Kasimati: Enver, kam ardhur të të them se…

Shqipëria

Kasimati: Enver, kam ardhur të të them se…

Më: 8 nëntor 2019 Në ora: 18:14
Enver Hoxha

Sabiha Kasimati, vjen nga një familje e njohur intelektuale libohovite. I ati i saj, Abdurrahman Kasimati, i kishte kryer studimet universitare për Mjekësi në Turqi, ku punoi si mjek dhe jetoi me gjithë familje deri në vitin 1927. Në këtë vit u kthye në Shqipëri. Fillimisht u vendos në Korçë, mandej në Elbasan ku shërbeu si mjek dhe gëzoi respektin dhe mirënjohjen e qytetarëve, por edhe vlerësimin e miqësinë e personaliteteve të këtij qyteti: Aqif pashë Elbasanit, Lef Nosit, Visarion Xhuvanit, Ethem Haxhiademit, Sotir Paparistos, Aleksandër Xhuvanit e të tjerë.

Sabiha Kasimati lindi në Edërne (Adrianopojë) të Turqisë më 15 shtator 1912. Atje kaloi fëmijërinë, e ushqyer nga prindërit me dashuri për Shqipërinë, por edhe për kulturën evropiane. Kur u kthye familja në atdhe, u vendos tek i vëllai në qytetin e Korçës, ku filloi studimet në Liceun Francez të këtij qyteti. Qe e para femër që e mbaroi këtë shkollë perëndimore, në vitin 1930. Qysh nxënëse, zotëronte disa gjuhë të Perëndimit dhe të Lindjes – në mënyrë të shkëlqyer frëngjishten, aq sa habiste edhe profesorët francezë të Liceut.

Vajzat korçare, por edhe qytetarët e Korçës, e kujtojnë Sabihanë si dallëndyshen e parë të Liceut, si çupën e emancipuar, të kulturuar dhe me temperament burrëror që mbeti si një shëmbëlltyrë e pashlyer për vajzërinë dhe djelmërinë shqiptare.

Mbas mbarimit të Liceut të Korçës, punoi disa kohë si mësuese në shkollën normale femërore të Korçës, duke dhënë lëndët e Edukatës Morale dhe të Gjuhës Frënge. Më vonë u transferua si pedagoge në shkollën shqiptaro-amerikane në Kavajë, ku jepte Biologji.

Në vitin 1936 mundi të plotësonte dëshirën për studime të larta. Shteti shqiptar i akordoi bursë studimi në Universitetin e Torinos, në Fakultetin e Shkencave Biologjike, të cilin e përfundoi me sukses me notat 30’/30’, me lavdërim (trenta su trenta con lode). Në verën e vitit 1941 mbrojti edhe doktoraturën. Katedra i ofroi vendin e asistentes nëIihtiologjinë Fluviale, por ajo nuk pranoi dhe u kthye në atdhe.

Në Shqipëri punoi me entusiazmin e një vajze të re, por edhe me vullnetin e një shkencëtareje që kërkonte t’i shërbente vendit të saj në nevojë. U emërua pedagoge në Institutin Femëror “Nëna Mbretneshë” në Tiranë. Mbas disa vjetësh pune, u detyrua të shkonte në Itali për kurë shëndetësore në një sanatorium të Torinos. Pas shërimit, aty nga viti 1945, u kthye në atdhe. Tek kthehej nga Italia, në aeroport takoi Ali Koprenckën që ikte nga Shqipëria. Ai i tha: “Nuk e di se ç’po bëhet atje, hataja po bëhet! Andaj po ikim. Po vendoset diktatura e kuqe”. Sabihaja iu përgjigj: “Atje janë gjithë shokët e shoqet dhe bashkërisht do të përpiqemi që ajo gjë të mos ndodhë dhe Shqipëria të përparojë”.

Nisi punën në Institutin e Shkencave, siç quhej atëherë bërthama e parë shkencore, që drejtohej nga profesori Selaudin Toto, i cili më pas u pushkatua nga regjimi.

Sabihaja punoi me përkushtim në specialitetin e ihtiologjisë (disiplinë shkencore që studion peshqit). Për rezultatet e saj për studimin e peshqve në ujërat e vendit, si edhe për vlerën ushqimore dhe ekonomike të tyre, punoi 10 vjet me radhë. U dëshpërua thellësisht nga goditjet e rënda që po u jepeshin intelektualëve të vendit, veçanërisht atyre që kishin studiuar në Perëndim, mjaft nga të cilët ishin kolegët e saj. Gjyqet ushtarake dënonin me pushkatime dhe burgime të rënda elitën shqiptare. Ajo u trondit veçanërisht nga pushkatimi i drejtorit të saj, shkencëtarit Selaudin Toto, si edhe i intelektualëve opozitarë – Gjergj Kokoshi, Suad Asllani, Sulo Klosi, Shefqet Beja, Stanislav Zuberit etj. – veçanërisht nga dënimi i shkrimtares së parë shqiptare, Musine Kokalari.

Kështu, Sabihaja filloi të shprehte pakënaqësinë për regjimin dhe për Enver Hoxhën, shokun e saj të klasës në Liceun e Korçës. Këto pakënaqësi të saj, si edhe prejardhja nga një familje e madhe, tërësisht intelektuale dhe demokratike, bënë që emri i Sabihasë të futej në listat e zeza të Sigurimit të Shtetit si “kundërshtare e regjimit”.

Duke qenë se Sabihaja kishte mbaruar Liceun Francez bashkë me Enver Hoxhën dhe e njihte mirë, i kërkoi një takim. Aty ajo i tha: “Kam ardhur të të them se ti po vret gjithë intelektualët. Dua të të pyes se me cilët ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë, me teneqexhinjtë apo me këpucarët”? “Boll lexove iluministët francezë, të këshilloj të lexosh Marksin dhe Leninin”, ishte përgjigja e Enverit. Pas dy ditësh, Nako Spiru, të cilin Sabihaja e kishte shok, e thirri Sabihanë për një kafe dhe në bisedë e sipër i tha: “Sabiha, duhet ta qepësh gojën, jo me karficë, por me babushkë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat