vdekur. E tronditur, e reja ende sot dy vite pas ngjarjes, përdor të njëjtat fjalë dhe ndjesi, tentativën e saj për ta “ringjallur” të atin me puthjet e saj.

Enila: Atje tek qendra është një çezëm dhe tek kanali ku ishte, babi u rrëzua. Nuk po përmendej. Nga goja nxirrte gjak. E morëm në banesë. Mua më nxorrën përjashta. Kur erdha brenda, ai nuk jetonte më. E përqavona dhe e putha babin, por ai prap vdiq. E përjetova shumë shumë keq, nuk mësohesha dot me faktin se babi nuk jeton më.

Enila tregon për emisionin “shqiptarët për shqiptarët” se 9 muaj pas ngjarjes së rëndë, jetën e humbi dhe gjyshi. 15 vjeçarja thotë se ai nuk e përballoi dot vdekjen e të birit.

Enila: Shkoja në ato vende ku shkonte babi, të përjetoja të njëjtat çaste… edhe sot e kësaj dite nuk më besohet, më duket sikur është larguar, por që një ditë do vijë. Kur shkoj tek varri i tij, them që babi nuk mund të jetë këtu, se është e pamundur. Në prill bën dy vite, pasi ka qenë i sëmurë nga epilepsia. Edhe mamaja është ashtu, por është më mirë. Gjyshi më ndihmoi që ta kaloja këtë fazë, por edhe ai iku… 9 muaj pas vdekjes së babit, vdiq dhe gjyshi, ai nuk e duronte dot më vdekjen e babit. M’u larguan dy njerëzit më të dashur në jetë. Më dukej pa kuptim.

Shkoj lart në varreza dhe shprehem atje. Kur ia them problemet atyre, duket sikur gjithçka do të zgjidhet. Mami është e sëmurë dhe nuk më kupton aq shumë… nuk dua ta mendoj se do ta humbas dhe atë, se pastaj do jetë vdekje dhe për ne.

Por emisioni ‘shqiptarët për shqiptarët’ ka një surprizë për Enilën dhe familjen e saj. Nëna e Enilës, vajza dhe Klaudio nisen drejt qytetit të Ballshit, atje ku i pret Elvis Naçi si dhe një mërgimtar shqiptar që prej vitesh jeton në Gjermani. Emigranti ka mbërritur posaçërisht për vajzën. Mërgimtari e takon 15 vjeçaren dhe i tregon rrugën drejt një pallati. Me t’u ngjitur në pallat, i jep çelësat e një banese dhe lajmin e gëzueshëm se ajo shtëpi tashmë do të jetë e saj.

Enila hap derën e banesës dhe për herë të parë duket një fije drite në sytë e saj.

Vajza: Nuk e kisha menduar asnjëherë…

Elvis Naçi: Zotnia ka ardh nga Gjermania. Bëmë bisedë dhe më tha që një familje që është në nevojë t’i japim një banesë. Ne ju zgjodhëm juve sepse sakrificat e tua Enila.

Mërgimtari: Tani një problem u kry, por jo se çdo gjë u kry. Tash prej sot e derisa të rriteni ju, do të keni një rrogë mesatare të Shqipërisë, që edhe ju të rriteni si fëmijët e tjerë. Çdo muaj, do të keni një pension mujor 300 euro. Edhe sikur të më ndodhë mua gjë, djalin ndaj e kam marrë dhe çdo muaj do merrni atë pagë.

Naçi: Enila, Klaudio, kjo karrigia dhe kjo tavolina është që ju të bëni studimet. Shtëpia u mor dhe pensioni u vu dhe tashmë duhet vullneti juaj që ju të dilni të suksesshëm. Shpresoj të dilni njerëz të mirë në jetë, që dhe ju nesër të ndihmoni shqiptarë që kanë nevojë.

Enila: Jam shumë e lumtur, nuk e imagjinoja dot. Falenderoj emisionin dhe të gjithë shqiptarët, që më dhanë mundësinë që të jem e lumtur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat